Kostoja e padukshme e punës
Shumë prej nesh e matin punën me pagën në fund të muajit. Por çfarë mbetet jashtë kësaj llogarie është ajo që ndodh çdo ditë me trupin dhe mendjen gjatë atyre orëve. Puna nuk është vetëm mënyra si fitojmë para, është edhe një nga gjërat që na formëson më shumë shëndetin, shpesh pa e kuptuar.
Nuk bëhet fjalë vetëm për aksidentet, për rëniet nga skelat apo për makineritë që nuk falin gabime. Bëhet fjalë edhe për lodhjen që grumbullohet, për orët që zgjaten pak nga pak, për stresin që nuk ka emër konkret, por që ndihet. Këto janë gjëra që nuk hyjnë në statistika të përditshme, por që në fund kanë po aq peshë sa një incident i vetëm i madh.
Studimet ndërkombëtare kanë dalë herët në përfundime se, mënyra si punojmë ndikon në zemrën, në gjumin, në nervat dhe në jetëgjatësinë tonë. Në disa raste, puna mund të jetë mbrojtëse, të japë stabilitet dhe ritëm. Në raste të tjera, mund të bëhet burim i vazhdueshëm presioni dhe rreziku.
Në Shqipëri, kjo nuk është diçka që duhet imagjinuar. Mjafton të shohësh shifrat dhe sektorët ku punohet më shumë. Një ekonomi që mbështetet fort te ndërtimi, te puna fizike dhe te ritmet e shpejta të zhvillimit krijon automatikisht më shumë ekspozim ndaj rrezikut. Dhe kur kësaj i shtohet informaliteti dhe standardet që jo gjithmonë zbatohen në terren, atëherë lidhja mes punës dhe shëndetit bëhet shumë konkrete.
Sipas kreut të Inspektoratit të Punës, Eljo Muçaj, shkeljet më të shpeshta që konstatojnë inspektorët lidhen me mungesën e masave bazë të sigurisë.
Në terren, problematikat më të zakonshme janë mospërdorimi i pajisjeve mbrojtëse, mungesa e trajnimit të punonjësve, dokumente formale të vlerësimit të riskut, që nuk njihen nga stafi, dhe ekspozimi ndaj faktorëve si pluhuri, zhurma, temperaturat ekstreme apo ngarkesat fizike. Ai thekson se një pjesë e madhe e këtyre shkeljeve lidhen drejtpërdrejt me rrezik për jetën dhe me sëmundje profesionale afatgjata.
“Mungon kultura e sigurisë te bizneset shqiptare. Në shumë raste, kompanitë reagojnë vetëm pas gjobës ose ndërhyrjes së inspektorëve dhe jo përmes parandalimit”, – thotë z. Eljo Muçaj.
Sipas tij, kjo tregon se tregu shqiptar mbetet ende “më shumë reaktiv sesa parandalues”, ndërsa siguria vazhdon të shihet si detyrim formal dhe jo si investim për produktivitetin dhe qëndrueshmërinë e biznesit.
Z. Muçaj ndalet edhe tek informaliteti, të cilin e konsideron një faktor që rrit drejtpërdrejt rrezikun në punë. Ai thotë se punëmarrësit e padeklaruar mbeten jashtë skemave të mbrojtjes sociale, nuk trajnohen për rreziqet dhe nuk përfshihen në sistemet e sigurisë së ndërmarrjeve.
“Punëmarrësi mbetet jashtë sistemit”, shprehet ai, duke paralajmëruar se kjo krijon një mjedis pune ku mungon sjellja e strukturuar dhe e sigurt.
Shëndeti në të gjitha dimensioned
Kur flitet për shëndetin në punë, vëmendja zakonisht shkon tek aksidentet fizike, por panorama është shumë më e gjerë. Siç thekson mjekja radiologe Arjana Sina, Drejtoreshë Mjekësore e Wellness Albania Clinic, gjithçka duhet të nisë më herët, që në identifikimin e rrezikut, pasi çdo punonjës ekspozohet çdo ditë ndaj faktorëve që shpesh mbeten të nënvlerësuar dhe pa u monitoruar siç duhet. Vendi i punës ndikon njëkohësisht në trup, në mendje dhe në cilësinë e jetës afatgjatë.
