Europa

Kongresi i Vjenës i 18 shtatorit 1814

Pas luftërave çlirimtare kundër hegjemonisë franceze në Kongresin e Vjenës rikthehet Evropa e kohës para revolucionit francez të vitit 1789.

Më shumë se 200 të dërguar të shteteve evropiane kishin udhëtuar në metropolin austriak për të mbajtuar nga 18 shtatori 1814 deri në 8 qershor 1815 konsultime për rendin e ri të kontinentit. Ky rend i ri në thelb përbëhej nga rivendosja e monarkive të vjetra evropiane, të cilat gjatë kohës së pushtimit francez nuk kishin pasur vetëm humbje territoresh por edhe të një pjese të influencës së tyre. Restaurimi i Evropës së vjetër ishte në të njëjtën kohë edhe një refuzim i të gjithë objektivave revolucionarë të revolucionit francez dhe forcave nacionaliste në shumë vende evropiane që angazhoheshin për krijimin e shteteve kombëtare.

Kongresi kërcen

Vjena si qyteti mikpritës ishte pregatitur më së miri për kongresin dhe kishte organizuar një ofertë që ndryshonte çdo ditë me ballo dhe evente shoqërore. Zbavitjet e mbrëmjeve me vallëzime që pasonin njëra tjetrën e patën frymëzuar pak para vdekjes diplomatin francez Charles Joseph, Kont i Ligne-s (1735 – 1814) të krijonte termin “kongresi që kërcen” në një letër për ministrin e Jashtëm francez Charles Maurice de Talleyrand (1754 – 1838): “Kongresi kërcen por nuk ecën përpara. Dhe nuk del asgjë prej tij veç djersës së këtyre zotërinjve që kërcejnë.”

Por zotërinjë nuk merreshin vetëm me kërcim. Pasi në anën tjetër merreshin vendime që ishin me rëndësi të madhe për historinë evropiane.

Restaurimi

Evropa pas Kongresit të Vjenës
Evropa pas Kongresit të Vjenës

 

Në Evropë do të rivendosej ekuilibri mes pesë fuqive të mëdha, Francës, Anglisë, Prusisë, Rusisë dhe Austrisë (Pentarkia). Franca duhej të rikthente vërtet territoret e aneksuara gjatë sundimit të Napoleonit por megjithatë ishte fitimtarja e kongresit të Vjenës. Në fund të fundit ishte Franca ajo që me përpjekjet hegjemoniste të Perandorit Napoleon i II-të shkaktoi ndryshimin me themel të Evropës. Por tani delegacioni francez ulej në tryezën e negociatave në Vjenë!

Charles Maurice de Talleyrand Perigord 1754 - 1839
Charles Maurice de Talleyrand Perigord 1754 – 1839

 

Ndërkohë që Francës i duhej të hiqte dorë nga territore, fuqitë e tjera të mëdha fituan territore; po ashtu edhe disa shtete më të vogla (Suedia, Holanda e Bashkuar). Polonia, e cila pas “ndarjeve polake” të viteve 1772, 1793 dhe 1795 ekzistonte vetëm si dukati i vogël i Varshavës, u etablua përsëri në hartën evropiane si “Polonia e kongresit”. Veç kësaj u njoh ndërkombëtarisht neutraliteti i Zvicrës.

“Konfederata gjermane”

Në qendër të kontinentit u shpërbë “Lidhja e Rinit” e krijuar nga Napoleoni dhe u zëvendësua nga “Konfederata gjermane”. Në këtë lidhje bënin pjesë 35 principata dhe katër qytete shtet. Por edhe Austria dhe Prusia u bënë anëtarë megjithëse pjesë të tyre shtriheshin jashtë territorit të “Konfederatës gjermane”. Të dyja kishin qenë pjesë e “Perandorisë së Shenjtë Romake të Kombit Gjerman” deri në shpërbërjen e saj dhe për këtë arsye ngrinin pretendime në Gjermani. Instanca më e lartë ishte Bundestagu, i cili mblidhej në Frankfurt nën kryesinë e Austrisë.

Ngritja e “Konfederatës gjermane” ishte një nga vendimet më të rëndësishme të kongresit. Por gabimi në lindje nuk mund të injorohet. Nga një anë fuqitë e mëdha evropiane donin që shtetet e veçanta gjermane të mbeteshin të pavarur dhe nga ana tjetër i kufizonin me një lidhje federative dhe i lidhnin me interesat e tyre gjeostrategjike përmes pjesëmarrjes së Austrisë dhe Prusisë. Përfaqësuesit e shteteve gjermane nuk merrnin pjesë në negociata dhe interesave të tyre thuajse nuk iu kushtua fare rëndësi.

Dokumenti i ratifikimit

“Çështja gjermane” u vendos me Kongresin e Vjenës sërish nën një kushtëzim evropian pasi çdo ndryshim i status quo-së ishte i varur nga e ashtuquajtura “Aleancë e shenjtë” në të cilën bënin pjesë Prusia, Austria dhe Rusia. Këto tri monarki kujdeseshin që rendi i ri i paqes në Evropë i vendosur në Vjenë të respektohej. Ishte përpjekja e dytë e shteteve evropiane pas vitit 1648 (“Paqja e Vestfalisë”) për t’u marrë me gjithë kontinentin dhe për të vendosur një rend të përbashkët paqeje.

Por kjo “konferencë për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë” dështoi gjithashtu pasi lëvizjet kombëtare dhe më vonë edhe demokratike nuk pranonin t’i nënshtroheshin asnjë forme qeverisjeje absolutiste apo edhe të krishterë-patriarke.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button