Kompanitë call center po marrin licenca për të operuar si brokera në bursa
Kompanitë call center po diversifikojnë aktivitetin e tyre, duke u kthyer në ndërmjetës financiarë, çka do u japë mundësinë atyre të ndërmjetësojnë për investimin e parave të shqiptarëve në aktivitete me risk si veprimet me kurset e këmbimit apo të ashtuquajturat Binary option’ (Një opsion binar është një opsion financiar ku pagesa është ose një sasi e caktuar monetare ose asgjë).
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë të ditur se në mbledhjen e radhës, që do të zhvillohet në 27 korrik, ajo do të shqyrtojë projektin Për licencimin e shoqërisë “SMARTCOM” sh.a. për ushtrimin e veprimtarisë së brokerimit në tituj si dhe projektin që kjo kompani të veprojë si agjent i lidhur i brokerit të licencuar të letrave me vlerë “Rodler” Ltd.” Kjo e fundit rezulton e regjistruar në Qipro dhe është e specializuar për ‘Binary option’.
Smartcom është themeluar në vitin 2013 dhe sipas ekstraktit në QKB ka si aktivitet shërbime Call Center dhe Contact Center për klientë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, shërbime marketingu jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet telefonit dhe internetit. Në vitin 2015 të ardhurat e kompanisë u trefishuan në rreth 2.1 milionë euro, sipas bilancit.
Rreth tre javë më parë, ProData mori licencën nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për të operuar si agjent brokeri në letrat me vlerë, në emër dhe për llogari të shoqërisë “Depaho” Ltd. ProData, e krijuar në mars 2013, në pronësi të një izraeliti, sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), me fokus në aktivitetin call center, një vit më vonë iu shit shoqërisë Bridlane Corp, e themeluar në shtetin e Belizës, për 100 lekë, sipas aktit të shitblerjes. Në maj 2017, Prodata ndryshoi emrin në Prodata Securities dhe objekti i saj i aktivitetit u ndryshua në kryerjen e transaksioneve me tituj dhe veçanërisht blerjen dhe shitjen e titujve me porosi të klientit dhe veprimtarinë e këshillimit të veprimtarisë me tituj. Në bilancin e viit 2015 (i fundit i dorëzuar në QKB) Prodata deklaroi të ardhura prej 530 milionë lekësh (gati 4 milionë euro). Norma e fitimit para taksave ishte 14%, ndërsa kostot e personelit zinin 70% të totalit të shpenzimeve.
Nën presionin e qeverisë italiane, e cila shtrëngoi masat për delokalizimin e aktivitetit të call center në vendet jashtë BE-së, përfshi Shqipërinë, kompanitë call center po diversifikohen, duke kaluar në tregun e shërbimeve financiare. Ky aktivitetet mbetet në fazat e para të zhvillimit në Shqipëri dhe ka riskt të lartë, teksa kërkon njohuri të mira të tregjeve financiare, ndërsa ai që luan paratë në platformat online duhet të jetë i kujdesshëm, sepse në rast humbjeje nuk e mbron njeri.
Shumë kompani call center tashmë kanë parësor aktivitetin në Forex, ku operatorët marrin në telefon qytetarët italianë (por shumë shpejt edhe shqiptarët) dhe përpiqen t’i bindin të investojnë në platforma online tregtimi apo në aktivitetet e kursit të këmbimit. Një pjesë e kompanive të vogla të mbyllura i kanë transferuar punonjësit në sipërmarrje të tilla.