Krimet e Rënda konfiskojnë llogarinë 850 mijë euro, para prostitucioni
Prokuroria e Krimeve të Rënda konfiskon llogarinë bankare prej 850 mijë euro të Rovena Kalemit, pasi është provaruse ato janë para prostitucioni.
Sipas burimeve zyrtare të prokurorisë Kalemi nuk ishte arritur të justifikonte burimin e ligjshëm të parave. Gjatë hetimit të kësaj çështje, u ndërthurën elementë të mashtrimit, lëvizje të shpeshta të shumave të konsiderueshme ndërmjet transaksioneve bankare në Zvicër, Luksemburg, Gjermani e Shqipëri.
Prokuroria për Krime të Rënda arriti të bindë gjykatën për konfiskimin e parave të gjendura në llogarinë e Kalemit, të cilat kanë prejardhjen nga sektori i paligjshëm i prostitucionit në Belgjikë. Fillimisht, hetimi për këtë rast është zhvilluar nga Prokuroria e Durrësit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, në bazë të informacionit të institucioneve ligjzbatuese.
Tre persona, dy prej të cilëve shqiptarë të papunë dhe një shtetas belg, me profesion infermier, kanë qarkulluar në verën e vitit 2014 rreth 2 milionë euro në llogaritë e tyre. Sipas pretendimeve të tyre, përfituesja Rovena Kalemi kishte marrë prej mikut të saj nga Brukseli, Eric Nyssen shuma të konsiderueshme parash, me qëllim blerjen e një apartamenti të përbashkët dhe hapjen e një biznesi privat.
Kalemi dhe Nyssen ishin njohur në Belgjikë dhe kishin vendosur të bashkëjetonin në Shqipëri. Gjithnjë sipas pretendimeve, duke qenë se fillimisht, Rovena Kalemi nuk kishte llogari bankare, ajo i ka kërkuar mikut të saj belg të dërgonte një pjesë të parave në emër të të njohurit të saj, Bledar Corraj. Këto para, shtetasi belg i justifikonte me trashëgimi nga prindërit dhe aktivitete tregtare në Belgjikë, ndërkohë që punësimi i tij zyrtar ishte infermier në një spital publik në Bruksel.