Kosova

Kosovë- Gjermani, nënshkruajnë marrëveshje për Bashkëpunim Teknik 2014-2015, me vlerë 20 milionë euro

Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe zëvendësambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christina Gehlsen, nënshkruan sot Marrëveshjen për Bashkëpunim Teknik 2014 dhe 2015.

Duke falënderuar zv/ambasadoren Christina Gehlsen dhe stafin e saj për bashkëpunimin e ofruar gjatë të gjitha këtyre proceseve, ministri Hoti tha se “këto marrëveshje e fuqizojnë edhe më tutje bashkëpunimin e suksesshëm që kemi ndër vite si dy qeveri”.

“Qeveria gjermane përbën njërin ndër partnerët kryesorë, i cili mbështet Kosovën përmes asistencës financiare dhe teknike në shumë sektorë me rëndësi jetike për vendin. Mbështetja e vazhdueshme e partnerëve strategjikë, siç është shteti gjerman, kanë mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të shtetit të Kosovës. Volumi i mbështetjes financiare dhe teknike i qeverisë gjermane që nga viti 1999 deri në vitin 2015 arrin vlerën në 450 milionë euro, të përdorura për implementimin e projekteve të ndryshme tejet të rëndësishme”, nënvizoi Hoti duke shtuar se mbështetja e qeverisë gjermane për këto dy vite, 2014 dhe 2015, përmes asistencës teknike arrin vlerën prej 20 milionë euro.

Ministri Hoti u shpreh se “presim që shumë shpejtë të përfundojnë procedurat e nevojshme rreth marrëveshjes kornizë që kemi negociuar me qeverinë gjermane, që nënkupton se në vitet e ardhshme nuk do të ketë nevojë të nënshkruajmë marrëveshje specifike vit për vit, por do të jetë marrëveshja kornizë ajo që do ta drejtojë bashkëpunimin tonë”.

Ndërsa, zëvendës Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Christina Gehlsen, tha se “ne po nënshkruajmë sot marrëveshjet për projektet e bashkëpunimit teknik në shumën prej mbi 20 milionë euro. Në fokus janë vënë sfidat më të rëndësishme për Kosovën me qëllim të ngritjes së një ekonomie private aktive dhe një administrate të përgjegjshme, si dhe arritjes së punësimit të njerëzve”.

Marrëveshja për Bashkëpunim Teknik për vitin 2014 kap vlerën prej 7,590,000 euro dhe do të përdoret për financimin e projekteve si: Këshillimi në fushën e reformave juridike; Reforma e sistemeve publike financiare; Ndërtimi i kapaciteteve në sektorin e arsimimit fillor; Mbështetja e punësimit të të rinjve dhe integrimi i tyre në tregun e punës; Fondi i studimeve dhe i specialistëve; Ngritja e shërbimeve të qëndrueshme lokale (menaxhimi i mbeturinave).

Ndërsa, Marrëveshja për Bashkëpunim Teknik për vitin 2015 kap vlerën në total prej 12,500,000 euro dhe do të përdoret për financimin e projekteve si vijon: Ndërtimi i kapaciteteve në sektorin e arsimimit fillor; Mbështetja e punësimit të të rinjve dhe integrimi i tyre në tregun e punës; Menaxhimi i tokës, kadastrat;
Efiçienca energjetike nëpërmjet shfrytëzimit decentral të ngrohjes diellore;Ngritja e shërbimeve të qëndrueshme lokale (menaxhimi i mbeturinave); Fondi i studimeve dhe i specialistëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button