Konferenca BE-Ballkani Perëndimor, ambasadorja De Sousa: Investimet në rajon forcojnë konkurrueshmërinë dhe prosperitetin e Evropës
Investimet në Ballkanin Perëndimor janë thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe prosperitetit të Evropës. Kështu u shpreh ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, gjatë ditës së dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor.
Në fjalën e saj, ambasadorja theksoi se Evropa ndodhet në një moment përcaktues, përballë sfidave të konkurrueshmërisë dhe pasigurive gjeopolitike, të cilat kërkojnë zgjedhje të rëndësishme për të ardhmen ekonomike të kontinentit.
Sipas saj, kjo e ardhme është e lidhur ngushtë edhe me zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, ku investimet përbëjnë një mundësi për të forcuar ekonominë dhe pozicionin konkurrues të Evropës.
“Ne takohemi në një moment përcaktues për Evropën, kur konkurrueshmëria po vihet në provë dhe pasiguria gjeopolitike po riformësohet. Evropa duhet të bëjë zgjedhje themelore për të ardhmen e saj ekonomike. Kjo lidhet edhe me Ballkanin Perëndimor. Të investosh në rajon do të thotë të investosh në konkurrueshmërinë e Evropës, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e saj. Ky është mesazhi i kësaj konference”, tha ajo.
Ajo vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e diversifikimit të kanaleve të furnizimit dhe sigurimit të aksesit në energji më të pastër dhe më të lirë. Ambasadorja nënvizoi se Ballkani Perëndimor ka potencialin të krijojë mundësi të reja për investime, duke kontribuar në zhvillimin e tregjeve më konkurruese dhe më të qëndrueshme në të gjithë Evropën.
“Zgjerimi dhe konkurrueshmëria janë një agjendë e përbashkët evropiane për të krijuar një Evropë më të fortë dhe më të pasur. Duhet të diversifikojmë kanalet tona të furnizimit dhe të kemi akses në energji më të pastër dhe më të lirë. Rajoni mund të krijojë mundësi të reja investimi, të kontribuojë në ndërtimin e një Evrope më konkurruese dhe të krijojë tregje më konkurruese dhe më të qëndrueshme”, u shpreh ambasadorja.
Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisë mundësi të reja investimi mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.