Kuratori Ardian Isufi: Ekspozita “Honoris Causa” një hapësirë, ku historia vihet në lëvizje përmes hulumtimit studentor
Piktura, vizatime, skulptura, grafika, tekstili dhe moda, multimedia dhe fotografia në “Honoris Causa”, që vjen si një ekspozitë studentore, në kuadër të 60-vjetorit të Universitetit të Arteve. Në hapësirat e ekspozitës në galerinë FAB të Fakultetit të Arteve të Bukura-Universiteti i Arteve Tiranë, prezantohen një gamë e gjerë mediumesh, ku eksperimentimi dhe kërkimi artistik zhvillohen paralelisht. Ekspozita u hap në galerinë FAB në vijim dhe të një sërë aktivitetesh të tjera, që janë zhvilluar këto ditë në kuadër të 60-vjetorit të Universitetit të Arteve.
Kuratori i ekspozitës prof. asc. dr. Ardian Isufi shprehet se institucionet ruajnë kujtesën përmes arkivave, dhe kjo kujtesë merr kuptim vetëm kur përdoret për të nxitur procesin krijues drejt së ardhmes. “Çdo institucion ndërton një arkiv. Çdo arkiv ndërton një kujtesë. Dhe çdo kujtesë, kur mbetet e gjallë, hap procese drejt së ardhmes.
“Honoris Causa”, në përkufizimin e tij klasik, është një titull që jepet jashtë rregullit, si një përjashtim që konfirmon autoritetin e institucionit për të njohur vlera të shtuara. Është një akt sovran përmes të cilit institucioni jo vetëm nderon, por edhe përcakton kufijtë e vetes. Kjo ekspozitë lind pikërisht në këtë situatë të ndërmjetme të së tashmes. “Honoris Causa” zhvendoset nga një titull i administruar në një gjendje që qarkullon.
Nuk është më një status që fitohet në fund të një rruge, por një praktikë që ndodh në forma zhvilluese si një mënyrë të qenuri brenda aktit të krijimit”, shprehet Isufi. Sipas kuratorit Ardian Isufi, ekspozita sjell një ndryshim thelbësor, duke vendosur titullin “Honoris Causa” në praktikën studentore dhe duke vlerësuar potencialin krijues, që është ende në zhvillim. Punët e paraqitura përfshijnë pikturë, vizatim, skulpturë, grafikë, tekstil, modë, multimedia dhe fotografi, të ndërthurura si fusha eksperimentimi artistik. “Ekspozita propozon një ndryshim thelbësor duke e vendosur këtë titull në praktikën studentore, pra nga një kulturë e njohjes së karrierës dhe konsolidimit të saj, drejt një kulture që njeh drejtpërdrejt potencialin krijues.
Një njohje që nuk pret stabilizimin, por ndërhyn në momentin kur forma është ende në zhvillim. Në këtë kuadër, veprat e prezantuara përfshijnë një gamë të gjerë mediumesh që nga piktura, vizatimi dhe skulptura, tek grafika, tekstili dhe moda, multimedia apo fotografia. Këto mjete komunikimi pamor nuk paraqiten si kategori të ndara, por si fusha të ndërthurura ku eksperimentimi dhe kërkimi artistik zhvillohen paralelisht”, shprehet kuratori.
Ekspozita jo vetëm një nderim për mbi 60 vite histori, por edhe një hapësirë ku historia vihet në lëvizje përmes hulumtimit studentor
Ekspozita nuk feston vetëm suksesin e kaluar, por i jep rëndësi procesit krijues dhe potencialit të studentëve. Titulli “Honoris Causa” sipas prof. asc. dr. Ardian Isufit nuk është thjesht një çmim, por një mënyrë për të njohur krijimtarinë ndërkohë që ajo zhvillohet. “Në kontekstin e 60-vjetorit të Universitetit të Arteve ekspozita nuk operon si një akt celebrimi linear.
Ajo nuk synon të ndërtojë një narrativë të qëndrueshme suksesi, por të hapë vetë idenë e trashëgimisë si një fushë negocimi për perspektiva të reja alternative. “Honoris Causa” propozon një qasje tjetër, duke e zhvendosur nderimin nga e përfunduara tek e papërfunduara, nga autoriteti tek potenciali, si dhe nga arkivi tek procesi.
Në frymën e Paulo Freire, i cili e shihte edukimin si një proces çlirimi dhe dialogu, ashtu siç kjo ekspozitë propozon një marrëdhënie më horizontale mes institucionit dhe studentit, ku njohja nuk është e imponuar, por ndërtohet së bashku. Në këtë mënyrë, ekspozita bëhet jo vetëm një nderim për mbi 60 vite histori, por edhe një hapësirë ku historia vihet në lëvizje përmes hulumtimit studentor që e trashëgojnë dhe njëkohësisht e riformulojnë atë”, thotë kuratori Ardian Isufi. Ekspozita vijon deri më datë 21 maj në mjediset e galerisë FAB.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.