Kosova

Kosovë: Prokuroria thotë se s’ka prova të mjafta për përgjimet

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, tha të mërkurën se askush nuk është i paprekshëm dhe personat përgjegjës do të nxirren para ligjit, nëse vërtetohet se ka elemente te veprës penale në bisedat e përgjuara telefonike të shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, me zyrtarë të ndryshëm të kësaj partie, përfshirë edhe ish kryetarin e saj Hashim Thaçi dhe atë aktual, Kadri Veseli.

Gazeta në internet, Insajderi.com, publikoi një pjesë të përgjimeve të bisedave të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike në të cilat, sipas gazetës, shfaqet ndikimi i ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Gazeta pohon se ka mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike të nxjerra me vendim gjykate gjatë muajve të fundvitit 2011. Në dhjetor të vitit 2012 qenë publikuar disa syresh në të cilat përfshiheshin çështje të ndryshme të veprimtarisë qeveritare e partiake.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, tha atëbotë se regjistrimi i bisedave telefonike ishte bërë më urdhër gjykate në kuadër të hetimeve në ministrinë e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit. EULEX-i kishte mohuar çdo mundësi që bisedat të kishin rrjedhur në publik nga ana e prokurorit të çështjes.

Kryeprokurori Lumezi tha të mërkurën se përgjimet kanë të bëjnë me rastin e ish Ministrisë së Transportit, ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci.

Ai tha se provat e siguruara nga përgjimet e telekomunikimit kanë qenë të ligjshme dhe të gjitha ato biseda në kohën e hetimeve kanë qenë të njohura për prokurorin e lëndës, si dhe për pjesëmarrësit tjerë në procedurë.

Por, tha ai, “niveli i provave, të cilat kanë qenë objekt vlerësimi nga prokurori ndërkombëtar, sipas prokurorit ndërkombëtarë, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ngritur akuza. Tani ato prova nuk mund të rivlerësohen si bazë e mjaftueshme për ngritjen e akuzës, sepse cenojnë parimin e sigurisë. Për rihapje të hetimit duhen prova të reja, të cilat nuk kanë qenë objekt vlerësimi nga prokurori ndërkombëtar“.

Tash për tash, tha zoti Lumezi, “ende nuk kemi të gjitha të dhënat e duhura andaj mund të jetë e parakohshme të japim çfarëdo komenti në lidhje me rastin, mirëpo sigurojmë se do të veprojmë në pajtim me ligjin dhe rastin do ta trajtojmë me përkushtim maksimal dhe profesionalizëm, për aq sa do të kemi mundësi ligjore që të veprojmë. Si Kryeprokuror i Shtetit garantoj se askush nuk është i paprekshëm dhe nëse gjejmë se ka elemente se janë kryer vepra penale, atëherë Prokurori i Shtetit do të veprojë me gjithë forcën e ligjit dhe personat përgjegjës do t’i nxjerrë para ligjit“, theksoi ai.

Ai tha se Prokurori i Shtetit “është mobilizuar maksimalisht, si në aspektin profesional ashtu edhe atë njerëzor në analizimin e plotë të rastit dhe ne tashmë kemi idetë fillestare se si do të procedojmë më tutje me rastin, ndërsa që në kohën e duhur do të bëjmë publike të gjitha veprimet tona, gjithmonë duke pasur parasysh konfidencialitetin e hetimeve“.

Kryeprokurori Lumezi u bëri thirrje qytetarëve, medieve dhe të gjithë të tjerëve të kenë durim dhe ta lejojnë organin e ndjekjes ta bëj punën e tij në mënyrë të pavarur ashtu sikurse është e garantuar me ligj, “ndërsa ne sigurojmë edhe njëherë se rasti do të trajtohet në tërësi dhe përgjegjësit, nëse gjenden prova të mjaftueshme, do të dërgohen para gjykatës”.

Publikimi i përgjimeve nxiti shumë reagime në Kosovë.

Publikimi i përgjimeve nxiti shumë reagime në Kosovë. Ambasadori amerikan Greg Delawie tha se “inkurajon palët e përfshira që të vazhdojnë me një analizë të plotë dhe transparente. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, shkroi ai në rrjetin social twitter.

Lëvizja Vetëvendosje i bëri thirrje prokurorisë që t’i çojë hetimet deri në fund.

Pesë vjet më parë, kur qenë shfaqur përgjimet e para, qeveria që drejtohej nga ish kryeministri Hashim Thaci, kishte kërkuar ndriçimin e tyre, ndërsa kishte theksuar se “mekanizma të caktuar vendor dhe ndërkombëtarë, se përmes nxjerrjes së regjistrimeve synojnë të shtantazhojnë institucioneve shtetërore“.

Zyrtarë të EULEX-it pa pranuar të mohojnë apo pohojnë prerazi vërtetësinë e bisedave thanë atëbotë se “materialet e bisedave u bënë publike pasi i ishin dorëzuar Gjykatës dhe Këshillit të Mbrojtjes në një proces gjyqësor”.

Pesë vjet më pas, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka theksuar se publikimi i bisedave “është tendencë për eliminime politike“.

Lëvizja Vetëvendosje tha se bisedat e publikuara janë edhe një arsye më shumë që nuk duhet pranuar marrëveshjet dhe vendimet e marra” nga protagonistët e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button