Konsensus PS-PD për Rregulloren e Kuvendit, zbulohen ndryshimet mëngjesin e sotëm! Kreu i SPAK nuk do raportojë më në Kuvend
Mazhoranca dhe opozita kanë dakordësuar mëngjesin e kësaj të enjteje në Komisionin për Këshillin për Rregulloren një sërë ndryshimesh të rëndësishme në draftin për Rregulloren e Kuvendit, i cili pritet të votohet në seancën plenare të ditës së sotme.
Sipas ndryshimeve të reja, është përcaktuar qartë se në sallën e seancës plenare do të raportojnë vetëm disa institucione kushtetuese dhe të pavarura:
Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Drejtuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndërkohë, të gjitha institucionet e tjera do të raportojnë vetëm në komisionet parlamentare përkatëse.
Në komisione, raportimi nuk do të bëhet domosdoshmërisht nga titullarët e institucioneve, por nga përfaqësues të tyre, duke ndryshuar praktikën e deritanishme ku shpesh kërkohej prania e drejtuesve kryesorë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me mënyrën e propozimit të kandidatëve për institucionet e pavarura të zgjedhura nga Kuvendi. Tashmë është vendosur që një deputet të ketë të drejtë të mbështesë me firmë vetëm një kandidat, duke synuar shmangien e mbështetjes së shumëfishtë. Për shembull, në rastin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një deputet nuk mund të firmosë për disa kandidatë njëkohësisht, siç ka ndodhur më parë.
Sipas burimeve nga gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu, këto ndryshime janë pjesë e një pakete më të gjerë amendimesh që janë negociuar gjatë ditëve të fundit mes mazhorancës dhe opozitës në Konferencën e Kryetarëve.
Një tjetër pikë e dakordësuar mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike lidhet me raportimin e drejtuesit të SPAK-ut. Sipas konsensusit të arritur, kreu i SPAK nuk do të raportojë më në seancë plenare, por vetëm në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin përkatës të mbikëqyrjes institucionale.
Drafti i ri parashikon gjithashtu ristrukturimin e komisioneve të përhershme parlamentare, të cilat do të organizohen në 11 komisione me fusha të reja përgjegjësie, si dhe krijimin e një Komisioni të posaçëm për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Po ashtu, ndryshime prekin edhe funksionimin e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, ku do të garantohet përfaqësim i barabartë mes mazhorancës dhe opozitës. Në rast barazimi votash, vota e sekretarit do të ketë rol vendimtar.
Ligjet e integrimit do të kalojnë në Kuvend me procedurë normale, përveç rasteve kur kërkohet nga qeveria me kërkesë të arsyetuar.
Pakoja e amendimeve përfshin edhe procedura të përshpejtuara për projektligjet që lidhen me integrimin europian dhe negociatat me Bashkimin Europian, si dhe masa të reja disiplinore për deputetët, ku përjashtimet do të llogariten me ditë kalendarike dhe do të shoqërohen me ndalim page.
Drafti pritet të hidhet për votim në seancën plenare të kësaj të enjteje, ndërsa dakordësia mes palëve politike konsiderohet një nga rastet e rralla të konsensusit të gjerë në Kuvend.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.