Ministrja Kodheli në Poloni për stërvitjen “Anakonda 14″( Foto )
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ndodhet në Poloni në një vizitë zyrtare dyditore me ftesë të zv.kryeministrit njëherësh ministër i Mbrojtjes i Polonisë, Tomasz Siemoniak. Vizita po bëhet në kuadër të një turi takimesh që ministrja Kodheli po bën në kufijtë lindore të Aleancës.
Gjatë kësaj vizite, Kodheli u prit në një takim nga ministri i Mbrojtjes së Polonisë, Tomasz Siemoniak. Ministrja Kodheli falenderoi homologun e saj Siemoniak për mbështetjen e Polonisë në integrimin e Shqipërisë në NATO dhe aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kodheli vlerësoi gjithashtu ndihmën e dhënë dhe njohjen nga Polonia të shtetit të ri të Kosovës, si dhe për integrimin e rajonit të Ballkanit.
Në këtë kontekst, ministri polak i Mbrojtjes, Tomasz Siemoniak, vlerësoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. Të dy ministrat shprehën nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve midis Forcave të Armatosura të të dy vendeve tona në fushen e edukimit, stërvitjeve dhe bashkëpunimit me forcat speciale. Ata u ndalën gjithashtu edhe tek diskutimi i zhvillimeve të fundit gjeopolitike, si kriza në Ukrainë, zhvillimet në Irak e Siri dhe misioni Post Isaf në Afganistan.
Të dy ministrat e Mbrojtjes ranë dakort për nënshkrimin e një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes. Ministri polak Tomasz Siemoniak pranoi me kënaqësi ftesën e bërë nga ministrja e Mbrojtjes Kodheli për të vizituar Tiranën. Takimi i fundit në nivel ministrash mbrojtjeje mes dy vendeve daton në vitin 2003.
Gjatë qëndrimit të saj në Varshavë, ministrja Kodheli vuri një kurorë tek Monumenti i Ushtarit të Panjohur në nderim të të rënëve. Ndërsa në ditën e parë të vizitës, Kodheli ndoqi nga afër stërvitjen “Anakonda 14”, ku ishin të angazhuara 12 500 trupa nga shumë shtete aleate.
Ministria e Mbrojtjes Kodheli takoi edhe presidentin e Republikës së Polonisë, Bronisław Komorowski, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Polonisë, gjeneral lejtnant Mieczysław Gocuł, si dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës Çeke, gjeneral Petr Pavel.