Ekonomia

Kompanitë me pagat më të larta në Shqipëri

 

Drejtuesit e Bankers Petroleum me paga deri 1 milion dollarë në vit (80 mijë USD/muaj), nënkontraktorët e tyre marrin 30 mijë USD në muaj. “Monitor” sjell në një renditje ekskluzive kompanitë që kanë pagat më të larta mesatare për punonjës në Shqipëri. Nga nafta, bankat e telekomunikacionet, ja fondet që sipërmarrjet shpenzojnë për punonjësit, sipas përpunimit që Qendra e Kërkimeve Monitor u ka bërë bilanceve të bizneseve më të mëdha punësuese në vend për vitin 2014. Sa paguajnë kompanitë shtetërore dhe shoqëritë aksionere me kapital publik

 

 

A e dini se cilët janë profesionet që fitojnë më shumë sot në Shqipëri? Inxhinierët e prodhimit të naftës, janë profesionistët që paguhen më mirë sot në vend, me paga që i kalojnë edhe 30 mijë euro në muaj dhe arrijnë dhe 70 mijë euro/muaj. Por, mos u inkurajoni më kot! Janë të paktë ata që marrin këto të ardhura marramendëse për nivelin shqiptar dhe për më tepër, janë të huaj. Ndërsa pagat për personelin shqiptar në industrinë e naftës, ndonëse të larta, janë në nivele normale.

Krahas kompanive të naftës, bankat mbizotërojnë në listën e sipërmarrjeve që i paguajnë më shumë punonjësit e tyre, me pagë mesatare mbi 1000 euro në muaj. Edhe këtu ka diferenca të mëdha mes pagash, nga 300 euro në mbi 20 mijë euro në muaj, me pagat e larta që kryesisht i marrin CEO-t e huaj.

Hapja e spitaleve private ka shtuar ndjeshëm të ardhurat për mjekët, që punojnë në to, që u afrohen 1000 eurove në muaj.

Nga kompanitë shtetërore janë sh.a.-të ato që i trajtojnë më mirë punonjësit, duke u dhënë dhe shpërblime të herëpashershme që rrisin pagën e tyre mesatare.

Po cilat janë sipërmarrjet që i paguajnë më shumë punonjësit? “Monitor” sjell në një renditje ekskluzive fondet që sipërmarrjet shpenzojnë për punonjësit dhe pagën mesatare bruto për punonjës. Të dhënat janë sipas përpunimit që “Qendra e Kërkimeve Monitor” u ka bërë shpenzimeve të personelit, sipas deklarimeve të bilanceve të bizneseve më të mëdha, publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (ish QKR) dhe numrit të punonjësve.

Në analizë janë marrë 200 kompanitë më të mëdha sipas qarkullimit vjetor dhe 100 punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Paga mesatare bruto është llogaritur duke pjesëtuar fondin total të shpenzimeve për paga të raportuar në bilancin 2014 (përfshirë trajtime e shpërblime) dhe numrit mesatar të punonjësve për të cilët janë paguar kontribute atë vit, sipas deklarimeve te tatimet.

Nga përpunimi i të dhënave është hartuar tabela me 100 kompanitë më të mëdha sipas fondeve të pagave (shiko tabelën: “Renditja e kompanive kryesore, sipas shpenzimeve të personelit -fondit të pagave”) dhe 30 sipërmarrjeve të mëdha që kanë pagat mesatare më të larta për punonjës (shiko tabelën: “30 kompanitë VIP me pagat mesatare më të larta bruto për punonjës”)

 

4 kompanitë që paguajnë paga marramendëse

Phoenix Technology Services Albania, një nënkontraktor për hapjen e puseve dhe konsulencës në fushën e naftës, që punon kryesisht me Bankers Petroleum, është kompania që raporton në bilanc pagën më të lartë mesatare mujore për të punësuar në Shqipëri, me 1.34 milionë lekë (gati 10 mijë euro në muaj). Kompania ka rreth 70 të punësuar.

Bankers Petroleum, koncesionari më i madh i naftës në vend, që shfrytëzon fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, ka dhe fondin më të lartë të pagave në vend, prej 3.8 miliardë lekësh në vit (27 milionë euro), duke përfshirë dhe shpërblimet. Paga mesatare për punonjës e kompanisë është rreth 557 mijë lekë (4000) euro në muaj. Por, kjo mesatare rritet ndjeshëm nga pagat e larta të të huajve.

Sipas të dhënave në bilanc, nga rreth 3.8 miliardë lekë që është totali i pagave të deklaruara dhe paguara për vitin 2014, gati 2.9 miliardë lekë, apo rreth 76% e fondit ka shkuar për personelin e huaj dhe rreth 930 milionë lekë për atë vendas.

