KQZ nuk ç’regjistron kandidatin në Këlcyrë, drejtësia të verifikojë dokumentacionin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mori sot një vendim për kërkesën e Partisë Demokratike që kërkon çregjistrimin e Gentian Muhametit, kandidat i koalicionit te djathte Aleanca Popullore për Punësim dhe Dinjitet, nga gara elektorale e 21 qershorit. Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, KQZ miratoi propozimin e kryetares Lefterije Luzi për t’i përcjellë për verifikim institucioneve kompetente dokumentacionin e kandidatit në fjalë, për të cilin PD kërkon tërheqjen nga kandidimi.
“Jemi para fakteve që ne si institucion nuk i zgjidhim dot, pasi nuk kemi kompetencë ta bëjmë. Propozoj që dëshminë e penalitetit të kandidatit t’ia çojmë për verifikim institucioneve më të larta dhe më pas të mblidhemi e të marrim një vendim për kërkesën e PD-së”, tha Luzi. Në mbështetje të saj u shpreh dhe anëtari tjetër i KQZ-së, i propozuar nga opozita, Hysen Osmanaj, sipas të cilit institucioni zgjedhor nuk ka të drejtë të verifikojë pastërtinë e figurës së kandidatëve.
Nënkryetari i Komisionit Denar Biba, duke parashtruar argumentet për kërkesën e demokratëve tha se kodi zgjedhor nuk e parashikon çregjistrimin e kandidatit nga vetë subjekti që e ka propozuar, ndërsa theksoi se janë kapërcyer të gjitha afatet ligjore.
“Kodi nuk e parashikon fare këtë historinë e kërkesës nga subjektet për të kërkuar çregjistrimin e kandidatit që ata vetë e kanë propozuar dhe ne nuk e kemi as në ligj një rregullim të tillë. Nga ana tjetër, çdo ditë që kalon drejt ditës përfundimtare të zgjedhjeve e komplikon situatën në lidhje me përgatitjen e fletëve të votimit”, tha Biba, ndërsa shtoi se ‘për prishje të interesave, partitë politike dhe mund t’i shantazhojnë kandidatët’.
Biba mbështeti propozimin e kryetares Luzi që KQZ t’i drejtohet për verifikim institucioneve të tjera kompetente.
Në fillim të diskutimit të kësaj çështje në KQZ, e mori fjalën avokati i kandidatit Muhameti, i cili e konsideroi kërkesën të pabazuar në prova dhe ligj, duke i kërkuar Komisionit që të mos e marrë parasysh.
“Kandidati Muhameti ka paraqitur para kryetarit të PD-së dëshminë e penalitetit të shtetit italian, ku ai ka jetuar për disa vite, nga e cila rezulton se nuk ka të kaluar kriminale. Kërkesa e sotme e PD-së, përveç se dëmton të drejtat individuale të kandidatit, është përtej afateve ligjore”, tha avokati.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Ivi Kaso, pasi theksoi kompetencën e shqyrtimit të kërkesës nga organi qendror zgjedhor, nënvizoi se koalicioni APPD e ka vendosur standard të tijin tërheqjen nga kandidimi të të gjithë personave me të kaluar kriminale.
“Dua të bëj me dije qartësisht atë që është bërë e njohur publikisht nga koalicioni ynë, standardi që ne kemi vendosur lidhur me platformën për dekriminalizimin dhe pastrimin e politikës nga elementë të inkriminuar. Ky standard në një nga pikat e veta kërkon moskandidimin ose tërheqjen në çdo kohë nga kandidimi të kandidatëve me të kaluar kriminale. Kandidatët që refuzojnë verifikimin e të kaluarës së tyre ose nuk i përgjigjen këtij kriteri atëhere ata automatikisht e humbasin mbështetjen e koalicionit që i ka propozuar”, shpjegoi juristi Kaso.
Pak ditë më parë Partia Demokratike vendosi të tërheqë nga gara elektorale e 21 qershorit kandidatin e saj për Këlcyrën, Gentian Muhameti, për shkak të dyshimeve për të kaluarën e tij. Ky akt u përshëndet dhe nga Ambasada Amerikane si lëvizje për pastrimin e politikës në Shqipëri. Gjatë ditës së djeshme ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu gjatë një takimi me trupën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka nxitur institucionin qendror zgjedhor që t’i përgjigjet sfidës së dekriminalizimit të politikës shqiptare dhe të të zgjedhurve të saj duke vijuar me çregjistrimin e çdo kandidati të identifikuar si i inkriminuar dhe që vjen si kërkesë e partive politike