Kosova

Kriza politike ngadalëson regjistrimin e diasporës

kriza-politike-ngadal-euml-son-regjistrimin-e-diaspor-euml-s_hdZgjedhjet e 8 qershorit dhe kriza politike pesëmuajshe në Kosovë, ka ndikuar në mënyrë indirekte në ngadalësimin e regjistrimit të diasporës dhe mërgatës kosovare. Kështu ka deklaruar për Albinfo.Ch, ministri në detyrë i Diasporës, Ibrahim Makolli, i cili procesin e regjistrimit në tërësi e vlerëson shumë pozitiv dhe të suksesshëm.

Regjistrimi i mërgimtarëve kosovarë që përbëjnë një të tretën e trungut të përgjithshëm demografik, ka filluar në pranverën e këtij viti.

Mirëpo edhe pse ishte parashikuar që në fillim të dimrit të kemi statistikat e parë të regjistrimit, ministri Makolli tha se shifra nuk do të publikohen deri në fund të procesit.

“Shifra nuk do të jepen deri në ndonjë pushim periodik të planifikuar. Të dhënat publikohen kur të klasifikohen të gjitha të dhënat”, deklaroi Makolli, i cili tha se procesi i regjistrimit është duke rrjedhur sipas dinamikës së paraparë dhe të përcaktuar paraprakisht në Rregulloren për Hartimin e Regjistrit të Mërgatës.

“Kemi të bëjmë me një proces dinamik, prandaj edhe publikimi i çfarëdo të dhëne ndryshon nga momenti në moment. Ne, në një periudhë të caktuar kohore do të njoftojmë opinionin me numrin e regjistruar deri në atë moment, por nuk mund të themi se këtu apo aty përfundon. Është proces që do të vazhdoj edhe në të ardhmen”, deklaroi Makolli.

Në Ministrinë e Diasporës janë optimist se një të ardhme jo të largët, do të publikohen të dhëna nga ky regjistër, i cili do të pasuroj detajisht të dhëna për numrin e mërgatës, për shtrirjen e saj, kohen dhe arsyen e migrimit, përbërjen e saj gjinore e të moshës, si dhe çështje të tjera që janë me interes edhe për Kosovën e edhe për vet mërgatën.

Makolli, thirrje mërgimtarëve: Regjistrohuni!

“Aktualisht jemi të kënaqur me përgjigjen e pjesëtarëve të mërgatës dhe diasporës në këtë projekt, të cilin e konsiderojmë të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për institucionet dhe shtetin e Kosovës, por edhe për gjithë mërgatën tonë”, deklaroi ai.

Në Ministrinë e Diasporës pranojnë se në fillim të procesit janë shfaqur disa vështirësi të natyrës teknike, të cilat më pas janë evituar. Sipas tyre, aktualisht janë duke u përdorur dy modalitetet për regjistrim, ai fizik dhe elektronik.

Ministri Makolli u bënë thirrje të gjithë mërgimtarëve, edhe atyre që kanë lindur në mërgim, që të regjistrohen.

Madje sipas Ligjit për Diasporën dhe Mërgatën mund të regjistrohen të gjithë ata që kanë prejardhje nga Kosova, edhe nëse nuk posedojnë asnjë dokumente kosovar.

“Të gjithë që janë lindur ose që paraardhësit e tyre janë me origjinë nga Kosova, pavarësisht nëse kanë ose jo dokument identifikimi nga Kosova, janë pjesëtarë të mërgatës dhe diasporës dhe si të tillë hyn në kontingjentin e pjesëtarit të diasporës dhe mërgatës dhe kanë të drejtë të regjistrohen në regjistër”, thuhet në qëndrimin Ministrisë së Diasporës.

Procesi i hartimit dhe përditësimit të regjistrit të diasporës dhe mërgatës është i paraparë të zgjat 3 vite.

Në këtë proces Ministrinë e Diasporës janë duke e mbështetur partnerët ndërkombëtarë si Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe UNDP, ndërsa në proces janë të përfshirë edhe Agjencia e Statistikave dhe ministritë tjera të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Albinfo.Ch kontaktoi edhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës, të cilët gjithashtu nuk dhanë detaje rreth këtij regjistrimi.

Hazbije Qeriqi përgjegjëse për informim në këtë institucion, tha se ASK-ja ka pasur vetëm një rol të asistencës teknike në këtë proces, kryesisht në përpilimin e pyetësorëve. “Se si ka shkuar procesi i mëtutjeshëm ne nuk jemi në dijeni”, deklaroi Qeriqi.

Ndryshe Lëvizja “Vetëvendosja” që drejtohet nga Albin Kurti, ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet regjistrimi.

Madje ata kanë plotësuar formularë me të dhëna falso dhe i kanë dërguar në Ministri. Të dhënat menjëherë ditën e nesërme janë botuar në faqen e Ministrisë, edhe pse nuk janë korrekte.

Mungon bashkëpunimi Mërgatë-Qeveri

Por, nuk është vetëm Lëvizja “Vetëvendosje” që ka pasur vërejtje në këtë proces. Edhe një burim i Albinfo.Ch nga ambasadat kosovare, thotë se procesi nuk është i organizuar si duhet. Ata thonë se nga qeveria kanë marrë vetëm formularët e regjistrimit pa ndonjë informim apo bashkëpunim shtesë.

“Ajo që po vërehet tek bashkatdhetarët është mosinteresimi për këtë regjistrim. Besojmë se po mungon strategjia e informimit, reklamat më të shpeshta nëpër mediet, sidomos në TV. Ndërsa ajo që është evidente është se shtetet janë të shkruara në gjuhen angleze dhe disa bashkatdhetarëve po shkaktojnë probleme, për shembull Saisland në vend Switzerland”, deklaroi ky burim.

Po ashtu i njëjti burim tha se në këtë regjistrim nuk janë përfshirë shoqatat kulturore dhe klubet sportive në diasporë, të cilët mbledhin rreth vetës një numër shumë të madh të bashkatdhetarëve.

Sipas të njëjtit burim, kërkohet një bashkëpunim më i madh i Qeverisë në Prishtinë me shoqatat shqiptare në diasporë.

Ndryshe është raportuar edhe më herët se Institucionet e Kosovës janë të vetmet në rajon që nuk e dinë se sa popull përfaqësojnë në diasporë. Në dekadën e fundit janë dhënë shifra të ndryshme nga 300 mijë, në 500 mijë e 700 mijë kosovarë që jetojnë jashtë vendit. Ndërsa vetë ministri i Diasporës ka thënë se numri i mërgatës kosovarë mund të shkoj në afër 1 milion.

Më 24 prill të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës miratoi Koncept-Dokumentin, për krijimin e një baze të të dhënave të mërgimtarëve. Sipas këtij Dokumenti, regjistri i mërgimtarëve do të përmbajë të dhënat për numrin, moshën, gjininë, profesionin, nivelin e arsimit, fuqinë e tyre intelektuale dhe ekonomike, organizimin e tyre në shoqata dhe organizime tjera.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, Kosova ka mbi 1.8 milionë banorë rezident. Kjo shifër ka nxjerrë disa dilema, për faktin se ka variuar relativisht shumë nga regjistrimet e mëparshme, ai i vitit 1981 dhe regjistrimi i dhunshëm i Serbisë i vitit 1991. Në vitit 1981, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorë, ndërsa në regjistrimin e dhunshëm të Serbisë në vitin 1991, Kosova kishte rreth 2 milionë banorë.

Në këtë regjistrim nuk është përfshirë popullsia kosovare që jeton në mërgim e cila sipas demografëve, konsiderohet të jetë mbi 700 mijë banorë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button