Kosova dorëzon listën prej 23 futbollistëve në UEFA, Enis Rexhepi mbetet në tribunë
Përzgjedhësi Franco Foda ka dorëzuar në UEFA listën zyrtare prej 23 futbollistëve për ndeshjen ndaj Izraelit; i vetmi i mbetur jashtë listës është sulmuesi 18-vjeçar i Stuttgartit, Enis Rexhepi.
Siç njofton Telegrafi, Kombëtarja e Kosovës dhe përzgjedhësi i saj Franco Foda kanë dorëzuar mëngjesin e sotëm, të shtunën, në UEFA listën zyrtare prej 23 futbollistëve për ndeshjen ndaj Izraelit.
Dardanët luajnë sot ndaj Izraelit në kuadër të raundit të pestë të Grupit 3 në Ligën B të Ligës së Kombeve, në ndeshjen që nis në orën 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Për këtë grumbullim, Foda ftoi fillimisht 27 lojtarë, mes tyre tre emra të rinj, por më pas u liruan nga grumbullimi Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani, ndërsa në vend të tyre u afrua Betim Fazliji. Në ditët pasuese, për shkak të shqetësimeve me lëndime, u liruan edhe Lumbardh Dellova dhe Ermal Krasniqi, duke e çuar në 24 numrin e lojtarëve të mbetur.
Meqenëse për ndeshjet zyrtare ekipet duhet të dorëzojnë një listë prej 23 futbollistësh, një lojtar duhej të mbetej jashtë. Lojtari i vetëm që mbeti jashtë listës për ndeshjen e sotme është njëra prej prurjeve më të fundit, sulmuesi 18-vjeçar i Stuttgartit, Enis Rexhepi.
Në sulm, për këtë ndeshje Foda ka vendosur t’u besojë Vedat Muriqit, Fisnik Asllanit, Baton Zabërgjës, Edon Zhegrovës dhe Albion Rrahmanit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.