Kosova, Foda: Duhet të tregojmë nga minuta e parë se e duam fitoren
Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes miqësore kundër Andorrës, e cila zhvillohet të dielën, më 7 qershor, në orën 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Trajneri Franco Foda, së bashku me stafin e tij, ka punuar në detajet e fundit taktike, organizimin e lojës dhe zbatimin sa më të mirë të detyrave në fushë.
Atmosfera brenda ekipit është pozitive, ndërsa Dardanët janë të motivuar që në ndeshjen e radhës të shfaqin një paraqitje të mirë dhe të rikthehen te fitorja para tifozëve të tyre.
Para seancës stërvitore, në konferencën për mediat foli trajneri Franco Foda. Ai theksoi se mungesat janë pjesë e futbollit dhe se Kosova e ka dëshmuar edhe më parë se ka alternativa të mjaftueshme për t’i përballuar ato.
“Në futboll gjithmonë ka futbollistë të lënduar dhe kjo nuk përbën ndonjë problem të madh për ne. Edhe gjatë ndeshjeve kualifikuese kemi dëshmuar se kemi qenë në gjendje t’i përballojmë mungesat e lojtarëve”, deklaroi Foda.
Ai bëri të ditur se miqësorja ndaj Andorrës do të jetë një mundësi e mirë edhe për lojtarët me më pak përvojë për t’i prezantuar vlerat e tyre.
“Në ndeshjet miqësore është jashtëzakonisht e rëndësishme që t’u jepet mundësia edhe futbollistëve të tjerë për ta treguar veten. Skuadra duhet që nga minuta e parë të luajë me intensitet të lartë, të jetë agresive në lojën pa top, t’i zbatojë parimet tona në fushë dhe të tregojë se dëshiron me çdo kusht ta fitojë ndeshjen”, shtoi përzgjedhësi.
Foda u shpreh i kënaqur me atmosferën gjatë grumbullimit dhe kërkoi mbështetjen e tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Ka qenë një grumbullim pak më i gjatë për shkak të dy ndeshjeve miqësore, por atmosfera ka mbetur shumë pozitive. Futbollistët patën dy ditë pushim ndërmjet ndeshjeve, gjatë të cilave u rikuperuan dhe grumbulluan energji të reja. Tani duhet t’i mobilizojmë edhe një herë të gjitha forcat, në mënyrë që të zhvillojmë një ndeshje të mirë para publikut tonë. Shpresoj të kemi mbështetjen e një numri të madh të tifozëve”, theksoi ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.