Kompania gjermane Meditech L.L.C, ndihma për shërbimin e dializës për fëmijë
Shërbimi i Hemodializës për Fëmijë në Klinikën e Pediatrisë ka përfituar ndihma nga kompania Meditech L.L.C, përmes Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, KOMF.
Me këtë rast Angelika Viets, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, tha se në fazën e tranzicionit nëpër të cilën po kalon Kosova, ndihma të tilla janë të nevojshme dhe mirëpritura.
“ Kompania Gjermane Freseniuz, përmes përfaqësisë së saj në Kosovë, ka ndihmuar me aparatura të ndryshme në Kosovë, e në këtë rast përmes KOMF do të ndihmojë fëmijët që të marrin këtë shërbim në Kosovë”, theksoi Viets.
Sipas saj, nevojiten investime më të mëdha në shëndetësi, në mënyrë që gjendja të përmirësohet në vazhdimësi, po ashtu edhe Ligji për Sigurime Shëndetësore do të ndihmonte në këtë drejtim.
Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së Curr Gjocaj falënderoi Ambasadoren Viets për angazhim, duke shtuar se iniciativa e KOMF është shembull i mirë që mund të shërbejë edhe për organizata dhe institucione të tjera jo qeveritare.
Ndërsa Donjeta Kelmendi, drejtore Ekzekutive e KOMF, tha se “KOMF është organizatë joqeveritare që në përbërje ka 22 organizata të ndryshme që merren me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve”.
“KOMF kryesisht është marrë me fushat e mirëqenies sociale, arsimit të fëmijëve, e së fundmi kanë nisur iniciativa edhe në fushën e shëndetësisë. Përmes platformës Miqtë e Fëmijëve, ku janë kyçur personalitete nga fusha e diplomacisë, artit, muzikës, sportit dhe fushave tjera, mes tjerash edhe Ambasadorja Viets, është arritur që me iniciativë dhe lajmërim të Z. Agron Sadiku nga Meditech, të realizohet ky donacion”, u shpreh Kelmendi.
Zëvendësministëri i Shëndetësisë së Kosovës Izet Sadiku, tha se shëndeti i nënës dhe fëmijës ka qenë në qendër të vëmendjes së Ministrisë së Shëndetësisë.
“ Përmes projektit të Bankës Botërore, do të blihen paisje në vlerë 1.7 milion euro për pediatri dhe neonatologji” tha Sadiku.
Sipas tij, me ndërtimin e objektit të ri të Kirurgjisë Pediatrike dhe Pediatrisë, i cili është dhurim nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në vlerë mbi 22 milion euro do të krijohen kushte më të mira për trajtim të fëmijëve.