Politika

Konferenca e plotë për shtyp që Nuland mbajti sot në darkë në Tiranë

Mirëmbrëma të gjithëve. Është e mrekullueshme të kthehem në Tiranë në mes të kësaj vere. Do tregohem e shpejtë sepse është nata e finales së europianit dhe e di që të gjithë doni të shkoni para televizorëve. Kjo është vizita ime e katërt nga koha kur u bëra Ndihmës-Sekretare.

Sigurisht kam qenë këtu disa dhjetëra herë gjatë karrierës sime. Shtetet e Bashkuara kanë qenë jashtëzakonisht krenare të jenë partnere dhe aleate e Shqipërisë këto thuajse 20 vite që keni qenë në një trajektore demokratike gjatë administratave të ndryshme në SHBA. Shqipëria ka një vend të veçantë në zemrën time sepse kam qenë Ambasadore e SHBA në NATO kur Shqipëria u pranua në Aleancë ndaj mund të them se kam punuar me ju për një kohë të gjatë. Mendoj se është e drejtë të thuhet se ky është një tjetër moment përcaktues për demokracinë shqiptare.  Reforma në drejtësi për të cilën po punon parlamenti dhe për të cilën po punojnë negociatorët e qeverisë e opozitës, ka rëndësi jetike për shëndetin dhe forcën demokratike të këtij vendi. Ajo do të japë një kontribut thelbësor për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë dhe për t’u siguruar që Shqipëria të ketë një sistem drejtësie që vërtet punon për popullin e këtij vendi. Dhe, siç e dini, 91% e shqiptarëve e kërkojnë reformën në drejtësi tani. Ajo është edhe një hap thelbësor që Shqipëria të jetë në gjendje të ndërmarrë hapin tjetër në negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian dhe rrugën drejt BE-së. Negociatorët e të dy palëve kanë punuar shumë fort dhe drafti është shumë pranë përfundimit. Shtetet e Bashkuara, së bashku me Bashkimin Europian, kanë qenë shumë krenare që janë përpjekur të lehtësojnë  procesin, të ndihmojnë negociatat dhe jemi shumë krenarë për punën që Donald Lu dhe Ambasada kanë bërë. Nëpërpjekje për t’i ndihmuar palët ta mbyllin hendekun e fundit, Ambasadori Lu dhe homologia e tij në BE, në 24 orët e fundit, kanë paraqitur një propozim që përpiqet të kapërcejë dallimet mes palëve. Është një propozim hibrid, i cili merr elementë nga idetë e qeverisë dhe elementë nga idetë e opozitës dhe është plotësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ky propozim ka mbështetjen time dhe më e rëendësishme ka mbështetjen e gjerë të Uashingtonit dhe udhëheqësve tanë. E rishikova sot në hollësi në takimin me Kryeministrin dhe në takimin me udhëheqësin e opozitës. I nxita të dy ata, në emër të Uashingtonit dhe të kolegëve tanë në BE, që të përpiqen të bashkohen rreth këtij propozimi në ditët që vijnë sepse është koha për të arritur një marrëveshje – populli shqiptar po pret. Është një çast që të gjithë patriotët e Shqipërisë të bashkojnë forcat dhe të t’i japin popullit të këtij vendi atë që meritojnë.  Dhe, me një reformë të fortë drejtësie, Shqipëria mund të ecë përpara me të tjera gjëra që janë po ashtu të rëndësishme për qytetarët tuaj dhe të rëndësishme në marrëdhënien tonë, përfshi forcimin e ekonomisë, krijimin e vendeve të punës, sjellja e investimeve. Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë krenare të qëndrojnë përkrah aleates sonë Shqipërisë teksa vazhdoni të forconi demokracinë tuaj dhe rrugën tuaj drejt Europës dhe drejt begatisë. Faleminderit të gjithëve. Me kënaqësi do t’iu përgjigjem disa pyetjeve.

 VOA: Znj. Nuland, derisa të shohim arritjen e këtij kompromisi, kemi të drejtë të jemi skeptik. Pyetja ime është, në rast se ky kompromis i shumëpritur nuk arrihet, sipas jush, cili duhet të jetë hapi i radhës, duke patur parasysh që parlamenti duhet ta votojë këtë reformë pas 10 ditësh?

N/S Nuland: Keni të drejtë. Koha është e shkurtër, dhe për këtë arsye po i nxisim të gjithë që të punojnë shumë fort dhe jemi duke bërë më të mirën tonë duke u përpjekur të bëjmë bashkë idetë më të mira nga të dyja palët. Unë jam amerikane dhe jam optimiste nga natyra, sigurisht. Dhe, siç e dini, unë punoj për Presidentin “Po, Ne Mundemi!” Kështu që, sërish, i themi të gjithë patriotëve shqiptarë, dhe në veçanti politikanëve, “Ju i shërbeni njerëzve; le të mbërrijmë tek “Po, Ne Mundemi!”

Top Channel: A e dëgjuat ju nga Lulzim Basha dhe Edi Rama [përgjigjen] “Po, Ne Mundemi” dhe “Po, Do ta Bëjmë?”

N/S Nuland: Me sinqeritet mund të them se në të dyja takimet e mia me kryeministrin dhe me liderin e opozitës të dy ata shprehën dëshirën për të arritur një marrëveshje, për të qënë së bashku dhe për të paraqitur një reformë drejtësie solide. Nuk është sekret për të gjithë ju që politika në këtë vend është e ashpër, por unë ndjeva që ata të dy e dinë se është momenti për lidership.

Klan TV: Znj. Nuland, a mund të na jepni hollësi më konkrete të propozimit dhe gjithashtu për procesin ndërkombëtar të monitorimit. Cili do të jetë roli i tij?

N/S Nuland: Mendoj se është e rëndësishme të lejohen nogociatorët të kenë pak hapësirë që ta shqyrtojnë atë. Do të përsëris vetëm atë që thashë në fillim, se ky është një propozim hibrid që merr idetë që kemi dëgjuar nga të dyja, si nga qeveria dhe nda opozita, dhe mundohet të mbyllë hendekun. Bazohet në dëgjimin shumë të mirë, aktiv, që kanë bërë Ambasadori Lu dhe kolegja e tij e BE-së dhe tenton të kombinojë një nivel të përshtatshëm monitorimi me një mbrojtje të fortë të sovranitetit të Shqipërisë.

Ju falënderoj të gjithëve. Paçi një mbrëmje të këndshme.  Ju kërkoj ndjesë që ju shqetësova në një ditë të dielë. Sërish, jemi shumë shpresëplotë se ne ditët në vijim, shqiptarët do të mund bëhen bashkë dhe do të ecin përpara në këtë drejtim. Faleminderit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button