Korrupsioni: Si ryshfeti shpëtoi Indinë nga kriza ekonomike
Kaushik Basu, kryeekonomisti i Bankës Botërore dhe ish-këshilltari kryesor i qeverisë indiane, thotë se tradita e vendit për korrupsion, çuditërisht ndihmoi Indinë që të shmangte një nga krizat bankare më të frikshme, që ka bërë të dridhen ekonomitë e shteteve të tjera të mëdha në këto vite të fundit.
Nuk ka pikë dyshimi që India ka historinë më pozitive të ekonomisë në planet. E ndihmuar nga prodhimi në rritje i fabrikave, ekonomia indiane u rrit në tremujorin e tretë të vitit 2015 me 7.4%. Kjo është rritja më e lartë e një vendi me potencial botëror, krahasuar me rivalët e tjerë.
Por ka një anë të erret në suksesin e shtetit të madh në Azinë Jugore, sipas një prej ekonomistëve më të suksesshëm të vendit.
Kaushik Basu, kryeekonomisti i Bankës Botërore dhe ish-këshilltari kryesor i qeverisë indiane, thotë se tradita e vendit për korrupsion çuditërisht ndihmoi Indinë që të shmangte një nga krizat bankare më të frikshme, që ka bërë të dridhen ekonomitë e shteteve të tjera të mëdha në këto vite të fundit.
Është një deklaratë e fortë e bërë nga një nga specialistët më të zotë të vendit, por siç thotë ai në librin e tij më të fundit “Një ekonomist në botën reale”, ekonomia nuk është një subjekt moral.
Argumenti i tij është se përdorimi në masë i ryshfetit, pra e një shume parash që nuk u prekën nga taksat shtetërore, krijoi një mburojë kundër krizës në sistemin bankar.
Përgjatë viteve 2000-2009, ekonomia indiane ishte në po atë gjendje suksesi, si dhe në pjesën tjetër të botës. Ajo u rrit në mënyrë befasuese me 9% çdo vit nga 2006 deri në 2008-n.
Përveç kësaj një ndihmë të madhe në shtimin e të ardhurave, shtetit indian i dha rritja e industrisë së ndërtimit. Ndërmjet viteve 2002 deri në 2006, mesatarja e çmimeve për pronat u rrit me 16% në vit, shumë më tepër sesa rritja e rrogave dhe më shpejt madje se edhe në SHBA.
Ndryshimi në Indi është se gjithë ky tejkalim joracional nuk përfundoi në kolaps. Nuk pati një krizë kredish të këqija, e cila mund ta çonte vendin në një situatë dështimi edhe më të madhe, duke tronditur të gjithë sistemin bankar.
Dhe pyetja që shtrojnë shumë ekonomistë është se përse ndodhi ky fenomen në Indi?
Banka Qendrore e Indisë ndërmori disa masa paraprake të menduara mirë dhe kjo vlerësohet edhe nga specialisti Basu. Por ai thekson se nuk ishin autoritetet shtetërore ato që shpëtuan Indinë. Arsyeja e shmangies së krizës janë paratë e pista.
Në shumicën e botës, çmimi që ti paguan kur blen një pronë është i njëjtë me atë që publikisht ka shfaqur agjenti i shitjeve të pasurisë së paluajtshme dhe që shteti e regjistron.
Por jo në Indi. Këtu një pjesë e mirë e njerëzve i blejnë shtëpitë e tyre me para në dorë. Dhe nisur nga fakti që monedha me vlerë më të madhe në vend është 1,000, rupi që këmbehet $15 një blerës nuk e ka problem që të shkojë në zyrën e firmës së shitjeve të pronave me një valixhe të mbushur plot e përlot me rupi.
Skema është e thjeshtë. Agjenti i shitjes në Indi për një shtëpi e cila kushton le të themi 1000 rupi, do të regjistrojë formalisht çmimin e paguar nga blerësi për 500 rupi dhe pjesën tjetër do ta kërkojë cash në dorë. Kjo pagesë në dorë është ajo që indianët e quajnë “para e pistë”.
