Kosova’s Hamlet moment
Kur shefi i atëhershëm i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, u tërhoq zvarrë nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës për shkak të hyrjes pa leje në komunat veriore të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe të tijët shfaqën mëdyshjen se kjo ishte një manovër e koordinuar Thaci-Vuçiç në shërbim të ndarjes së vendit.
Pra, në vend se ta përshëndeste këtë veprim, si hap për shtrirjen e sovranitetit edhe në pjesën e cenuar të Veriut të Kosovës, Kurti përpiloi një konspiracion vetëm për t’i mos i dhënë asnjë meritë kundërshtarëve të tij politikë.
Në të vërtetë, këtu nuk ka asgjë për t’u habitur nga njeriu, i cili nuk ka harruar asnjëherë për t’i bërë llogaritë e përfitimeve personale në kurriz të interesave të vendit me gjithfarë konstruksionesh demagogjike, nga refuzimi i Rambujesë, kundërshtimi i Planit të Ahtisaarit, mohimi i Pavarësisë, heshtja me rastin e mbarimit të pavarësisë së mbikëqyrur nga ICO, largimi nga seanca për Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit e çka jo tjetër.
Po i njëjti, pak ditë më parë, si një djalosh i shkëlqyer, deklaroi se nuk i mungoi aspak Vuçiç në Berlin, vetëm pasi nënshkroi disa marrëveshje rajonale, përfshirë me Bernabiç, me Kosovën e përfaqësuar me fusnotë.
Pra, për ta mbuluar shkeljen e premtimeve të tij gati njëdekadëshe me rastin e firmosjes me Brnabiç, duke përfaqësuar Kosovën me fusnotë, Albin Kurti u bë gjoja se nuk po e honeps mungesën e Vuçiçit në mbledhjen e Berlinit.
Por çka nuk po kapim dot në gjithë këtë situatë? Kurti që refuzoi të kapë armën atëherë kur ishte në pyetje shuarja e ekzistencës së kësaj pjese të kombit, tani insiston deri në fund që zgjidhja edhe le të jetë me armë po qe nevoja?
As vetë Kurti dhe askush nga familja e tij nuk ka marrë pjesë në luftë, si shpjegohet që tash u bë kaq ushtarak?
Për një shpjegim, le të përfitojmë pak nga mendja konspirative e kryeministrit dhe te analizojmë me kutin e tij.
Pavarësisht shfaqjeve, shumë herë të pakuptimta, të Albin Kurtit, të cilat tashmë nuk është kurrfarë sfide e posaçme për t’i zbërthyer që në shikim të parë, duket se ekziston diçka më e thellë në marrëdhënien e tij me Vuçiçin.
Në një shkrim para disa kohësh, pata sjellë në vëmendje faktin se tashmë Vuçiç dhe Kurti janë në bisedime të fshehta për çështjen e mbylljes së dialogut për normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë.
Jo shumë më larg nga ky moment, doli edhe lajmi se Franca dhe Gjermania kanë përgatitur një propozim konkret për ta zgjidhur këtë çështje. Ky propozim, ndërkaq, nuk është formuluar brenda një nate në kancelaritë e këtyre kryeqyteteve evropiane, por është përgatitur duke biseduar ngushtësisht për një copë kohë me të dyja palët.
Për më shumë, njeriu që është ngritur politikisht duke kërkuar transparencë e dialog të hapur politik me Serbinë, jo vetëm që u be sinonim i negociatave tinëzare me Vuçiçin, por deri në çastin e fundit mohoi paturpësisht edhe ekzistencën e planit franko-gjerman. Lidhur me këtë çështje, në opinion më nuk ekziston asnjë pikëpyetje.
Sidoqoftë, në opinionin vendor, ekzistojnë disa pikëpyetje të tjera.
Fillimisht, pse Albin Kurti, i cili rrëzoi Qeverinë e tij me LDK duke shfrytëzuar edhe besëprerjen karakteristike të Vjosa Osmanit për shkak të ‘reciprocitetit’, tani që ka gjithë pushtetin në duart e tij nuk po i vendos ‘reciprocitet ekonomik’ Serbisë?
Përgjigja është e thjeshtë: sepse ai ka ndarë mendjen për t’i vazhduar negociatat me Aleksandër Vuçiç. Sidoqoftë, pse Albin Kurti i cili asnjëherë në opozitë nuk e ka ngritur punën e letërnjoftimeve, lejekalimeve apo targave, e ka shndërruar këtë çështje në kauzë të tij kryesore politike?
Fillimisht, kur e ka bërë ishte shenjë e qartë e dorëzimit të tij para presionit të Serbisë (edhe një pjesë të faktorit ndërkombëtar) për trajtim të veçantë të regjimit të targave në Veri të Kosovës.
Sot, ndërkaq, kur ai është në një rrethanë të hapur për mbylljen e të gjitha çështjeve me Serbinë me mbështetjen e BE-se dhe SHBA-ve, a nuk duket shkurtpamës shkaktimi i gjithë kësaj situate të rëndë vetëm për shkak të një politike edhe ashtu gjysmake për targa?
Kjo punë kërkon një shtjellim pak më të hollësishëm.
Megjithatë, në çdo rrethanë, ka shumë të ngjarë që Albin Kurti është duke e shtyrë këtë politikë shtetërore në koordinim të ngushtë me Aleksandër Vuçiç.
Mundësia e parë është se Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç janë të pakënaqur me përmbajtjen e projektit franko-gjerman.
Sidoqoftë, të dy i kuptojnë fare mirë pasojat politike nëse refuzojnë veç e veç një plan të tillë.
Në këtë kuptim, ata mund të jenë marrë vesh për inskenim të një situate në Veri, për t’ia humbur hapin dialogut në Bruksel dhe në të njëjtën kohë për ta zhbërë momentumin e projektit franko-gjerman.
