Kosova

Kosova bëhet pjesë e Asamblesë Parlamentare të KiE

Kosova do të marrë pjesë në seancat e asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës me një delegacion të përbërë nga tre anëtarë, pozitë, opozitë dhe minoritet duke filluar nga janari i vitit 2017.

Vendimi u ratifikua me shumicë votash të hënën gjatë sesionit të asamblesë parlamentare të KiE, bën të ditur një komunikatë për shtyp nga Kuvendi i Kosovës, i cili ka dërguar në Strasburg një delegacion të përbërë nga nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Aida Dërguti.

Me këtë vendim, Kuvendi i Kosovës bëhet pjesëmarrës në mbledhjet e Komitetit për Demokraci ku vendoset edhe për raportime, apo rezolutat për Kosovën, merr të drejtën e fjalës brenda mbledhjeve dhe zgjerimi i delegacionit përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, i cili deri tani kishte dy anëtarë.

“Delegacioni i Kosovës në bashkëpunim me delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë, të cilin e udhëheqë Valentina Leskaj, si dhe me anëtarët e shteteve mike të Republikës së Kosovës, zhvilluan lobim të fuqishëm. Në veçanti delegacioni i Kuvendit të Kosovës falënderon Valentina Leskaj, e cila është edhe pjesë e Byrosë të APKE-së, për angazhimin e saj me përkushtim gjatë mbledhjeve të Byrosë, Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, seancave Plenare që Kuvendit të Kosovës t’i jepet e drejta që të përfaqësohet me delegacionin e tij për herë të parë në APKE, institucion në të cilin bëjnë pjesë delegacionet e 47 vendeve anëtare, dhe të ketë mundësi për lobim si dhe të përfitojë asistenca të ndryshme në ndërtimin dhe zhvillimin e diplomacisë parlamentare, të cilat ofrohen nga Këshilli i Evropës.

“Si rezultat i diplomacisë parlamentare, Kosova ka arritur të anëtarësohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europë”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me një status në “Facebook”, duke shtuar se Kosova po ecën përpara me hapa të sigurt drejt integrimit në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili po merr pjesë në punimet e Sesionit të Katërt të Rregullt të APKE-së si pjesë e delegacionit shqiptari tha se vendimi i KiE është historik për Kosovën dhe se drejta e fjalës e Kosovës tashme është një e drejtë e fituar.

“Vendimi i KiE për Kosovën është historik. Kjo është një ditë e veçantë për Kosovën. Integrimi i Kosovës është i pandalshëm. Tashmë, Kosova do të ketë delegacionin e saj në Strasburg dhe e drejta e fjalës së Kosovës tashmë është një e drejtë e fituar”, tha Vasili.

Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës vendosi se Kosova që prej janarit të vitit 2017, ka të drejtë të caktojë një delegacion prej tre (3) anëtarësh, ku do të përfaqësoheshin pozita, opozita dhe minoritetet

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button