Tiranë 20°C · Pjesërisht vranët 11 April 2026
S&P 500 6,817 ▼0.11%
DOW 47,917 ▼0.56%
NASDAQ 22,903 ▲0.35%
NAFTA 96.57 ▼1.33%
ARI 4,787 ▼0.64%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1719 EUR/GBP 0.8714 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4167 EUR/TRY 52.3192 EUR/JPY 186.62 EUR/CAD 1.6210 EUR/USD 1.1719 EUR/GBP 0.8714 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4167 EUR/TRY 52.3192 EUR/JPY 186.62 EUR/CAD 1.6210
₿ CRYPTO
BTC $72,800 ▲ +1.35% ETH $2,240 ▲ +2.04% XRP $1.3471 ▲ +0.58% SOL $84.0700 ▲ +1.08%
S&P 500 6,817 ▼0.11 % DOW 47,917 ▼0.56 % NASDAQ 22,903 ▲0.35 % NAFTA 96.57 ▼1.33 % ARI 4,787 ▼0.64 % S&P 500 6,817 ▼0.11 % DOW 47,917 ▼0.56 % NASDAQ 22,903 ▲0.35 % NAFTA 96.57 ▼1.33 % ARI 4,787 ▼0.64 %
EUR/USD 1.1719 EUR/GBP 0.8714 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4167 EUR/TRY 52.3192 EUR/JPY 186.62 EUR/CAD 1.6210 EUR/USD 1.1719 EUR/GBP 0.8714 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 95.8543 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4167 EUR/TRY 52.3192 EUR/JPY 186.62 EUR/CAD 1.6210
11 Apr 2026
Breaking
Libri

Konica, ndjesitë për zonjushën Durham!

Në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Edith Durham/Shënimet e Faik Konicës, për anglezen që e frymëzoi të shkruante librin “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore…”

