Konjufca në OKB: Sulmi në Banjskë ishte terrorist, raporti i UNMIK-ut pasqyron propagandën serbe
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka kritikuar raportin e UNMIK-ut për zhvillimet në Kosovë, duke e cilësuar atë si selektiv dhe duke pretenduar se një pjesë e rasteve të përfshira mbështeten në propagandën serbe.
Gjatë fjalimit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku po diskutohet për situatën në Kosovë, Konjufca ka vlerësuar se vendi ka shënuar përparim në demokraci, luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Ai ka përmendur zgjedhjet parlamentare të qershorit, konsolidimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit, duke thënë se proceset e fundit kanë dëshmuar qëndrueshmërinë e sistemit demokratik të Kosovës.
“Unë pranoj raportin e Përfaqësuesit Special, i cili përsëri ofron një pasqyrë selektive të zhvillimeve kryesore politike në Kosovë, ndërkohë që lë pas dore të tjera të rëndësishme”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka theksuar se zgjedhjet e qershorit ishin të lira, të drejta dhe demokratike, duke iu referuar edhe vlerësimit të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili i kishte monitoruar ato.
Konjufca ka thënë se, pas konsolidimit të institucioneve, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimin në zhvillimin socio-ekonomik, drejtësi dhe siguri.
Situata në veri dhe strukturat e mbështetura nga Serbia
Duke folur për situatën në veri të Kosovës, ministri ka deklaruar se masat e Qeverisë për promovimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit po japin rezultate.
Sipas tij, mbyllja e strukturave që i ka cilësuar si ilegale dhe të operuara nga Serbia synon forcimin e institucioneve demokratike dhe garantimin e sigurisë juridike për të gjithë qytetarët.
“Ne kemi mbyllur strukturat ilegale të operuara nga Serbia, të cilat synojnë të parandalojnë integrimin etnik dhe të minojnë institucionet tona demokratike. Mbyllja e strukturave ilegale siguron siguri më të madhe juridike, trajtim të drejtë dhe siguri për çdo bashkësi etnike”, ka thënë ai.
Konjufca ka theksuar se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, vazhdon të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Ai ka përmendur gjithashtu hapjen e zyrave për çështje kadastrale, regjistrim të bizneseve, pensione, punësim, energji elektrike dhe administratë tatimore në komunat veriore.
Sipas tij, institucionet kanë investuar edhe në infrastrukturë dhe kanë liruar prona publike e private të uzurpuara në mënyrë të paligjshme.
Kritika për raportimin e sulmit në Banjskë
Pjesën kryesore të kritikave ndaj raportit të UNMIK-ut, Konjufca ia ka kushtuar trajtimit të situatës së sigurisë, incidenteve në veri dhe sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Ai ka kundërshtuar përshkrimin e sulmit si një “ngjarje e dhunshme”, duke thënë se ai duhet të cilësohet si sulm terrorist.
“Është për të ardhur keq që shumë prej këtyre rasteve të trajtuara dhe të diskutuara në raportin e UNMIK-ut bazohen kryesisht në propagandën serbe. Për më tepër, është për të ardhur keq të shohësh se edhe një herë sulmi paramilitar serb në Banjskë, i orkestruar, i organizuar dhe i mbështetur nga Beogradi zyrtar përmes Milan Radoiçiçit, përmendet në këtë raport si një ‘ngjarje e dhunshme’ në vend të asaj që është në të vërtetë: një sulm terrorist”, ka deklaruar Konjufca.
Ministri ka kritikuar gjithashtu raportimin e 92 rasteve nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke pretenduar se ato janë përdorur për qëllime mediatike dhe diplomatike, pa dëshmi të qarta për motive etnike.
– YouTube www.youtube.com
Sipas tij, disa prej rasteve përmbajnë dezinformata ose paraqesin veprimet e zbatimit të ligjit dhe shkeljet e rendit publik si incidente të motivuara etnikisht.
Konjufca ka kundërshtuar edhe mënyrën se si raporti trajton disa raste të kundërvajtjeve, duke thënë se ato nuk përbëjnë arrestime apo ndjekje penale të synuara ndaj serbëve.
Konjufca kundërshton paraqitjen e incidenteve fetare si raste etnike
Shefi i diplomacisë kosovare ka kritikuar edhe trajtimin e incidenteve të raportuara në objektet fetare në Kosovë, duke pretenduar se raporti i UNMIK-ut u kushton atyre rëndësi joproporcionale.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës ka hapur hetime për incidentet e regjistruara, por sipas tij, nuk ka prova që ato janë kryer nga shqiptarët apo se kanë pasur motive etnike.
“Prandaj, është palogjikike që UNMIK-u t’i regjistrojë ato si incidente zyrtare etnike. Ato ekzistojnë vetëm në raportet serbe dhe në pretendimet e Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe”, ka deklaruar Konjufca.
Në fund, ai i ka bërë thirrje UNMIK-ut që të shmangë, siç është shprehur, keqparaqitjen e incidenteve të izoluara, të cilat mund të krijojnë përshtypjen se paqja dhe marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë janë të brishta.
“Prandaj, i bëjmë thirrje UNMIK-ut të shmangë keqkarakterizimin e mikro-incidenteve në Kosovë që portretizojnë në mënyrë të rreme paqen dhe marrëdhëniet etnike si të brishta”, ka përfunduar Konjufca./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.