Për personelin shqiptar, paga mesatare rezulton rreth 1200 euro në muaj, ndërsa për atë të huaj arrin 35 mijë euro në muaj mesatarisht, apo mbi 400 mijë euro në vit. Sipas burimeve nga kompania, nga 570 punonjës të deklaruar në vitin 2014, rreth 50 janë të huaj. Drejtuesit e Bankers Petroleum kanë paga edhe deri 1 milion dollarë në vit (80 mijë USD/muaj, apo 10 milionë lekë/muaj).

Simmons Edeco Limited, Dega në Shqipëri, edhe ky një nënkontraktor i Bankers Petroleum, është sipërmarrja e tretë në Shqipëri që i paguan më shumë punonjësit e saj, me një pagë mesatare mujore prej 337 mijë lekësh (2400 euro). Edhe këtu janë inxhinierët e huaj të naftës, ata që marrin pjesën e luanit.

Në mënyrë befasuese, sipërmarrja e katërt në Shqipëri që i trajton më mirë punonjësit e saj ështëAlbcontrol, një shoqëri anonime me kapital shtetëror, që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore shqiptare. Paga mesatare mujore e kësaj kompanie është 310 mijë lekë (rreth 2250 euro) dhe është gati dyfish më e lartë se mesatarja e bankave.

 

Pagat marramendëse

Koncesionarët e naftës: Drejtuesit e Bankers Petroleum kanë paga edhe deri 1 milion dollarë në vit (80 mijë USD/muaj, apo 10 milionë lekë/muaj). Dy kompanitë e saj nënkontraktore Phoenix Technology Services Albania dhe Simmons Edeco Limited i paguajnë ekspertët e huaj me rreth 30 mijë euro/muaj

 

Bankave private ua “kalon” Banka e Shqipërisë

Në përpjekje për të mbajtur specialistët më të mirë, Banka e Shqipërisë rezulton se i trajton mjaft mirë punonjësit e saj. Paga mesatare e punonjësve të saj (përfshirë shpërblimet e trajtimet) është rreth 175 mijë lekë në muaj (gati 1300 euro). Në këto nivele (lehtësisht më lart) është vetëmBanka Kombëtare Tregtare, më e madhja në vend.

Intesa Sanpaolo dhe ProCredit renditen më pas, me paga rreth 1100 euro në muaj. Në listën e bankave me paga të larta renditen edhe Veneto, Raiffesen, Alpha, NBG, Credins, Banka e Tiranës, Union Bank.

Bankat kanë diferenca të mëdha në paga. Niveli i hyrjes është rreth 300-500 euro në muaj, për të arritur tek CEO-t, kryesisht të huaj, që paguhen mbi 20 mijë euro në muaj. Për nivelet e larta menaxheriale, pagat janë mesatarisht 4000-6000 euro në muaj.

Bankat e kanë mjaft të zhvilluar edhe sistemin e vlerësimit në bazë të performancës, nga rezultatet e të cilit punonjësit mund të përfitojnë edhe disa paga shpërblim në vit, apo bonuse të larta.

Bankat, që mbeten vendi më interesant dhe i lakmuar i punës, për këdo që ka mbaruar arsim të lartë, sidomos ekonomik, prej vitesh nuk po tregohen agresive në zgjerimin e aktivitetit e si rrjedhojë kanë një rritje minimale të numrit të të punësuarve, duke arritur në rreth 6900 në fund të vitit 2015.

Fondi i pagave të 13 bankave të përfshira në renditje (përfshirë Bankën e Shqipërisë) shënoi rritje të lehtë prej 2% në vitin 2014, ndërsa dy banka kanë ulur fondet për punonjësit. Edhe Banka e Shqipërisë është treguar e kursyer dhe e ka ulur me gati 6% fondin e pagave në 2014-n.

Spitalet private rrisin tregun e mjekëve

Zhvillimi i spitaleve private ka qenë një mundësi e mirë punësimi për mjekët, që paguhen disa herë më shumë se në shtet. Në Spitalin Amerikan, paga mesatare bruto është rreth 1000 euro në muaj, ndërsa te Hygeia, rreth 980 euro.

Spitalet private kanë parë një zhvillim të ndjeshëm vitet e fundit. Sipas të dhënave nga bilancet përkatëse, pesë spitalet dhe klinikat kryesore private në vend, Spitali Amerikan (Univers-Alb), Hygeia Hospital – Tirana, Salus, Spitali Gjerman (Cardio & Diagnostic Center Hamburg / Tir), Klinika Gjermane e Syrit, Spitali Europian kanë qarkulluar në total rreth 6 miliardë lekë, apo rreth 43 milionë euro në vitin 2014, me një rritje prej gati 18% në raport me 2013-n.