Nga Alda Bardhyli 

DurhamEdith1.young (2) (2)Në ishte një zonjë, me të cilën Faik Konica do donte të pinte një çaj në Londrën që qullej nga shiu i pasditeve, është Edith Durham. Kur në vitin 1909 ai la Londrën për të udhëtuar drejt SHBA-së, zonjusha angleze endej diku nëpër Shqipëri, dhe sapo kishte përfunduar një prej librave të saj më të njohur “Shqipëria e Epërme”. Shumë herë me miq të tij anglezë, ai ishte përpjekur të kuptonte më shumë për të. Ç’mund ta shtynte një vajzë të re nga ky vend, të linte gjithçka dhe t’i përkushtohej një çështjeje, e cila kishte mbetur gjithnjë mbi fletët e tryezave europiane, pa mundur të gjente zgjidhje. Se si papritur jeta e një gruaje mund të shndërrohej në një tjetër jetë, dhe me një guxim që shpesh nuk e kishin burrat e këtyre viseve, ajo u shkruante autoriteteve më të larta ku kërkonte zgjidhje për çështjet shqiptare, për një vend që kishte hyrë tek ajo, si një dashuri. 20 vitet e saj nëpër Ballkan, janë guida më e mirë jo vetëm për të parë Ballkanin e së shkuarës, por dhe për të ardhmen. Por Konica do të tërhiqej prej zonjushës Durham më shumë prej shkrimeve të saj. Stili dhe mënyra e të treguarit, do ta bënin atë të hulumtonte më tepër mbi këtë angleze që kishte grishur një pasion të hershëm të tij, shkrimin. Nga zyrat e revistës “Dielli” në SHBA, ai do të ndiqte nga larg rrugëtimin e kësaj udhëtareje aspak të zakonshme, e cila po e bënte Shqipërinë aq të bukur në shënime. “Ajo udhëtonte për gaz, jo për punë”, shkruante Konica. Për eseistin e shqipes, eleganca e kësaj gruaje, po luante një rol të rëndësishëm në imazhin e vendit të tij. Në vitin 1905 ai ishte ulur të shkruante një shkrim mbi zonjën ingleze, siç e quante, duke i parë udhëtimet e saj si një vërtetësi me dritë për atë çfarë ndodhte në vend. “Miss Durham-i s’është nga ata udhëtarë qi flasin për punët e Shqipëriës pa pasur vënë këmbë në vënt t’onë. Shkruan ç’pa, dhe ç’pa e paska parë mirë”, shkruante Konica. Atij i bën përshtypje mënyra sesi ajo përshkruan mundimin për arsimimin në Elbasan. “Po le t’a lëmë mutesarifin, e le të shohim përshtypjen q’i bënë vëndësit Miss Durham-it. Mundimi i Elbasanit për mësim është shumë pathetik. Munt të gjeni veta qi përpiqen trimërisht, pa ndihmë, me gramatika frëngjishte a edhe gjermanishte. Kur kujtohet njeriu se as një libër nukë munt të hyjë në Turqië përveç mfshehtazi… edhe se me parë se të ligjirojnë një libër këta veta (Shqipëtarët, duhet të mësojnë një gjuhë të huaj, numëri i vëndësve të mësuar e të ritur mirë ësht i çuditëshm.  Faik KonicaPo, shkruan auktoresha, Elbasani nukë flet vetëm. Ësht i vetëmi vënt ku nukë më thanë se udhët do të bëhen motin qi vjen. Udha e Ohrit ësht e nisur, dhe me aqë sulm sa thosha me vete t’ime vallë a do të mbahet ay sulm gjer në mbarim. Elbasani kërkon udhëra edhe për Durës e për Berat, dhe dëshëron të shtojë tregëriën e vëndit. Ka që tani një fabrikë të sapunit qi bën një sapun shumë të mirë të shitur në rethe… Elbasani ëndëron një kohë për t’ardhur të madhe, dhe qëntri ku ndodhet do t’a bënte çuditërisht të mirë për kryeqytet të vëndit”, shkruan Konica për shënimet e Durham. Ai ndihet mirë teksa lexon përshkrimin që i bën Durham Tiranës së atyre viteve. “Tirana, me ‘një pazar shumë të hieshm”, e paqme, me shtëpië të rethuara me kopshte të bukur, i pëlqeu Miss Durham-it në një mënyrë të veçantë. Lëvdon mjeshtëreshën e shkollës, e cila ësht “e shquar dhe e mëntshur si të gjithë Shqipëtarët mjeshtëresha shkolle me të cilat u poqa”, shkruan Konica. Në Krujë, Zonja Durham do të ndihej mirë. Por për Konicën, ajo çfarë i bën shënimet e saj historike nuk janë vetëm tablotë e qyteteve dhe takimet me njerëzit, por dhe mënyra sesi e shpjegon politikën. “Miss Edith Durham-i dëfton marësiën e kësaj politike; thotë me arësye se Shqipëtarët duhet të kenë vënt të marin frymë: pse të vesh përsëri krahë për krahë njerës qi u ndanë se s’rojtin dot bashkë? Bullgarët e ikur do të jenë më të lumtur duke marë të holla për shpërblim të dheut që humpnë e duke mbetur në Bullgarië. Punë ësht ajo t’i sjellësh prapë me pahir në një vënt ku s’duan të rojnë? As që shkojnë gënjeshtrat me auktoreshën e nderuar. Vë ‘re me arësye se n’anë të liqeneve, të vetë-thënët “Bullgarë” s’ngjasin fare me Bullgarët e zakonëshm. Sa të humbur janë këta, aqë të squar janë ata: fytyra e tyre është më shqipëtare se bullgare, dhe, thotë Miss Durham-i, trazimi me gjakun shqipëtar nukë mohohet dot. Tregon historiën për të vënë ‘re të një “atdhetari bullgar”, i cili s’fliste përveç bullgarisht në gjak të ftoht’ e sipër, po… kur dehej, ia mbushte këngës shqip. Në të tjera fjalë ky njeri ish aqë Bullgar sa ata qi lozin në theatro janë Hindas, Arapë etj., pas Londrës”, shkruan Konica. I ndjeshëm ndaj çdo çështjeje që lidhej me vendin e tij, Shqipërinë, Konica do të ndiqte me vëmendje gjithë aventurën e bukur të kësaj gruaje në viset shqiptare. Kur më vitin 1935 nisi të shkruante librin e vetëm të tij, “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore” ai solli në mendje shkrimin e Edith. Është interesante të shohësh se kjo angleze qe frymëzim për Konicën. Në faqet e para të dorëshkrimit që u gjetën disa vite pas vdekjes së tij në zyrat e shoqatës “Vatra”, ku përfundoi dhe biblioteka dhe arkivi i tij, Konica kishte shënuar me shkrim dore që këtë libër ia kushtonte zonjës Durham. Duke ndjekur shembullin e shënimeve të saj, ai donte të jepte një imazh tjetër të Shqipërisë, duke iu referuar dhe librave që ajo i kishte shkruar ashtu thjesht me pasionin e një udhëtimi, pa e ditur që po kontribuonte në njohjen dhe dinjitetin e një vendi. “Meri Edith Durhamit, mikes për jetë të popullit shqiptar, studiueses së hollë të zakoneve dhe historisë së tij, asaj që ka ndihmuar për rilindjen e tij kombëtare. Ky libër i kushtohet asaj, si dëshmi modeste admirimi dhe mirënjohjeje…”, shkruan Konica në anglisht, në faqen e parë të librit që do të vinte shumë vonë në shqip. E nëse lexon librin e Konicës, ndien se shija që Durham ka marrë në çdo udhëtim të saj nëpër viset shqiptare, është e pranishme. Ai i ka besuar shijes dhe gjykimit të saj, si fotografia më e mirë që mund të merrje nga Shqipëria e atyre viteve.

Ballkani i Merit… 

…Pas Luftës Ballkanike, Turqia Europiane u copëtua dhe Fuqitë e Mëdha nuk mundën ta injoronin ekzistencën e kombit më të vjetër të Gadishullit. Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e hapësirës tokësore natyrore që i përkiste.

(pjesë nga shënimet e Konicës)

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.