Kryeministri kinez para samitit në Serbi: Me Shqipërinë miqësi të vjetër
Në prag të takimit të tretë mes liderve të Kinës dhe Europës Qendrore që do të mbahet në Beograd, kryeministri kinez, Li Keqijang ka folur për partneritetin shqiptaro-kinez, duke e cilësuar bashkëpunimin me Shqipërinë një miqësi të thellë tradicionale dhe të shëndoshë.
Referuar Shqipërisë, ai citoi dhe një shprehje të vjetër kineze dhe historinë ndër vite: “Miqtë janë si vera. Sa e vjetër, aq e mire. Sot, shumë njerëz në Kinë kujtojnë ende kontributin historik të Shqipërsië në vendosjen e të drejtave të ligjshme të Kinës në Kombet e Bashkuara në vitin 1971”, citoi kryeministri kinez.
Sipas tij, miqësia e thellë e tradicionale dhe besimi i shëndoshë e reciprok kanë hedhur një themel të fortë për bashkëpunim të mëtejshëm midis Kinës e Shqipërisë, duke shtuar gatishmërinë e qeverisë kineze për të forcuar vrullin e bashkëpunimit.