Rreziqet fizike mbeten më të dukshmet. Në ndërtim, industri, miniera apo bujqësi, ekspozimi ndaj lartësive, makinerive të rënda, pluhurave, kimikateve apo temperaturave ekstreme rrit mundësinë e lëndimeve serioze dhe sëmundjeve profesionale.
Problemet muskuloskeletore nga ngritja e peshave, qëndrimi i zgjatur në këmbë apo lëvizjet e përsëritura janë ndër shqetësimet më të zakonshme, edhe në profesione që duken më pak të rrezikshme.
Në praktikë, siç vëren ajo, shumë prej këtyre dëmtimeve mund të parandaloheshin ose të kapeshin në faza të hershme, nëse protokollet bazë të kontrollit dhe check up-et vjetore do të zbatoheshin realisht.
Po aq të rëndësishme janë rreziqet “e padukshme”, ato që nuk lënë shenja të menjëhershme. Orët e gjata ulur, mungesa e lëvizjes, ritmet intensive dhe puna pa pushim ndikojnë në shtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit, problemeve me metabolizmin dhe çrregullimeve të gjumit.
Në shumë raste, dëmi ndërtohet ngadalë dhe bëhet i dukshëm vetëm pas vitesh, shpesh në një fazë kur, sipas saj, efektet mund të jenë të vështira për t’u kthyer pas.
Një tjetër dimension është shëndeti mendor. Stresi kronik, pasiguria për vendin e punës, presioni për performancë, konfliktet me menaxhimin apo mungesa e balancës mes jetës personale dhe asaj profesionale krijojnë terren për ankth, lodhje emocionale dhe “burnout”.
Në sektorë si shërbimet, call center-at, shëndetësia apo arsimi, kjo barrë shpesh është po aq e rëndë sa rreziku fizik. Znj. Sina thekson se një punonjës emocionalisht i shëndetshëm dhe i motivuar ka ndikim të drejtpërdrejtë në produktivitet, çka e bën këtë dimension jo vetëm çështje mirëqenieje, por edhe performancë ekonomike.
Ka edhe rreziqe sociale, të lidhura me kulturën e punës. Ngacmimi, diskriminimi, puna informale pa mbrojtje ligjore, mungesa e kontratave dhe frika për të humbur vendin e punës e bëjnë punonjësin më të ekspozuar dhe të priret më pak që të kërkojë ndihmë.
Në këto kushte, siç nënvizon ajo, shpesh mungon edhe vetë ndërgjegjësimi për rreziqet dhe për pasojat që ato kanë në shëndet, duke bërë që shumë problematika të zbulohen vetëm në faza të avancuara.
Në kompani mungojnë mjekët
Në shumë kompani shqiptare, kujdesi për shëndetin e punonjësve mbetet më shumë një detyrim në letër sesa një praktikë reale.
Edhe pse ligji kërkon që çdo punëdhënës të ketë mjek pune dhe kushte të përshtatshme për kontrollin shëndetësor, realiteti është ndryshe: qindra biznese vazhdojnë të operojnë pa asnjë strukturë mjekësore. Inspektimet e fundit të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor kanë nxjerrë në pah se në shumicën e rasteve mungon jo vetëm mjeku i punës, por edhe pajisjet bazë për ndihmën e parë.
Gjatë vitit 2024, si viti i fundit që ka të dhëna, trupat inspektuese të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor kanë kryer 1,269 inspektime dhe riinspektime në ndërmarrje për të verifikuar nëse punëdhënësit zbatojnë detyrimet për kujdesin shëndetësor të punonjësve.
Nga këto, 1,172 ishin inspektime fillestare dhe 97 riinspektime, që synonin të kontrollonin mbulimin e vendeve të punës me mjek të punës, sigurimin e kontrollit mjekësor në momentin e punësimit dhe gjatë periudhave të mëvonshme, si dhe kushtet higjieno-sanitare në mjediset e punës.
Sipas të dhënave, shumica e shkeljeve lidhen me mungesën e mjekut të ndërmarrjes apo të kontratës me mjekun e punës, si dhe me mungesën e dhomës apo pajisjeve mjekësore të nevojshme. Në shumë raste, punonjësit nuk janë pajisur me dokumentacionin bazë mjekësor dhe kartelat shëndetësore nuk janë plotësuar saktë.
