Kosova shkëlqeu, por Austria ia prishi festën në fund
Kombëtarja e Kosovës ka barazuar 1:1 me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një ndeshje ku Dardanët ishin shumë pranë fitores.
Kosova zhvilloi një paraqitje të mirë dhe për rreth 85 minuta ishte në epërsi, por Austria arriti të barazojë në fund dhe ta marrë një pikë nga Prishtina.
Ndeshja ishte e vlefshme për xhiron e katërt të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, edhe pse të dyja skuadrat patën mundësi për të shënuar. Kosova krijoi disa raste, ndërsa portieri Amir Shaipi ishte në nivel të lartë në portë duke i mohuar golin austriakëve.
“Dardanët” e nisën mirë edhe pjesën e dytë dhe në minutën e 66-të përzgjedhësi Franco Foda bëri një zëvendësim që rezultoi vendimtar.
Fisnik Asllani hyri në lojë në vend të Vedat Muriqit dhe vetëm katër minuta më vonë shënoi për 1:0.
Pas një aksioni të mirë të Kosovës dhe një lëvizjeje të bukur të Edon Zhegrovës në zonë, Asllani gjuajti saktë dhe e mposhti portierin Alexander Schlager.
Ky ishte goli i pestë i Asllanit me fanellën e Kosovës në 20 paraqitje.
Kosova ishte shumë pranë edhe golit të dytë. Në minutën e 73-të, Milot Rashica, i cili kishte hyrë në lojë në vend të Baton Zabërgjës, e goditi shtyllën.
Rashica gjuajti me të majtën, ndërsa topi u kthye nga shtylla. Në vazhdim tentoi edhe Veldin Hoxha, por Schlager reagoi mirë dhe shpëtoi Austrinë.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt fitores së Kosovës, Austria barazoi.
Në minutën e 84-të, Sasha Kalajxhiq harkoi në zonë, ndërsa Christoph Lang u tregua i saktë me kokë për 1:1.
Kosova tentoi të rikthehej në epërsi në minutat e fundit, por pa sukses.
Me këtë barazim, Austria mbetet e pamposhtur pas katër ndeshjeve dhe kryeson Grupin B3 me tetë pikë. Kosova është e dyta me pesë pikë, Irlanda ka katër pikë në vendin e tretë, por një ndeshje më pak, ndërsa Izraeli është i fundit me një pikë.
Në nëntor, Kosova do ta presë Izraelin në shtëpi, ndërsa do të udhëtojë në Irlandë. Austria, ndërkohë, do ta presë Irlandën dhe do të luajë në udhëtim ndaj Izraelit.