 

Telekomunikacioni, pagat mesatare rreth 800-1000 euro/muaj

Pagat mesatare në sektorin e telekomunikacioneve rezultojnë relativisht të ulëta në krahasim me bankat. Numri i lartë i operatorëve që paguhen me paga relativisht të ulëta e redukton mesataren e kësaj industrie, ndërsa CEO-t e huaj kanë paga të larta. Paga mesatare mujore për punonjës e Vodafone, kompanisë më të madhe të telekomunikacionit në vend, është rreth 1000 euro në muaj, e Telecom Albania është rreth 1000 euro.

Mirë paguhen punonjësit në sipërmarrjen e telefonisë fikse dhe asaj të lëvizshme, Albtelecom, me të ardhura mesatare prej gati 1000 euro në muaj.  Plus, kompania me kapital shqiptar e telefonisë së lëvizshme, me një mesatare prej 820 euro në muaj.

 

Sa paguhet krahu i “lirë” i punës

Ndërsa call center kanë një pagë mesatare relativisht të lartë, që arrin edhe në 70 mijë lekë në muaj, tek industritë e këpucëve e tekstileve, që kanë si avantazh kryesor në kosto pikërisht krahun e lirë të fuqisë punëtore, paga mesatare është afër asaj minimale, prej 22 mijë lekësh në muaj.

Të dhënat e 100 punëdhënësve më të mëdhenj për 2014-n (të fundit të disponueshme) tregojnë se dy sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune vitet e fundit janë fasoni dhe call center, të dy që kanë si avantazh shfrytëzimin e kostos së lirë të fuqisë punëtore, në raport me vendet e zhvilluara.

Call center është ende në periudhë lulëzimi dhe do të ruajë avantazhin krahasues të kostos së lirë të fuqisë punëtore dhe njohurisë së gjuhëve të huaja edhe për një kohë të gjatë. Ndërsa e ardhmja e sektorit fason mbetet e paqartë, teksa avantazhi i punës së lirë po zbehet për shkak të shtimit të barrës fiskale dhe rritjes së vazhdueshme të pagës minimale.

 

Top Channel, media që shpenzon më shumë për pagat e punonjësve

Top Channel renditet në listën e punëdhënësve të mëdhenj, si për fond të pagave, ashtu dhe numër të punësuarish. Paga mesatare e punonjësve të televizionit më të madh nga të ardhurat, në 2014-n ishte 100 mijë lekë (rreth 730 euro), me një numër total të punësuarish afër 600. Në total, Top Channel shpenzoi 5 milionë euro për pagat e punonjësve në 2014-n

Televizioni tjetër, TV Klan, deklaron në bilanc një fond pagash disa herë më të ulët, rreth 1 milion euro në bilancin e 2014-s.

Ndërsa televizioni tjetër, Vizion Plus, kishte një fond pagash prej rreth 430 mijë eurosh.

 

SH.A.-të e naftës, shumë xhiro, aspak punonjës

Ndërsa kompanitë e tregtimit me shumicë të naftës qarkullojnë shuma të mëdha parash dhe kryesojnë në renditjen e kompanive sipas qarkullimit vjetor, efekti i tyre në punësim është i papërfillshëm. Rreth 90-95% të shpenzimeve të tyre e përbën kosto e mallrave të shitura. Shpenzimet administrative zënë pjesën tjetër, ku ato për paga përbëjnë më pak se 1%.

 

Kompanitë që shpenzojnë më shumë për paga

Fondi i pagave për 200 kompanitë e marra në analizë ka shënuar një rritje me 7.5% me bazë vjetore për 2014-n.

Bankers Petroleum është sipërmarrja që ka fondin e pagave më të madh në vend, me rreth 27 milionë euro, por pjesa më e madhe e tij shkon për një grusht të huajsh.

I dyti është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me rreth 24 milionë euro, që është dhe punësuesi më i madh në vend, me rreth 5000 persona. OSHEE rezulton me një pagë mesatare prej 56 mijë lekësh në muaj (rreth 400 euro), ndërsa në 2014-n është një ndër kompanitë që ka pasur rritjen më të lartë të fondit të pagave në vend, me 13%.

Simmons Edeco Limited, Dega në Shqipëri, ka fondin e tretë më të madh të pagave në vend, me gati 18 milionë euro, por ka shumë më pak të punësuar se OSHEE, vetëm 613.

Më pas renditet Raiffeisen, me 17 milionë euro dhe mbi 1000 të punësuar.

