Kontrolli parlamentar mbi agjencitë e pavarura, Kuvendi analizon zbatimin e ligjeve dhe akteve nënligjore për vitet 2021–2025
Nën drejtimin e kryetarit, Fatmir Xhafaj, Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilloi disa seanca dëgjimore, në zbatim të Kalendarit Tematik për Ushtrimin e Kontrollit Parlamentar Postlegjislativ, në kuadër të Komponentit III, i cili lidhet me miratimin e akteve nënligjore dhe nivelin e zbatimit të ligjeve të miratuara gjatë periudhës 2021–2025, Komponenti III “Institucionet dhe Agjencitë e Pavarura”. Në nisje të mbledhjes, Xhafaj theksoi se ky proces përbën një pjesë të rëndësishme të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit.
Fillimisht, Komisioni zhvilloi seancë dëgjimore me Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili bëri një përmbledhje të procesit të hartimit të akteve nënligjore dhe rregullatore për zbatimin e ligjeve organike mbi të cilin bazohet veprimtaria e KDIMDHP-së, procesin e hartimit të akteve nënligjore të përbashkëta me Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe u ndal në fazat në të cilën ndodhet procesi i hartimit dhe miratimit të disa akteve nënligjore që nuk janë në kompetencën e Zyrës së Komisionerit, por që ndikojnë drejtpërdrejtë në fushën e veprimtarisë së tij, që lidhen me detyrimin për hartimin projektvendimit për trajtimin financiarë të koordinatorëve për të drejtën për informim të autoriteteve publike, projektvendimet për zbatimin e ligjit për të dhënat e hapura dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, etj.
Relatorja, Romina Kuko, bëri një përmbledhje të punës së KDIMDHP-së për përmbushjen e detyrimeve për hartimin e akteve nënligjore, vlerësimin e bërë në progressraport për përafrimin plotësisht me “acquis” të BE të ligjit 124/2024, si theksoi nevojën për të marrë informacione në lidhje me shqyrtimin në kohë të ankesave, arsyet e vonesave nëse ka të tilla, zbatimin e rekomandimeve, si dhe propozoi që Komisioneri të paraqesë brenda 30 ditëve informacion të detajuar mbi zbatimin e rekomandimeve, trajtimin e ankesave, efektivitetin e ndërhyrjeve të tij, etj. Gjithashtu, propozoi të kërkohet nga Këshilli i Ministrave një kalendar për miratimin e pesë projektvendimeve në pritje, si dhe propozoi përfshirjen e Komisionerit në Kalendarin e Mbikëqyrjes Parlamentare për tremujorin e dytë të vitit 2027 kur kuadri i ligjit të ri të jetë i plotë.
Më pas komisioni vijoi dëgjesën me Genta Tafa, Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, e cila raportoi lidhur me rekomandimet e lëna për hartimin e akteve nënligjore përgjatë viteve 2021-2025, nga të cilat 10 nuk janë zbatuar, 2 janë në proces zbatimi dhe 5 rekomandime janë zbatuar. Relatorja Romina Kuko duke iu referuar rekomandimeve të lëna në Rezolutë kërkoi informacion lidhur me efektivitetin e vendimeve të Komisionerit, transparencën për trajtimin e ankesave, zbatimin e rekomandimeve dhe ndërhyrjet ndaj rasteve të diskriminimit sistemik, etj. Në përfundim, relatorja propozoi që Komisioneri të paraqesë brenda 30 ditëve një vlerësim të detajuar mbi mangësitë ligjore dhe institucionale, të dhënat mbi zbatimin e vendimeve, trajtimin e ankesave, rastet e gjuhës së urrejtjes, nevojat për staf e financim sipas funksioneve që mbeten të pambuluara, si dhe propozoi që raporti mbi pasojat diskriminuese të digjitalizimit të shqyrtohet në një seancë të posaçme dhe Komisioneri të përfshihet në Kalendarin e Mbikëqyrjes Parlamentare për tremujorin e dytë të vitit 2027.
