Ekonomia

Kreu i OSHEE-së: Falen 54 mijë fatura. Ja kategoritë që përfitojnë

Rreth 54 mijë fatura do të hiqen nga sistemi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në zbatim të dy vendimeve të Entit Rregullator të Energjisë, që i anuloi katër vjet më parë.

aDRIANCELANë një deklaratë për mediat, administratori i OSHEE-së, Ardian Çela theksoi se faturat që do të fshihen nga sistemi janë fatura që kanë të cilësuar në faturim “dëm ekonomik” apo “energji e pamatur”, dhe i përkasin periudhës kohore tetor 2008-prill 2011. Kreu i OSHEE-së përfitoi nga rasti për tu bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë marrëveshjet e pagesave me këste.

KUSH PËRFITON

Administratori i OSHEE- së, Adrian Çela, tha dje për gazetën “Panorama” se gjatë kësaj kohe është bërë një analizë e thelluar e këtyre faturimeve të anuluara nga ERE dhe që rezultojnë në vite të ndryshme nga 2008 deri në 2011. Në masën më të madhe, këto fatura rezultojnë të papaguara nga ana e qytetarëve dhe sipas Çelës do të çohet deri në fund kërkesa e ERE për ta hequr këtë detyrim nga qytetarët. Sipas Çelës, bëhet fjalë për vendimin me numër 90 të vitit 2010 dhe që përfshin 51 500 fatura që kanë të cilësuar në faturim “dëm ekonomik” apo “energji e pamatur”. Të gjitha këto fatura të lëshuara nga CEZ në atë kohë kishin shuma të fryra, duke tejkaluar mesataren mujore të konsumit të qytetarëve. Po kështu, grupit i shtohen edhe mbifaturime aforfe të kthyera nga ERE që në total e çojnë numrin në 54 mijë. Çela tha se nga analiza që u është bërë faturimeve rezulton që shumica nuk e kanë paguar këtë detyrim, por që për çdo rast që mund të ketë pasur ngatërresë apo pagesë, do të ketë trajtim specifik për të gjetur edhe zgjidhjen optimale për palët. Gjithsesi, administratori i OSHEE­së vë theksin se këto do të jenë të vetmet fatura që do të hiqen nga sistemi. Për rastet e tjera kur konsumatorët janë debitorë, do të procedohet me arkëtimin e detyrimit në zbatim të strategjisë që po zbatohet për gjithë sektorin.

VENDIMET E ERE

Në nëntor të 2010­s, Enti Rregullator i Energjisë do të anulonte mbi 51 500 fatura energjie, të cilat ishin ankimuar nga qytetarët për faktin se kompania i kishte mbifaturuar me argumentin e dëmit ekonomik dhe energji e pamatur. Në fillim të 2011­ s, këtij grupi do t’i bashkoheshin edhe 2 400 të tjera. “Të gjitha faturimet e kryera nga ana e CEZ Shpërndarje sh.a. ndaj klientëve familjarë dhe jofamiljarë, me emërtimin ‘dëm ekonomik’ apo ‘energji e pamatur’ pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9997, datë 22.09.2008, janë të paligjshme”, do të shprehej ERE në vendimin e tij. Në atë kohë, rregullatori do të gjobiste çekët dhe do të kërkonte që të zgjidhet situata duke bërë ndryshimet e nevojshme në sistem. Por çekët e CEZ nuk do të merrnin asnjë vendim për t’i hequr nga sistemi mbifaturimet, veprimi i vetëm që ndërmorën ishte ai i ankimimit të gjobës. Kjo bëri që qytetarët të refuzojnë pagesën e faturave, që nga ERE u quajtën abuzive, ndërkohë që kompania do të përkeqësonte pozicionin e saj me vendimet e mëpasme të ndërprerjes së energjisë në mënyrë kolektive. Që nga ajo kohë, në sistem mbeten pezull me mijëra fatura të papaguara dhe vendimi i ERE­s nuk u zbatua dhe nuk u njoh nga CEZ Shpërndarje deri tani që kompania është në pronësi shtetërore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button