“Kosova duhet të gjejë një zgjidhje për Kishën Ortodokse Serbe në kampusin universitar”
Kisha Ortodokse Serbe e papërfunduar, e cila gjendet në kampusin e Universitetit “Hasan Prishtina”, tanimë është një ndër temat kryesore të debateve në Kosovë. Ky objekt, i cili u ndërtua në kohën e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit, erdhi në rend të ditës pasi që një grup i klerikëve dhe i priftërinjve ortodoks serb kishin ndërmarrë aksionin e pastrimit të këtij objekti brenda dhe jashtë tij, ku i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Branimir Stojanoviq. Qytetarë, studentë e personalitete të shumta e vlerësuan këtë veprim si tentim për funksionalizimin e kishës.
– Objekti i kishës nuk duhet të rrënohet, por duhet të përdoret për destinacione të tjera
Lidhur me rastin, profesori dhe publicisti, Adriatik Kelmendi u shpreh se kjo kishë është ndërtuar në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviçit, kur gjithçka ka qenë në kundërshtim me ligjet, ose ka qenë i adaptuar që t’i përshtatet ligjeve diskriminuese e jo të vlefshme. Ai shtoi se ndërlikimi tjetër i rëndësishëm është ndërtimi i saj në hapësirat e kampusit universitar.
“Besoj se palët duhet të merren vesh sepse këtu asnjëra palë nuk mund të dalë fituese absolute. Ka ide shumë të mira që ndoshta kishës ortodokse serbe t’i jepet një truall tjetër, që të ndërtohet në një lokacion tjetër, po ashtu afër qendrës së Prishtinës. Por ky objekt, të mbetet kështu siç është dhe të kthehet në një hapësirë që mund të shfrytëzohet për destinacione të tjera dhe t’i kthehet sërish edhe Universitetit të Prishtinës, i cili ka mungesë të hapësirave për t’i zhvilluar aktivitetet e veta. Besoj se ky do të ishte një skenar ku të gjitha palët do të ndaheshin të kënaqur”, u shpreh Kelmendi.
Duke vënë në dukje se për zgjidhjen e kësaj çështjeje duhet të ketë bashkëbisedim mes UP-së, Komunës së Prishtinës dhe të kishës ortodokse serbe, Kelmendi theksoi se funksionalizimi dhe përdorimi i këtij objekti si kishë është në kundërshtim me planin e qytetit dhe se do të ndërhynte në mënyrë të dhunshme në hapësirën universitare. Ndërkaq, sa i përket rrethimit të objektit, ai shtoi se kjo gjë nuk mund të imagjinohet edhe sipas planit të Ahtisarit, duke vënë në dukje se kjo do të sillte edhe tensione të panevojshme tek studentët e universitetit.
“Një objekt që është nisur dhunshëm nga një regjim i dhunshëm të jetë i rrethuar në qendër të një qyteti ku shumica janë shqiptarë dhe shumica janë me besimin tjetër besoj se do të shkaktonte vetëm probleme”, shtoi Kelmendi.
Ai theksoi se pavarësisht nga komuniteti, secili kosovar ka të drejtën e ushtrimit të fesë, por që nuk duhet të ketë standarde të dyfishta në këtë aspekt. Ai në fund ritheksoi se objekti nuk duhet të rrënohet, por që duhet të përdoret me një destinacion tjetër.
– Kjo çështje duhet të jetë në pakon e bisedimeve në Bruksel
Ndërkohë, Ismajl Hasani, doktor i shkencave të sociologjisë së religjionit, në një intervistë u shpreh se problemi i objektit i cili ndodhet brenda kampusit universitar dhe ka formën e faltores ortodokse serbe, duhet të zgjidhet në mënyrë urgjente.
“Rrugët për tejkalimin e këtij problem nuk janë as me ardhjen e kinse priftërinjve për të pastruar ambientet të cilat vërtet demolohen, në krye me zv/kryeministrin që vjen prej listës serbe, por në të njëjtën kohë nuk është zgjidhje as shkuarja e studentëve para këtij objekti dhe hapja e librave për të lexuar, sepse fare pranë atij objekti është biblioteka pompoze, kombëtare universitare në të cilën ata mund të shkojnë dhe të lexojnë rehatshëm”, u shpreh Hasani.
Ai shtoi se kjo çështje nuk duhet të përdoret për zhvendosjen e axhendave të subjekteve të ndryshme politike dhe se duhet të jetë në pakon e bisedimeve të ardhshme në Bruksel.
Ndërkaq, në Kosovë, duke u konsideruar këto lëvizje të priftërinjve dhe klerikëve si tentim për funksionalizimin e kishës reagime kishte edhe nga studentët e UP-së. Disa ditë më parë studentët protestuan para objektit, ndërsa më pas ata ndërmorën edhe një protestë simbolike, duke lexuar libra përpara ndërtesës së kishës.