Kosovë: Kushtetuesja bllokon vendim e Presidentes Osmani
Gjykata Kushtetuese e Kosovës pezullon përkohësisht dekretin e Presidentes Osmani të datës 06.03 për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
Gjykata Kushtetuese vendosi më 09.03, masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, dekret i nxjerrë më 6 mars, pas dështimit të Kuvendit që të zgjedhë Presidenten/in.
Sipas Kushtetueses masa e përkohshme është vendim i marrë kryesisht (ex officio) që është në fuqi deri më 31 mars dhe ai ndalon çdo veprim të presidentes Osmani në lidhje me dekretin e saj, si dhe ia ndalon çdo veprim edhe Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Pezullim i përkohshëm vlen si për Presidenten dhe për Kuvendin
Sipas njohësve të kushtetutës kjo masë e përkohshme, nënkupton që Presidentja Vjosa Osmani, në këtë fazë nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, sikurse as Kuvendi i Kosovës nuk mund ta vazhdojë seancën e nisur më 5 mars për zgjedhjen e Presidentes/it.
Vetëm disa orë para se Kushtetuesja të nxjerrë masën e përkohshme, Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet që udhëheq me qeverinë e Kosovës, dërgoi zyrtarisht ankesën në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës. Njoftimin e bëri shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes Arbërie Nagavci, e cila bëri të ditur se i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta pezullojë përkohësisht dekretin e Presidentes deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.
Nagavci: Osmani ka tejkaluar kompetencat kushtetuese
“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit. Roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, shkroi Nagavci në Facebook. Sipas saj, “çdo veprim jashtë këtyre kufijve përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe cenim serioz të parimit themelor të ndarjes së pushteteve”.
“Në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj. Përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve”, thuhet më tej në njoftim.
Ankesa e Vetëvendosjes
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani më 06.03, pasi parlamenti dështoi për ta zgjedhur Presidenten/in e vendit, nxori dekretin për ta shpërndarë Kuvendin,dekret ky që do ta çonte Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare, kur Osmani ta caktonte datën e zgjedhjeve të reja. Mirëpo, sapo Vetëvendosja u ankua zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të Presidentes Osmani, kabineti i kësaj të fundit njoftoi të hënën se Presidentja “ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve dhe se ajo është në pritje të Gjykatës Kushtetuese”.
“Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, thuhej në njoftimin e Presidencës së Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.