Bota

Koreja e Veriut, së shpejti testin e gjashtë bërthamor

Zyrtarë të Koresë së Jugut kanë bërë të ditur se Veriu komunist mund të jetë gati të zhvillojë një tjetër test bërthamor në çdo kohë. Koreja e Veriut zhvilloi testin e pestë bërthamor gjatë së premtes, të cilin e konsideroi edhe si më të madhin deri më tani.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha se ekziston ende një tunel i pashfrytëzuar në vendin ku zhvillohen testimet në Punggye-ri, i cili mund të përdoret për shpërthimin e gjashtë të këtij lloji në të ardhmen e afërt.

Ndëshkueshmëria e gjerë e së premtes, nga vendet fqinje të rajonit dhe më gjerë, përshkallëzoi tensionet dhe shkaktoi edhe një retorikë tepër të ashpër nga Koreja e Jugut.

Të dielën, një burim ushtarak koreano-jugor tha për agjencinë e lajmeve “Yonhap” se Peniani, kryeqyteti i Koresë së Veriut, mund të kthehet tërësisht në hi nëse shfaqen shenja të mëtejshme të ndonjë sulmi bërthamor.

E ndërsa dyshimet mbi pretendimin e Koresë së Jugut mbeten, duke presupozuar se Veriu komunist mund të përdorë tashmë edhe koka me mbushje bërthamore në raketat balistike, gjë që nënkupton se mund të kryejë edhe një sulm bërthamor, ekspertët thonë se progresi i kohëve të fundit është shqetësues.

Të hënën, “Yonhap” citoi një burim të paidentifikuar qeveritar të thotë se raportet tregojnë se Veriu ka përfunduar përgatitjet për testin e ardhshëm, që pritet ta zhvillojë në tunelin e papërdorur në të kaluarën në Punggye-ri, tunel që ndodhet shumë thellë nën malet verilindore të vendit.

“Burime të inteligjencës në Seul dhe Uashington janë duke mbajtur lidhje të ngushta”, tha zyrtari qeveritar që preferoi të mbetej anonim.

Moon Sang-gyun, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, dha të njëjtën deklaratë edhe për reporterët. Ai nuk dha detaje të mëtejshme, për shkak se konsiderohen si tepër të rëndësishme dhe nuk mund të publikohen për shkaqe sigurie.

Sipas korrespondentit të BBC-së në Seul, testi i ri me shumë gjasa nuk mund të kryhet menjëherë, pasi shkencëtarët e Penianit do të merren me studimin e rezultateve të testit të fundit, por ai mund të zhvillohet në javët apo muajt e ardhshëm.

Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara ka rënë dakord të nisë hartimin e sanksioneve të reja kundër Koresë së Veriut, diçka që vendi i izoluar komunist e quajti “qesharake”. Peniani ka zhvilluar dy teste bërthamore këtë vit, por edhe disa testime të raketave të fuqishme balistike. Të dyja llojet e testimeve në fjalë janë të ndaluara nga sanksionet ekzistuese të OKB-së.

Po të hënën, agjencia japoneze e lajmeve “Kyodo” raportoi se ministri i Jashtëm koreano-verior, Ri Yong-ho ka mbërritur në Pekin. Kina është aleati kryesor dhe partneri tregtar më i rëndësishëm i Koresë së Veriut, por së fundi ka shprehur gjithnjë e më tepër shqetësimin ndaj veprimeve ushtarake, me të cilat është shoqëruar retorika agresive e Kim Jong-un. Kina, nga ana tjetër, mbështet sanksionet më të ashpra ndaj Veriut komunist, por me kushtin që ato të kenë realisht ndikim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button