Mbledhja vijoi me dëgjesën me Lantona Sado, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT, e cila u ndal në punën që po bëhet në tre aspekte kryesore të veprimtarisë së institucionit, që lidhen me programin e ri statistikor, Censusin e Bujqësisë dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të integrimit evropian. Relatori Erjo Mile evidentoi se institucioni ka raportuar miratimin e shtatë akteve nënligjore, por pa dhënë informacion të plotë për përmbajtjen, bazën ligjore dhe zbatimin e tyre. Në përfundim, relatori propozoi që INSTAT të paraqesë një raport të detajuar mbi zbatimin e akteve nënligjore, realizimin e Programit 2022–2026, ecurinë e censit bujqësor , etj.
Komisioni vijoi me seancën dëgjimore me Denar Biba, Kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, i cili bëri një përmbledhje të procesit dhe fazës së miratimit të akteve që duhen hartuar në kuadër të përmbushjes së detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian, procesit të shqyrtimit të ankesave të ardhura nga qytetarët, etj.
Relatorja Romina Kuko kërkoi një informacion të qartë të detyrimeve të përmbushura dhe atyre që mbeten në kuadër të integrimit Evropian, ankesave të qytetarëve dhe bizneseve, rezultatet e hetimeve, zbatimin e vendimeve dhe arkëtimin e gjobave, efektet e mbikëqyrjes së tregjeve që ndikojnë drejtpërdrejt te konsumatorët, konsultimi publik i kryer për aktet nënligjore, etj. Në përfundim, propozoi që Autoriteti i Konkurrencës të paraqesë brenda 30 ditëve një raport të detajuar me shkrim për këto çështje dhe të përfshihet në Kalendarin e Mbikëqyrjes Parlamentare në tremujorin e dytë të vitit 2027.
Mbledhja vijoi me dëgjesën me Evgjeni Bashari, Kryetare e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), e cili bëri një përmbledhje të procesit dhe fazës së miratimit të akteve nënligjore për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve, fazën e hartimit të akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të ri për parandalimin e konfliktit të interesave, përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian, etj. Relatori Erjo Mile kërkoi që ILDKPKI të dërgojë informacion lidhur me procesin e hartimit dhe konsultimit të akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të ri për parandalimin e konfliktit të interesave, etj.
Mbledhja vijoi me dëgjesën me Adela Xhemali, Drejtoreshë e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, e cila bëri një përmbledhje të procesit të hartimit dhe miratimit të akteve nënligjore gjatë periudhës 2021–2025 dhe ecurinë e përafrimit të legjislacionit me “acquis” të BE. Xhemali informoi se AMF është institucion lider në fushat përkatëse të Kapitullit 9 “Shërbimet financiare”, ku është i angazhuar në një program përafrimi që parashikon 15 akte ligjore, 12 akte nënligjore dhe një vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe nënvizoi se një pjesë e këtyre nismave kanë arritur në faza të avancuara të hartimit dhe miratimit. Relatori Erjo Mile evidentoi se gjatë periudhës 2021–2025 janë miratuar 27 rregullore, ndërsa kërkoi informacion lidhur me projekt-aktet në proces hartimi dhe kalendarin përkatës, plani i zbatimit dhe monitorimit të masave të përafrimit të strukturave sipas institucioneve përgjegjëse, etj.
Dëgjesa e fundit u zhvillua me përfaqësues të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, të cilët informuan mbi bashkëpunimin që po ndërmerret gjatë hartimit të ligjit të ri për nëpunësin civil, i cili tashmë ka nisur fazën e konsultimit. Relatorja Romina Kuko evidentoi se Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka paraqitur një plan veprimi të strukturuar për zbatimin e 20 rekomandimeve të Kuvendit, si dhe paraqiti disa kërkesa për përmbushjen e afateve e rezolutës, si dhe propozoi që Komisioneri të paraqesë brenda 30 ditëve një raport të detajuar mbi përmbushjen e afateve, monitorimin e rekrutimeve, të dhëna për zbatimin e vendimeve gjyqësore, ecurinë e platformave digjitale, etj.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.