Politika

Kryeministrat e Ballkanit, darkë me Mogherinin

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u ka bërë thirrje gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që të tejkalojnë dallimet dhe të punojnë së bashku drejt anëtarësimit në BE.
Ajo mblodhi të mërkurën në Bruksel kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë për të diskutuar situatën në rajon. Pasi takoi secilin prej tyre veç e veç, Mogherini organizoi edhe një darkë të përbashkët joformale. Në një njoftim pas takimeve thuhet se, “të gjithë të pranishmit konfirmuan përkushtimin e tyre për të punuar në procesin e integrimeve evropiane. Ata ritheksuan vendosmërinë dhe interesin e fortë për forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e rezultateve të prekshme për jetën e qytetarëve të rajonit. Gjithashtu, pjesëmarrësit shprehën angazhimin e tyre për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe thellimin e mirëkuptimit rajonal, nëpërmjet respektit dhe bashkëpunimit reciprok”.
Ajo u ka bërë thirrje të gjashtë kryeministrave “që të përshpejtojnë punën e domosdoshme për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve të tyre dhe për të ecur përpara drejt së ardhmes evropiane”.
Në takimin e së mërkurës, që kishte për qëllim edhe përgatitjen e takimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, që do të zhvillohet në Trieste të Italisë në fillim të muajit korrik, u diskutua edhe për vizitën që Mogherini kishte zhvilluar në muajin mars në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, në përpjekje për t’i siguruar ato se Bashkimi Evropian mbetet i hapur për zgjerim, me gjithë krizën në të cilën ndodhet ai.
Ajo i kishte cilësuar tensionet në rajonin e Ballkanit Perëndimor si “skajshmërisht të rrezikshme”. Mogherini ka shprehur besimin se fuqia e BE-së në rajon është e lidhur me besueshmërinë e integrimeve evropiane.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button