Kosove: Urimet për Krishtlindje
Krerët institucionalë dhe fetarë të Kosovës kanë uruar besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjes.
Në urimin e Ipeshkvit të Kosovë, Dodë Gjergji, theksohet se festa e Krishtlindjes është moment hareje dhe gëzimi, dhe ftohet të gjithë besimtarët që të jenë më të kujdesshëm për njerëzit në nevojë, të cilët nuk duhet harruar as atëherë kur lypset duresë dhe sakrificë për çështje madhore dhe për ruajtjen e vlerave të përbashkëta.
“E gjithë kjo, duhet të bie mbi supet e drejtuesve të pasurive tona kombëtare dhe mbi përdoruesit e të mirave tokësore dhe assesi jo mbi të mjerët, të varfërit apo mbi ata që kanë nevojë për kujdesin tonë shoqëror, dhe as mbi ata që kanë kontribuar gjatë gjithë jetës së tyre për të mirat që ne i gëzojmë sot”, thuhet në urimin e Ipeshkvit Gjergji.
“Individë apo popuj, që angazhohen për të gjetur të mirën e përbashkët, duhet të bëjnë dialog të sinqertë me njëri-tjetrin dhe të kenë synime të qarta, që të mos jetë në dëm të askujt. Jo vetëm shoqëria, por edhe secili prej nesh, është i ftuar t’i vërë në shërbim kapacitetet shpirtërore dhe intelektuale, si dhe pasuritë që i kemi në dobi të të gjithëve”.
Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka uruar Shenjtërinë e Tij, Papa Benedikti XVI dhe ipeshkvin e Kosovës, Dodë Gjergji, me rastin e Krishtlindjeve, me urimet që në këtë festë të madhe për besimtarët katolikë të mbretërojë paqja, dashuria dhe mirëkuptimi e toleranca.
“Kosova vazhdon të njihet nga shtete të ndryshme demokratike të botës dhe ne besojmë fuqishëm se ky proces do të vazhdojë me ritme edhe më të larta në vitin në vijim. Njohja e Republikës së Kosovës nga Vatikani pritet me padurim nga i gjithë populli i Kosovës, i cili, si gjithmonë, është shembull i rrallë i bashkëjetesës, i harmonisë dhe i tolerancës ndërmjet njerëzve të etnive dhe të besimeve të ndryshme, prandaj Shenjtëria Juaj, Ju lus, ta keni parasysh kërkesën tonë për njohjen e Republikës së Kosovës”, thuhet në urimin e Krasniqit dërguar Papa Benediktit XVI. Ndërsa në urimin dërguar ipeshkvit Gjergji, me rastin e festës së Krishtlindjeve, Krasniqi ka uruar që në Kosovë të mbretërojë paqja, dashuria dhe mirëkuptimi e toleranca.
Kurse, në urimin e kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, për Gjergjin dhe besimtarët katolikë, thuhet se kjo festë përçon mesazhin e lindjes së besimit, shpëtimit, humanizmit dhe mirësisë për të gjithë njerëzit në botë. “Qytetarët e Kosovës, të besimit katolik, këtë festë e kremtojnë me dinjitet dhe respekt të lartë në familjet e tyre, duke i dhënë shkëlqim dhe solemnitet respektit të vazhdueshëm për njëri-tjetrin”, thuhet në mesazhin e kryeministrit në largim të vendit”, thuhet në urim. Për festën, besimtarët i kanë uruar edhe partitë politike kosovare.