Kosova i shkruan Brukselit për ndërhyrjet ilegale të Serbisë
Qeveria e Republikës së Kosovës e ka njoftuar të hënën zyrtarisht Bashkimin Evropian në lidhje me vazhdimin e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë dhe shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit për normalizim, me rastin e vendimit për vazhdimin e strukturave paralele në komunën e Shtërpcës duke emëruar kryetarin ilegal të komunës së Shtërpcës, i cili njëherësh është dhe kryetar i zgjedhur i kësaj komune.
Në shkresën që ministrja për Dialogun, Edita Tahiri ia ka drejtuar Bashkimit Evropian, përkatësisht Fernando Gjentilinin, ajo ka kërkuar që BE-ja të ndërmarrë të gjitha masat për të ndalur Serbinë që të ndërhyjë me struktura paralele në Kosovë, duke potencuar se Serbia po vazhdon të shkelë Marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë me garancat e BE-së, duke krijuar trupa ilegale të Serbisë në Republikën e Kosovës.
Tahiri ka ritheksuar se Serbia ka vazhduar t’i mbajë strukturat paralele edhe në katër komunat veriore dhe për të cilat Qeveria e Kosovës e ka njoftuar në vazhdimësi Bashkimin Evropian, përfshirë dhe në Raportin për gjendjen në implementimin e Marrëveshjeve të Brukselit të dërguar në BE në tetor 2014, raporton Telegrafi.
Në këtë shkresë, Tahiri përsëri ka përshkruar situatën destruktive në këto komuna, ku ndër tjerash, ka thënë “Më parë, në vitin 2014 Qeveria e Serbisë kishte miratuar vendimin sipas të cilit Aleksandar Spiriq do të kryej përkohësisht detyrën si kryetar i të ashtuquajturës ‘trup i përkohshëm i kuvendit komunal të Mitrovicës’ dhe anëtar të këtij trupi janë emëruar: Dragisha Vlashkoviq, Dragan Radisavljeviq dhe Ninislav Gjeriq. Për komunën e Zveçanit kryetar i këtij organi të paligjshëm është emëruar Vuqina Jankoviq (i cili është zgjedhur kryetari i komunës së Zveçanit në zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës më 3 nëntorit 2013) dhe anëtarë: Dragan Nedelkoviq, Ivan Todosijeviq, Sinisha Milosavljeviq, Milivoje Galjak dhe Miodrag Aciq. Në vitin 2013 Qeveria e Serbisë e ka emëruar si kryetar të këtij organi ilegal për Komunën e Leposaviqit, Dragan Jablanoviqin (i cili është zgjedhur kryetari i komunës së Leposaviqit në zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës më 3 nëntorit 2013) ndërsa për anëtarë kanë emëruar: Dobrivoj Gjurgjeviq, Zoran Todiq , Mark Kuzmanoviq dhe Radosh Mihajloviq.
Për Komunën e Zubin Potokut kryetar të këtij organi të paligjshëm është emëruar Stevan Vuloviq (i cili është zgjedhur kryetari i komunës së Zubin Potokut në zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës më 3 nëntorit 2013) dhe anëtarë: Nemanja Jakshiq, Dragisha Jovanoviq, Bojan Peroviq dhe Latinka Utviq”.
Qeveria e Kosovës konsideron se këto veprime të Serbisë janë thellësisht dekstruktive dhe të cilat kanë për qëllim përmbysjen e arritjeve të shumta nga procesi i dialogu të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe cenojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Sipas Tahirit, ndërhyrjet ilegale të Serbisë në Kosovë përherë kanë qenë veprime negative dhe kanë krijuar tensionime dhe destabilizim.
“Këto veprime nuk janë në përputhje me frymën e BE-së për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal, përkundrazi janë akte dëshpërimi kur tentohet të pengohet legjitimiteti demokratik dhe puna e kryetarëve komunal të zgjedhur në mënyrë të rregullt në bazë të Kushtetues dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, vlerëson ministrja për Dialogun.