Sipas Ligjit nr. 10237, datë 18.2.2010 “Për shëndetin dhe sigurinë në punë”, çdo punëdhënës është i detyruar të garantojë mbrojtjen shëndetësore të punonjësve përmes mjekut të punës, i cili monitoron gjendjen shëndetësore dhe përshtatshmërinë e tyre me rreziqet e vendit të punës.
Ligji kërkon gjithashtu që çdo ndërmarrje të ketë dokumentacion shëndetësor të përditësuar dhe të sigurojë kontrolle mjekësore periodike.
Shpërndarja e riskut
Rritja e aksidenteve në punë në Shqipëri nuk është më thjesht një çështje sigurie, por një kosto që po materializohet drejtpërdrejt në bilancet e bizneseve. Gjatë vitit 2025, janë vendosur 268 gjoba me një vlerë totale prej 64.5 milionë lekësh, një sinjal se presioni administrativ po rritet paralelisht me incidencën e shkeljeve. Por shifrat e ndëshkimeve janë vetëm sipërfaqja e një problemi më të thellë.
Pas tyre qëndron një realitet më i ashpër. Në të njëjtin vit janë regjistruar 275 aksidente në punë, me 212 persona të lënduar dhe 48 viktima. Këto të dhëna e vendosin vitin 2025 ndër më problematikët e dekadës së fundit dhe konfirmojnë një trend që nuk po përmbyset.
Për periudhën 2018–2025, numri i viktimave ka ndjekur një trajektore në rritje, duke sugjeruar se përmirësimi i standardeve nuk ka ecur me të njëjtin ritëm si aktiviteti ekonomik.
Shpërndarja e aksidenteve nuk është e rastësishme. Sektorët më të ekspozuar mbeten ata ku rritja ekonomike është më intensive dhe ku puna fizike dominon: ndërtimi, industria përpunuese, minierat dhe një pjesë e shërbimeve.
Në këto aktivitete, kombinimi i ritmeve të larta të punës me standarde të dobëta sigurie krijon probabilitet më të lartë incidentesh. Shkeljet më të zakonshme lidhen me mungesën e pajisjeve mbrojtëse, trajnimeve dhe zbatimit të procedurave teknike, elemente bazë që, në praktikë, shpesh anashkalohen.
Reagimi institucional është bërë më i fortë. Inspektimet për shkak aksidenti janë rritur me 23% gjatë vitit dhe në çdo rast janë konstatuar shkelje, shpesh të shumëfishta për të njëjtin subjekt. Kjo sugjeron një lidhje të drejtpërdrejtë mes aksidenteve dhe mosrespektimit të rregullave, më shumë sesa një seri ngjarjesh të rastësishme. Në total, janë inspektuar 9,532 subjekte dhe janë verifikuar mbi 205 mijë vende pune, duke treguar se problemi nuk është i izoluar, por i shpërndarë gjerësisht në ekonomi.
Sikurse pohon edhe kreu i Inspektoratit të Punës, Eljo Muçaj, kostoja reale e aksidenteve shkon përtej gjobave. Për bizneset, ato përkthehen në ndërprerje të aktivitetit, humbje produktiviteti dhe detyrime financiare shtesë. Për shtetin, efekti reflektohet në rritjen e barrës mbi sistemin shëndetësor dhe skemat e sigurimeve, si dhe në humbjen e kontributit aktiv të fuqisë punëtore.
Z.Muçaj thotë se profili i rrezikut në vendin e punës në Shqipëri nuk lidhet më vetëm me aksidentet klasike fizike, por po bëhet gjithnjë e më kompleks.
Sipas tij, përveç rënieve nga lartësia apo përdorimit të makinerive, sot po shtohen edhe rreziqet organizative, si orët e gjata të punës, presioni dhe lodhja, ndërsa problem mbetet edhe mungesa e zbatimit real të standardeve të sigurisë në praktikë.
Ai veçon ndërtimin, minierat, industrinë përpunuese dhe së fundmi sektorin e shpërndarjes (delivery) si aktivitetet me rrezikun më të lartë për sigurinë dhe shëndetin në punë. /Monitor.al/
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.