Kosova

Komuna e Prishtinës arrin në finalen e “Albanian ICT Awards”

Me projektin dixhital të shërbimeve publike, i njohur si E-kioska, Komuna e Prishtinës po merr pjesë në edicionin e katërt të “Albanian ICT Award” në Tiranë. Veç kësaj, me këtë produkt, Prishtina është përzgjedhur në mesin e tre kandidatëve final në kategorinë “Shërbimi Publik i Vitit”. Në ceremoninë e cila po mbahet në Tiranë, sonte do të ndahen shpërblimet për shtatë kategori. Komuna e Prishtinës po pret që të dalë e para në kategorinë e shërbimeve publike.

Komuna e Prishtinës është e para në Ballkan që ofroi një shërbim të tillë dixhital për qytetarët, të cilët tashmë prej një viti kanë mundësi të vetëshërbehen në mënyrë që të nxjerrin ekstraktin e lindjes dhe dokumente të tjera vetëm për disa minuta.

Drejtori i Administratës, Muhedin Nushi i cili po merr pjesë në ceremoni tregoi për përzgjedhjen që i është bërë Prishtinës në “Albanian ITC Awards”. Ai tha se pret që Prishtina të marrë vendin e parë.

Kjo teknologji e ofruar nga Komuna e Prishtinës që u ofron qytetarëve nxjerrjen e dokumenteve nga zyra e gjendjes civile, pa pasur nevojë të shkojnë në sportel, është mirëpritur nga juria e kësaj ceremonie dhe komunat e tjera pjesëmarrëse. Nushi tha se përmes kësaj teknologjie janë nxjerr mijëra dokumente për më pak se një vit.

Në këtë natë finale të “Albanian ITC Awards”, finalistët janë përzgjedhur nga komisioni ndërkombëtar i ceremonisë. Në garë është paraqitur një numër i madh aplikacionesh. Juria përbëhet nga një numër i madh i anëtarëve që janë përfaqësues të ministrive, kompanive vendore e të jashtme.

Produkti i shërbimeve publike E-kioska, është lansuar më 11 qershor të 2015-ës. Nga ky sistem automatik i mundësuar nga Komuna e Prishtinës, ofrohen gjithsej pesë lloje të dokumenteve, ai i ekstraktit të lindjes, certifikata e martesës, certifikata e shtetësisë dhe vendbanimit në gjuhën shqipe, në serbisht dhe anglisht.

Këto dokumente mbulojnë 85 për qind të kërkesave të përgjithshme të qytetarëve në Komunën e Prishtinës. Sistemi funksionon 24 orë dhe është plotësisht i dixhhitalizuar dhe për 30 sekonda mund të merret dokumenti i kërkuar.

Vlerësimin final për këtë produkt, si konkurrues në Albanian ICT Awards, pritet ta jepet sonte gjatë ceremonisë së natës finale e cila aktualisht është duke u mbajtur në Tiranë. Në ceremoni po marrin pjesë kryetarë të komunave të ndryshme të vendeve të Ballkanit, dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme vendore e të huaja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button