Kosova

Kosovë: Analistë shqiptarë e serbë debatojnë raportin e Dik Martit

Analistë shqiptarë dhe serbë u paraqitën të ndarë rreth ndikimeve që mund të ketë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por edhe komuniteteve në Kosovë, raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty në të cilën akuzohet Kryeministri Hashim Thaçi si kreu i një grupi kriminal i lidhur me trafikimin e organeve të marra nga serbët që mbaheshin të burgosur gjatë konfliktit në Kosovë. Ata i bënë këto komente në një debat lidhur me këtë çështje në qendrën e Medias në Çaglavicë afër Prishtinës.

Ish-këshilltari i disa prej shefave të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Nenad Radosavlevic, tha se nuk kishte arritur të gjejë ndonjë dëshmi për trafikim të organeve gjatë kohës sa kishte punuar në UNMIK ndonëse kishte dëgjuar deklarata rreth kësaj çështjeje.

“Unë vërtetë në bazë të informacioneve kam bërë përpjekje sepse kamë lëvizur lirshëm nëpër tërë territorin e Kosovës si pjesëtar i Kombeve të Bashkuara, por nuk kam arritur gjatë asaj kohe të gjej diçka për atë që më kishin thënë ata që më kishin dhënë informacione të tilla”, tha zoti Radosavlevic.

Të dyja palët i shfaqën të ndarë megjithatë rreth raportit. Analistët shqiptarë thanë se ai është i bazuar në pohime tashmë të njohura kryesisht të Beogradit, ndërsa ata serbë thanë se pohimet janë serioze. Të dyja pakët u pajtuan se janë hetimet e pavarura ato që duhet të hedhin dritë në këtë raport. Derisa analistët shqiptarë thanë se raporti nuk dëmton gjendjen e sigurisë dhe as marrëdhëniet ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij serb, analistët serbe mendojnë se kjo i rëndon shumë këto marrëdhënie. Të dyja pajat janë të bindur se ai do të ushtrojë në njëfarë forme ndikim në bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Analistët Shkelzen Maliqi dhe Krenar Gashi mendojnë se imazhi i dëmtuar i Kosovës nga ky raport do të pasqyrohet edhe në ato bisedime.

“Me këtë raport është dashtë të bëhet presion në njërën prej palëve negociatore ose kryenegociatorin në këtë rast Hashim Thaçin si kryeministër i Kosovës, i tashëm dhe sipas të gjitha gjasave edhe i ardhshëm, në mënyrë që ti qitet përpara njëfarë karte spekulative se ai qenka përgjegjës për diçka që nuk është e dëshmuar që ai fare ka marr pjesë në të”, tha analisti Maliqi.

“Ky raport, si i tillë që është një përmbledhje akuzash të cilat janë bërë bozë në këto treva, nuk e dëmton dialogun si të tillë mirëpo e dëmton edhe ashtu pozicionin e pafavorshëm të tanishëm të Kosovës karshi këtij dialogu, për të vetmen arsyeje sepse e ka dëmtuar në një masë imazhin e Kosovës tek vendet tona mike, tek vendet e Bashkimit Evropian i cili për më shumë do të jetë drejtpërdrejt i involvuar në këtë dialog”, tha analisti Gashi.

Analisti Zhivojin Rakocevic është i bindur se pozicioni i kryeministrit Hashim Thaçi do të jetë ndryshe në bisedimet me Beogradin

“Është e sigurt se vetëm Hashim Thaçi ka liri dhe mundësi që të jetë i butë në bisedimet me Beogradin  dhe mendoj se ky raport i Dick Martyt do t’i ndihmojë të jetë edhe më i butë dhe që çështjet jetësore t’i duken ndryshe”,tha analisti Rakocevic.

Kosova reagoi me zemërim pas publikimit të raportit të zotit Marty duke i cilësuar akuzat e ngritura në të si të motivuara politikisht me qëllim të dëmtimit të shtetit të ri. Sot ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi u ka shkruar letër vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, si dhe autoriteteve të tjera evropiane, duke nënvizuar se akuzat e raportit kanë për qëllim të pengojnë njohjet ndërkombëtare Kosovës, si dhe të dobësojnë pozitat e qeverisë së Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë. Ai i ka siguruar zyrtarët evropian për gatishmërinë e plotë për të mbështetur çdo hetimi vendor apo ndërkombëtar, në mënyrë që akuza të tilla të mbyllen njëherë e përgjithmonë. Po këtë gatishmëri e ka shprehur edhe prokuroria e shtetit e Kosovës e cila kërkoi sot që të gjitha materialet e zotit Marti t`i dorëzohen Prokurorisë së Posaçme të Kosovës. Prokuroria e Shtetit siguron Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës se pohimet e raportuesit të saj, do të vlerësohen si informata shumë serioze, dhe se do të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë faktorët relevantë për hetimin e drejtë dhe të paanshëm të informatave dhe të të gjitha pohimeve të prezantuara në raport.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button