Blerësit e mundshëm do të duhet që gjithmonë një pjesë të çmimit të shtëpisë ta paguajnë cash. Kjo i leverdis shitësit, i cili në këtë mënyrë shmang një sasi jo të vogël të të ardhurave që i shkojnë shtetit në formën e taksave. Por edhe blerësit bien dakord që të shkelin ligjin, pasi sa më e ulët të deklarohet vlera e një prone të blerë, aq më pak taksa prone do të jenë të detyruar të paguajnë ata.
Një tjetër përfitim nga kjo skemë është se indianët kanë kredi mujore për shtëpi në vlerë shumë më të ulët krahasuar me vlerën reale të pronës së tyre. Për më tepër diferenca është e dukshme edhe me pjesën tjetër të botës.
Në kulmin e shpërthimit të ndërtimeve, në SHBA dhe Britani ishte diçka e zakonshme për huadhënësit që të ofronin kredi, në vlerën e 100% të pronës.
Disa madje do të ofronin kredi me vlerë 110%, duke i lejuar blerësit që përveçse të blinin pronën, të siguronin edhe mobiliet e nevojshme për shtëpinë e re.
Për këtë arsye kur kriza filloi, bilancet e bankave të mëdha u shkërmoqën bashkë me çmimet e pronave.
Kurse në Indi, ndryshe nga pjesa tjetër e botës, vlera e kredive të huazuara maksimumi vetëm mund të ngrihen në vlerën e tyre reale.
Nisur nga kjo sqaron ekonomisti indian, një shtëpi me vlerë 1000 rupie normalisht do të mund të blihet me një vlerë kredie pre 500 rupie ose më pak.
Kështu që kur çmimet ranë në Indi, më shumë në vitin 2008 dhe 2009, shumica e bankave që kishin huazuar kredi nuk ndien problem. Dhe kjo sepse kredimarrësit nuk e kishin të vështirë që të paguanin këste mujore për një pronë e cila ishte brenda vlerës reale të tregut.
Kjo është arsyeja që shteti i madh aziatik arriti që të shpëtonte nga një nga krizat më shkatërruese që goditi shumicën e planetit.
E vërtetë që India pësoi një rënie sa i përket ngritjes ekonomike, por për qeverinë e vendit, kjo futet te dëmet anësore, me shkaktar kryesor recesionin global, më shumë sesa rrjedhojë e problemit brenda vendit. Dhe vërtet, brenda një viti, India ia arriti që të dalë nga kriza dhe i është rikthyer rritjes ekonomike. Nga viti 2009 deri në 2011, vendi ka shënuar një rritje rreth 8% në vit.
Por prapë Basu nuk e aprovon korrupsionin brenda vendit. Ai këtë fenomen e krahason me efektin e një sëmundjeje bezdisëse. Mund të ketë disa anë pozitive, p.sh. një sëmundje që ndihmon flokët e tu që të rriten, por prapë ti do të pëlqeje që të mos të ishe prekur nga ajo.
Specialistët indianë kanë hedhur një ide sa radikale aq edhe të zgjuar për ta çrrënjosur korrupsionin. Ai propozon që ryshfeti të legalizohet.
Disa vite më parë ai propozoi që në vend që të dënoheshin me akuza kriminale si ryshfetdhënësi ashtu edhe ryshfetmarrësi, vetëm ai që merr paratë duhet që të dënohet nga ligji.
Dhe pse mund të duket një ndryshim i thjeshtë, në mënyrë radikale ai ndryshon lidhjet midis të dyja palëve.
Kjo do të thotë se ata njerëz që japin paratë, nuk do kenë më interes të përbashkët me të korruptuarin që të mbajnë aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm, sekret.
Të çliruar nga rreziku i dënimit, korruptuesit do të kenë një nxitje të fuqishme për të denoncuar korrupsionin. Por Basu thotë se për fat të keq, propozimi i tij ende nuk është përqafuar nga ligjvënësit indianë.