Kosova hyn në “Oskar”
Filmi “Shok”, me regji e skenar të Jamie Donoughue, dhe me një kast aktorësh nga Kosova, është i pari në listën e filmave me metrazh të shkurtër që nominohet për “Oskar”. Lajmi është bërë i ditur dje në faqen zyrtare të Academy of Motion Pictures Art and Science, duke bërë kështu që për herë të parë kinematografia shqiptare t’u afrohet çmimeve “Oskar”. Por kjo nuk është hera e parë vetëm për Kosovën që futet në çmimet e kategorisë së lartë, por dhe për vetë regjisorin Donoughue. Filmi është bashkëprodhim i Kosovës me Britaninë e Madhe dhe në role interpretojnë aktorët: Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raca, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj. Në qendër të këtij filmi është historia e dy shokëve në Kosovën e vitit 1998. Dy djemtë e rinj bëjnë një jetë normale, por ashtu si lufta çdo ditë e më tepër po vret vendin e tyre, ashtu e mbush dhe jetën e tyre me frikë dhe dhunë. Zgjedhjet që atyre u duhet të bëjnë në këtë situatë kërcënojnë jo vetëm miqësinë, por edhe familjet dhe jetën e tyre. Xhirimet e filmit janë realizuar në muajin nëntor të vitit 2014 në Shalë të Bajgorës. Asistente regjisore është Blerta Basholli, ndërsa drejtor i fotografisë, Philip Robertson. Filmi është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është prodhim i shtëpisë filmike “Eagle Eye Films Kosova” me producent Eshref Durmishin dhe “Eagle Eye Media Ltd” me producent Harvey Ascott. “Kosova sot feston nominimin e saj të parë në Akademinë Oskar 2016, gjë që shënon suksesin më të madh të industrisë së filmit kosovar deri më tani.
Kjo është hera e parë në histori që Kosova hyn në Academy of Motion Pictures Arts and Science me filmin ‘Shok’, bashkëprodhim ky mes Kosovës dhe Anglisë”, do të njoftonte Qendra Kinematografike e Kosovës. Filmi “Shok” u nominua bashkë me katër filma të tjerë për çmimin “Best Live Action Short Film” në edicionin e 88 të çmimeve “Oskar”. “Kjo është arritja më e madhe e kinematografisë kosovare deri më tani dhe ‘Shok’ tashmë u ka hapur dyert filmave kosovarë që të jenë prezentë në ngjarjet më të mëdha të filmit”, shprehet Qendra Kinematografike e Kosovës.
Regjisori Luan Kryeziu analizon hyrjen e filmit “Shok” në “Oskar” dhe situatën e kinematografisë në hapësirat shqiptare
Kinemaja jonë vuan mungesën e identitetit artistik.
Regjisori Luan Kryeziu e quan një ngjarje faktin që filmi “Shok” nominohet për “Oskar”, pasi kjo do ta bëjë më të prekshme Kosovën në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, do të ishte mirë që filmi të kishte autor shqiptarë, por, megjithatë, pjesëmarrja në këtë projekt e aktorëve nga Kosova është një mundësi për ta.
Filmi “Shok” nominohet për çmimin “Oskar”. Është hera e parë që një film nga Kosova hyn në këtë kategori. Çfarë do të thotë kjo për kinemanë shqiptare?
Është një lajm i mrekullueshëm për ne, veçanërisht për aktorët, të cilët interpretuan edhe për temat shqiptare. Edhe pse film i shkurtër, filmi “Shok” do të bëjë që bota të dëgjojë më shumë për ne dhe temat tona. Kjo do të jetë motiv dhe frymëzim për aktorët shqiptarë, por nuk thotë shumë për kinematografinë shqiptare, sepse filmi nuk është nga autorë shqiptarë. Edhe pse do të ishte një lajm mjaft frymëzues fitorja e çmimit “Oskar”, çmimi nuk do të vijë për ne, kinemanë tonë. Në fakt ky film është temë nga Kosova dhe aktorë nga Kosova, por autorët, si regjia, skenari etj., nuk janë nga Kosova. Prandaj, do të ishte lajm i mrekullueshëm nëse do të fitonte ndonjë artist shqiptar, megjithatë pjesëmarrja në projekte të suksesshme është fitore edhe për ne!
Çfarë ka penguar deri tani, jo vetëm autorët nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, të bëjnë filma për “Oskar”?
Si duket ne kemi ende nevojë për krijimin e identitetit artistik në kinematografi. Mungesa e distributorëve, produksioneve serioze, buxheti i vogël, mungesa e kinemave, por ekzistojnë edhe disa faktorë, të cilët na imponojnë zhvillimet kinematografike. Ne kemi mjaft kapacitete artistike, por na mungojnë njohuritë e rrjedhave distributive, marketingu dhe lobimi. Tani në Kosovë është skandaloze investimi i parasë publike tek autorë të huaj e fillestarë dhe si mungesë e sukseseve, është rritur tendenca e përvetësimit të vlerave të huaja autoriale. Artistët tanë kanë dëshmuar vlera dhe suksese në rrugë individuale, por ne jemi dëshmitarë kur një film vërtet i suksesshëm nuk përkrahet, por pengohet. Krijimi i infrastrukturës do të krijonte mundësi vërtet zhvillimore. Funksionimi i kinemave në të gjitha qytetet shqiptare dhe mbrojtja e të drejtave autoriale do të krijonte vërtet kushte për zhvillim dhe pavarësi nga elementet destruktive.
Pse mungon identiteti artistik?
Identiteti artistik krijohet nga artistë të mirëfilltë, studiues dhe analistë, të cilët dinë të krijojnë politika kulturore afatgjata. Mungesa e identitetit artistik vjen si rezultat i inferioritetit, servilitetit, varfërisë artistike dhe mosnjohjes së vlerave kombëtare. Për arsye të ndryshme, ne jemi orientuar në krijime ditore apo të momentit, pa pasur një orientim të krijimit të një identiteti apo edhe infrastrukture për krijimin e tij.
Pse duhet ta bëjnë të huajt një film mbi temën e luftës dhe jo regjisorët aty?
Janë shumë të nevojshme bashkëprodhimet kinematografike dhe në këtë pikë Shqipëria dhe Kosova janë mirë. Kjo nuk do të thotë se autorë nga Kosova dhe Shqipëria nuk kanë krijuar filma me temat tona, madje kanë pasur suksese të mëdha.
Ju e keni parë filmin?
Unë nuk e kam parë filmin “Shok”, por fakti që është nominuar nuk dyshohet për vlerat e tij. Uroj që shqiptarët të përfaqësohen sa më denjësisht në botë përmes kulturës dhe së bukurës, në mënyrë që të përmirësohet opinioni për ne, në arenën ndërkombëtare. Uroj që të përfaqësohemi në kategorinë e filmit të gjatë, aty ku vlerësohen autorësitë kombëtare, por pa lënë anash vlerat e filmit të shkurtër dhe dokumentar. Uroj artistët shqiptarë që punuan dhe ndihmuan krijimin e filmit “Shok”.