Albpetrol ka fondin e pestë më të madh, me rreth 15 milionë euro për mbi 2 mijë të punësuar.

E gjashta është sërish një bankë, BKT, që me një fond prej 14 milionë eurosh, siguron punë për mbi 900 persona.

Vijojnë renditjen dy kompani call center, Albacall dhe Intercom Data Service, kanë kontribuar ndjeshëm vitet e fundit në zbutjen e papunësisë te të rinjtë, dhe në 2014-n i kishin fondet e pagave përkatësisht 11 dhe 10 milionë euro, duke siguruar punë në total për mbi 4 mijë persona.

Albtelecom përfshihet në renditjen e sipërmarrjeve me fond të lartë pagash, prej rreth 10.8 milionë euro, teksa ka rreth 1000 të punësuar.

Listën e shpenzuesve më të mëdhenj për paga e vijojnë Albcontrol dhe Phoenix Technology Services Albania, me përkatësisht 8.8 dhe 8.3 milionë euro, dy kompani “luksi”, që kanë relativisht pak të punësuar me paga të larta.

Vodafone dhe Telecom Albania kanë fonde pagash rreth 5 milionë euro, secili, sipas deklarimeve në bilanc.

 

Qendra e Kërkimeve Monitor

Qendra e Kërkimeve Monitor është një njësi kërkimi e revistës “Monitor”, me një staf të specializuar që bën analizimin dhe përpunimin e të dhënave të ndryshme të bilanceve të kompanive, biznesit dhe ekonomisë.

 

Sa paguhen CEO-t shqiptarë sipas sektorëve

Nga bankat dhe telekomunikacionet, që deri pak vite më parë ishin më të paguarat, vendin e parë e kanë zënë nafta, gazi dhe energjia (hidrocentralet e mëdha). “Kompanitë e mëdha të naftës ofrojnë një lloj standardi në mënyrën se si i kompensojnë ekzekutivët”, thotë Pranvera Papamihali, menaxhere për Shqipërinë në kompaninë e kërkimit të ekzekutivëve, Pedersen & Partners.

Bankers Petroleum, Shell janë dy sipërmarrjet kryesore në këtë fushë. Pagesat për ekzekutivët me kombësi shqiptare, përfshirë bonuset, variojnë në këtë sektor në 6000-7000 euro në muaj. Edhe gazsjellësi TAP, një hyrje e re së fundmi, ofron pagesa të larta.

Bankat kanë qenë historikisht të paguara, por vitet e fundit ky sektor nuk ka shënuar rritje të pagave, sipas Papamihalit, për shkak të mjedisit relativisht të dobët. Nuk ka ndryshime të ekzekutivëve dhe as blerje të jashtme, elemente këto që do t’i jepnin më shumë vlerë të punësuarve në pozicione drejtuese në këtë segment.

Pagesat e drejtuesve në sistemin bankar variojnë në 6000-7000 euro në muaj, duke përfshirë bonuset (pa bonuset niveli zbret në rreth 5000 euro në muaj). Bëhet gjithnjë fjalë për drejtuesit me kombësi shqiptare në pozicione zëvendësdrejtorësh (përgjithësisht në banka drejtuesit janë të huaj).

Pagesat në nivelet drejtuese në telekomunikacione luhaten në nivele të ngjashme me bankat, 5000-7000 euro në muaj (personel shqiptar si chief officier, marketing etj.), teksa nuk kanë shënuar ndonjë rritje të dukshme vitet e fundit.

Zyrat e huaja të farmaceutikës janë një tjetër sektor i mirëpaguar, thotë znj. Papamihali, që i paguajnë drejtuesit shqiptarë në 4000 euro në muaj. Pagat e distributorëve lokalë në këtë segment nuk janë në nivelet e përfaqësive të huaja.

Kompanitë ndërkombëtare i paguajnë ekzekutivët në nivele më të larta krahasuar me ato lokale. Gjithashtu, sistemi i tyre i bonusit dhe benefiteve është i përcaktuar në mënyrë shumë më transparente dhe logjike se në kompanitë lokale.

Gjithashtu, ekziston një ndryshim i madh ndërmjet pagave të ekzekutivëve të lartë që punojnë në Tiranë dhe atyre në qytete të tjera të Shqipërisë, të cilët paguhen në nivele shumë më të ulëta. Pagat e ekzekutivëve të lartë në Shqipëri nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim madhor gjatë dy-tre viteve të fundit, veçanërisht si pasojë e vështirësive ekonomike, të cilat i kanë detyruar kompanitë të ruajnë të njëjtat nivele page, e disa të tjera të mbyllin aktivitetin, shkurtojnë numrin e stafit, apo të ulin nivelin e pagave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button