Konferenca e Kryetarëve/ Opozita: Tërhiquni nga ndarja territoriale, nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme
Reforma territoriale ka qenë në fokus të diskutimeve në Konferencën e Kryetarëve. Deputetet demokrate Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa kanë kërkuar nga mazhoranca të tërhiqet nga nismat e njëanshme dhe të garantojë konsensusin me opozitën. Tabaku ka akuzuar mazhorancën se nuk po e trajton seriozisht procesin e integrimit europian, duke kërkuar që Kuvendi të përcaktojë qartë prioritetet dhe listën e ligjeve që lidhen me integrimin.
“Po nisni një sesion ku nuk përcaktohen ligjet për integrimin. A ju duket sikur jeni një kuvend që po punon për integrimin? Po jua them këtu një kërkesë të bërë para një viti: ndajeni me opozitën listën e ligjeve të integrimit. Integrimi do të duhet të jetë një proces transparent. Nuk mund ta trajtoni Kuvendin si pronë. Pastaj na thoni neve se nuk punojmë për integrimin? Ju nuk jeni serioz dhe këtë proces po e trajtoni si të tillë. Kam edhe një thirrje tjetër: hiqni dorë nga kalimi i nismave të rëndësishme në mënyrë të njëanshme. Nuk mund të ketë reformë territoriale të njëanshme, nuk mund të ketë reformë zgjedhore të njëanshme ndryshe ky kuvend nuk mund të quhet kuvend i shqiptarëve”, deklaroi Tabaku, duke kërkuar që nismat e rëndësishme të diskutohen në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Edhe deputetja Ina Zhupa ka kundërshtuar draftin e reformës territoriale, duke pretenduar se ai është përgatitur paraprakisht dhe se nuk respekton interesin e qytetarëve dhe standardet e qeverisjes së mirë. Sipas Zhupës, reforma e vitit 2014 solli pasoja negative për pushtetin vendor, duke e larguar atë nga qytetarët.
“Me një plan të parapërgatitur, ju e keni dështuar reformën territoriale. E keni thënë një vit më parë dhe tashmë e keni gati draftin. Bëtë show dhe sollët një draft që bie ndesh me çdo normë, me interesin e qytetarëve, me standardet ndërkombëtare dhe me çdo parim të qeverisjes së mirë.
Shkelmuat çdo parim. Një reformë territoriale, që të jetë e suksesshme, kërkon konsensus dhe gjithëpërfshirje. Ju e bëtë këtë edhe në vitin 2014 dhe unë e di shumë mirë se çfarë pasojash solli. Gjithçka që sollët ishte rrënim. Shkatërruat pushtetin vendor dhe e larguat atë nga qytetarët. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Mjaft me show-n e dëgjesave të njëanshme. Keni kaluar çdo normalitet demokratik”, u shpreh Zhupa.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.