Kosova mbetet jashtë/ Një hap më larg Këshillit të Evropës
Një muaj më parë, kur në 16 prill, anëtarët e asamblesë parlamentare të këshillit të Evropës, votuan për pranimin e Kosovës si anëtar i 47, Kryeministri Albin Kurti e përshëndeti këtë ngjarje të madhe dukë thënë se vendi ndodhej “një hap larg, antarësimit të plotë” (shiko statusin postë). Por sot kjo çështje, që pritej të ishte në ryezën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, nuk u përfshi fare në të.
Burime brenda saj bënë me dije se disa vende antare, midis tyre ato kryesore si Franca dhe Gjermania nuk deshën ta hedhin një hap të tillë, duke i shtuar listës së kërkesave të përmbushura nga Prishtina edhe atë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave të KiE-së, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, tha se anëtarësimi i shtetit në këtë organizatë nuk mund të ndalet “edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë. Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë”.
Edhe kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, konfirmoi të njëjtën gjë kur theksoi se kur bëhet fjalë për pranimin e Kosovës, çështja nuk ka të bëjë me atë nëse duhet të pranohet, por kur.
Ndryshe nga partnerët e tjerë, Tirana zyrtare u tregua më e ashpër ndaj Prishtinës duke e quajtur mosvotimin e sotëm një dështim. “Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë”, ka shkruar ministri i jashtwm Igli Hasani.
Presidentja Vjosa Osmani, e cila u shpreh mirënjohëse ndaj vendeve që e kanë mbështetur Kosovën deri tani, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës “është thjesht çështje kohe”.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, ka shkruar Osmani në “X” të premten.
Kosova ka kaluar vetëm dy nga tre fazat në procesin e pranimit në këtë organizatë. Që atarësimi të bëhet përfundimtar duhet që Komiteti i Ministrave të vendosë nëse një shtet do të pranohet ose jo në Këshillin e Evropës.
Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg. Kur shpresat qenë shuar dhe dukej se Gjermania dhe Franca kishin këmbëngulur për lënjen jashtë axhendës të ministrave të jashtëm të problemit të Kosovës, më 16 maj, përmes një letre dërguar Këshillit të Evropës, Kosova tha se zotohet se do të hartojë një draft-statut për Asociacionin që do ta dërgonte për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit. Me këtë zotim, Kosova tha se përmbushi kushtin e vënë nga disa anëtarë të Këshillit të Evropës dhe Prishtina kërkoi që të bëhet anëtare e kësaj organizate evropiane për të drejtat e njeriut. Por duket se ata që ishin kundër nuk e pranuan këtë lëvizje taktike.
Gjermania, një prej shteteve që ka vendosur kushtin për Kosovën në KiE, tha se ajo konsideron si “hap konkret” vetëm kur Kosova të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin. Megjithëatë qëndrimi i Berlinit duket se nuk përkrahet nga gjithë harku politik në atë vend.
Eurodeputeti gjerman, Reinhard Butikofer, ka ironizuar qeverinë e tij duke thënë se me këtë veprim ajo fitoi simpatinë e një ekstremisti të Trump si Richard Grenel. Dihet se cili ka qenë reputacioni i Grenell në këtë vend ku ai ushtroi detyrën si ambasador gjat periudhës së presidencës Trump. Prandaj Butikofer shkroi: “Përgëzime qeverisë gjermane! Ajo më në fund ka arritur të fitojë duartrokitjet dhe respektin e dobët të ekstremistit Trump, Richard Grenell në politikën e saj për Kosovën! Çfarë përparimi!”.
Grenell bëri të enjten në postim ku iu gëzua letrës kritike që tre liderët evropianë, kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni i dërguan kryeministrit Kurti. Ai theksoi: “europianët më në fund po e përqafojnë politikën e Trump për Kosovën”.
Franca, Gjermania dhe Italia ngulën këmbë se ato nuk duan një draft të hartuar nga Kurti por mbështesin draft-statutin e propozuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Javë më parë, Kurti i ishte drejtuar liderëve të këtyre tre vendeve me një letër, duke sqaruar pse Qeveria e Kosovës nuk mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese atë draft-statut dhe kishte propozuar ta shkruajë një të ri me kryetarët e tanishëm të komunave me shumicë serbe.