Të jemi të qartë, Albin Kurti e di fare mirë se puna e targave s’ka asnjë lidhje me reciprocitet. Në fakt, vetë ai ka qenë zëdhënësi kryesor i idesë se themeli i reciprocitetit është ekonomik.
Po ashtu, Albin Kurti ka qenë i informuar hollësisht prej të emëruarve të tij në institucione të sigurisë se në Veri prej kohesh janë futur kamionë me pesha të rënda për bllokim rrugësh, janë nxjerrë materiale të ndjeshme prej objekteve që mund të jenë cak i bastisjeve, kanë hyrë persona me aftësi të specializuara luftarake nga Serbia dhe, me e rëndësishmja, se serbët janë duke planifikuar largim prej institucioneve shtetërore të Kosovës.
Pavarësisht kësaj situate me potencial shpërthyes, Albin Kurti ka zgjedhur të merret me një temë krejtësisht të vogël përballë këtij konteksti zhvillimesh, duke rrezikuar edhe sovranitetin në Veri të vendit edhe marrëdhënien me partnerë ndërkombëtarë.
Është budalla, a është i shitur? As njëra dhe as tjetra. Është thjesht marrëveshje!
Ka mundësi se këto veprime drejt përshkallëzimit të situatës nuk janë asgjë tjetër vetëm pjesë e një plani Kurti-Vuçiç për ta djegur momentumin e një marrëveshje politike sipas formulës franko-gjermane.
Sidoqoftë, kjo është vetëm një mundësi që është shumë më e vogël sesa mundësia që Kurti dhe Vuçiç i kanë bashkuar përpjekjet për të trazuar Veriun e Republikës së Kosovës, vetëm për të krijuar kontekstin e nevojshëm për arritje të marrëveshjes.
Mundësia e dytë, pra, është se Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç kanë nevojë për përshkallëzim të skajshëm të situatës në Veri pikërisht që të krijojnë kontekstin e duhur për nënshkrimin e formulës franko-gjermane.
Duke e sjellë situatën në Veri deri në pikën edhe të një ballafaqimi të armatosur, Aleksandër Vuçiç e ka fare të lehtë ta shtyjë argumentin e tij që është duke e përdorur gjithnjë e më shumë, se ai është i gatshëm të pranoj çdo gjë vetëm për të shmangur një luftë tjetër për Kosovën.
Në fund, me një interpretim pak më fleksibil të propozimit franko-gjerman, Vuçiç do të thotë se ka arritur një marrëveshje që nuk e formalizon njohjen e Kosovës dhe i siguron Serbisë anëtarësim të përshpejtuar në BE.
Fundja, pasi Serbia të bëhet anëtare e BE-së, fiton çdo të drejtë për t’i vendosur kushte të posaçme Kosovës në rrugën e saj evropiane, siç beri deri vonë, ta zëmë, Bullgaria me Maqedoninë e Veriut. Në këtë kuptim, trazimi i gjendjes ne Veri do t’ia mundësojë Vuçiçit për t’ia lidhur kryet planit franko-gjerman, pa shumë pasoja te brendshme dhe duke e relativizuar përgjegjësinë historike.
Nga ana tjetër, Albin Kurti me këto veprime dëshiron vetëm tri gjëra në rrafsh të brendshëm dhe atë ndërkombëtar para se t’i bie me laps (kalem) faqes së pranimit të projektit franko-gjerman.
Së pari, ai është duke vendosur opozitën në një kurth, të cilët vetëm kanë filluar të kritikojnë pse nuk po e kurorëzon më shpejtë marrëveshjen. Në këto rrethana, askush nga partitë parlamentare nuk do ta ketë pastaj të drejtën morale për të mos e votuar marrëveshjen dhe ndarë përgjegjësinë me Kurtin.
Së dyti, ai dëshiron të shtojë edhe pak trysninë ndërkombëtare në mënyrë që vetë qytetarët e Kosovës të tronditur nga prishja e mundshme me BE-në dhe SHBA-të, të pranojnë çfarëdo marrëveshje si propozimi franko-gjerman.
Së treti, ai synon të krijojë një kontekst artificial për ta arsyetuar në mënyrë të rrejshme nënshkrimin e kësaj marrëveshje si veprimin më të mençur për ta luftuar planin rus për përhapje të luftës nga Ukraina edhe në Ballkanin Perëndimor.
Pra, po shihet nga avioni se ai gjithnjë e më tepër ka përdorur kontekstin gjeopolitik të krijuar nga lufta në Ukrainë për të arsyetuar lëshimet e tij ndaj Serbisë.
Kësisoj, ai do të falsifikojë një kontekst historik për të arsyetuar shkeljen e çdo zotimi të bërë deri në atë ditë si dhe do të plotësojë nevojën e tij psikologjike për t’u dukur si aktor i rëndësishëm në rrjedhën e historisë botërore.
Ne çdo rrethanë, kjo punë nuk ka asgjë të bëjë me veprimet e njëanshme kombëtare të Qeverisë apo shkurtpamësinë strategjike të Kurtit.
Është thjesht një lojë e shëmtuar prapaskenash Kurti-Vuçiç të cilat kanë filluar shumë, shumë kohë para se plani franko-gjerman të dal në dritë.
P.S
Për ndërkombëtarët,
Nëse s’keni fuqi ta impononi planin, atëherë Kosova o është e pavarur o e zhbërë. Kjo është dilema e këtij momenti, këtë duhet ta dini.
Përndryshe, na hapni rrugë e le të bashkohemi me Shqipërinë, ose përkraheni dhe ndihmojeni pavarësinë deri në fund.
Sepse për ne, miq të dashur, kjo situatë është “Kosova’s Hamlet moment”.