Konferenca e ENTSO-E, Gjiknuri: Brenda 2017-s Shqipëria me bursë energjie
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri mori pjesë në Konferencën Rajonale për Europën Juglindore të Rrjetit Europian të Energjisë (ENTSO-E), e cila u mbajt në datat 2-3 Nëntor në Selanik.
Në konferencë u diskutua lidhur me forcimin e bashkëpunimit në nivel rajonal, për zhvillimin e tregut të energjisë elektrike, kordinimin e planifikimit dhe operimit të sistemit të transmetimit në Europën Juglindore.
Gjatë fjalës së tij në njërin prej paneleve, ministri Gjiknuri u ndal tek sfidat e mundësitë për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike. Ai prezantoi gjithashtu zhvillimet më të fundit në tregun e energjisë elektrike në Shqipëri dhe hapat që ka ndërmarrë qeveria për ngritjen e Bursës Shqiptare të Energjisë.
“Ne jemi të vendosur të ecim përpara në këtë proces, me një plan shumë ambicioz, që brenda vitit 2017 të ngrejmë Bursën e Energjisë dhe të shtrijmë bashkëpunimin edhe me vendet fqinje, për tu bërë pjesë e tregut të energjisë të Europës Juglindore”, u shpreh Gjiknuri.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit të tij u përqëndrua tek problematika e hasur në rastin e linjës së interkonjeksiont mes Shqipërisë e Kosovës dhe pasojat nga mosvënia e saj në punë.
“Nuk mund të kemi bashkëpunim rajonal pa një vullnet të qartë politik të të gjithë vendeve. Asnjë vend nuk duhet që të bëhet pengesë për arsye thjesht politike, të pengojë vënien në punë të investimeve të tilla të rëndësishme me fonde të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve ndërkombëtare financiare. Në këtë mënyrë, do të humbasim besimin e investitorëve, duke humbur kështu mundësinë për kryerjen e investimeve në infrastrukturën energjitike, aq të rëndësishme për vendet tona e për gjithë rajonin. Pa këtë infrastrukturë i gjithë ky bashkëpunim për integrimin e tregjeve të energjisë do të ishte i pamundur”, nënvizoi Gjiknuri.
Gjatë punimeve të Konferencës, foli dhe administratori i Operatorit të Transmetimit Engjell Zeqo i cili diskutoi mbi zhvillimin e sistemit të transmetimit për rritjen e sigurisë së operimit në Europën Juglindore.