Kosovë, flamuri amerikan ulet në gjysmështizë në nder të viktimave të 11 shtatorit
Në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA, flamuri amerikan u ul këtë të dielë në gjysmështizë nga Garda e Nderit e Policisë së Kosovës, ndërsa zjarrfikëset në Prishtinë parakaluan me alarme të ndezura në sheshin “Bill Clinton”.
Agim Rexhepi nga shoqata “Miqtë e Amerikës” tha se, ky veprim është një përkujtim i sulmeve në SHBA, duke shtuar se populli amerikan ka bërë shumë për Kosovën dhe është detyrim të solidarizohemi me ta.
Kjo datë e një ngjarjeje të zymtë është përkujtuar edhe nga krerët më të lartë shtetit dhe qeverisë së Kosovës, përfshi presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli, si dhe kryeministrin Isa Mustafa.
Presidenti Hashim Thaçi është shprehur se sulmet e 11 shtatorit ishin agresion ndaj botës së lirë demokratike dhe synonin të shkelnin mbi parimet dhe vlerat humane universale. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Thaçi ka thënë se në përvjetorin e 15 të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, “ne jemi pranë popullit amerikan për të ndarë dhimbjen për humbjen e 3.000 qytetarëve të pafajshëm, si dhe për të shprehur angazhimin tonë të palëkundur përkrah SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit”.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste në SHBA, me anë të një komunikate të lëshuar nga Qeveria e Kosovës. Në të shkruhet se, kryeministri Mustafa është shprehur se më 11 shtator 2001 në Nju Jork, në Pentagon dhe Pensilvani u sulmua bota demokratike dhe vlerat më kulmore të saj.
“Nga atëherë, vende të ndryshme të botës kanë qenë cak i sulmeve terroriste dhe viktima të shumta të pafajshme pësuan nga këto akte barbare. Por koha po e dëshmon se bota demokratike me SHBA-të në krye, e prirë nga vlerat më të larta humane, është sot më e fortë dhe më e vendosur në përballje me këtë të keqe globale. SHBA-të, populli amerikan dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në mbarë botën, përkundër dhimbjes së pamasë, nuk u gjunjëzuan më 11 shtator dhe janë sot më të përkushtuar se kurrë në fuqizimin e vlerave të lirisë, të demokracisë e të mirëqenies, anekënd globit”, ka thënë kryeministri.
Ndërkohë, nën patronazhin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë, është mbajtur këtë të dielë një akademi përkujtimore në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë fjalës së tij, kryeparlamentari Veseli tha se 15 vite më parë, bota pa me sy dhe ndjeu me zemër, një nga momentet më dramatike të historisë bashkëkohore: sulmin e pashembullt terrorist mbi kullat binjake në Nju Jork.
“Atë ditë, anekënd botës u tronditën zemrat e njerëzve nga të gjitha kombet, racat, kulturat dhe besimet. U tronditën zemrat e njerëzve që besojnë në lirinë njerëzore, në të drejtat e njeriut, në demokracinë dhe paqen mes popujve. Janë këto vlera supreme, të cilat sot gjejnë garantuesin kryesor tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.
Kreu i legjislativit theksoi se qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ndihen krenarë që janë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër terrorizmit.