Qeveritare

Kryeministri Rama shtron iftar

rama_iftarFjala e kryeministrit Rama, në iftarin e shtruar në nderim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, nga kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama:

“Unë nuk praktikoj besim tjetër, përveç atij tek vetja dhe tek njerëzit, por nuk besoj se sidoqoftë eksiztenca ose  jo e Zotit është një çështje që mund të zgjidhet ndonjëherë nga të vdekshmit.

Madje studimet e përditësuara tregojnë se  përparimet e mëdha të shkencës dhe të teknologjisë, nuk e kanë ulur por e kanë rritur përqindjen e popullsisë botërore që beson në Zot. Kam respekt shumë të posaçëm për ata që besojnë në Zot dhe që e forcojnë përmes praktikës, besimin e tyre.

Sepse besoj po ashtu, që praktika e besimit ka fuqinë  e jashtëzakonshme të krijojë energji me forca të mëdha të së mirës për njerëzimin.

Nga shkalla fare minimale e eksperiencës sime personale me agjërimin shpresoj të kem kuptuar drejt se Ramazani nuk është të lëshohesh “bëlldum” në dorë të Zotit, por ti dalësh zot qenies sate, familjes, me forcën e zemrës dhe të mendjes të çliruara prej çka brenda trupit, tundon përditë Zotin tek Ty.

Duket Ramazani është të dëgjosh urinë si flet për shpërdorimin, si flet për harresën, si flet për nënvlerësimin, si flet për mosrespektin dhe kështu të kuptosh njeriun, ashtu siç Profeti Muhamet thotë se “Zoti e sheh drejt e në zemër, krejtësisht në veprime, pa i parë veshjen, pa i parë pasurinë”.

E ky besoj se është privilegji i bashkimit në një sofër Iftari, ku personalja dhe shoqërorja i përkushtohen ripërtëritjes së lidhjeve me veten, përmes të tjerëve dhe me të tjerët përmes vetes.

Shqipëria është vend i mirë për t’ju gëzuar këtij privilegji sepse iftari nuk bashkon në sofër veç myslimanët me njëri-tjetrin, por edhe të krishterët me myslimanët. Këtu tek ne zbulohet për bukuri ajo pjesë e librit të hapur të Ramazanit që nuk ju flet praktikantëve të besimit, por njerëzve në tërësi, të cilët iftari i bashkon në sofër si “dritat e kandilave, që si varg yjesh lidhnin minaren e Xhamisë së Fushës Çelës me këmbanaren e Kishës së Gjuhadolit,” thoshte Gjergj Fishta.

Kristianë që thonë “vallahi” dhe  myslimanë që thonë “pasha të katërt ungjijtë e shenjtë“ na përshkruan ne shqiptarët një udhëtar i hershëm gjerman. Asokohe shumëkush që i ka kënduar kujtimet e udhëtarit të tërhequr pas kurioziteteve të Shqipërisë, mund të ketë nënqeshur me përbuzje shqiptarët, çka në fakt nuk është diçka që nuk ndodh dhe sot ndër të huajt, por kjo nuk e ndryshon aspak, përkundrazi, të vërtetën se Shqipëria është një vend i mirë për Zotin e të gjithëve dhe për të gjitha fetë.

Ishte një klerik i famshëm mysliman, patrioti Daut Boriçi që mbajti fjalën e rastit kur u hodhën themelet e kishës së madhe të Shkodrës. Ndërsa një bashkëkohës i tij i quajtur Naim Frashëri shkruante “Po të nderoj njeriu-njerinë/ E ka nderuar dhe Perëndinë/ Në  zemër tënë e gjejmë Zonë/ Shtëpijë e tij është zemra jonë”.

Shqipëria është një vend i mirë për bashkëjetesën e feve dhe të njerëzve me fetë, qofshin besimtarë apo laikë. Nuk besoj që të ketë një tjetër vend të vogël dhe pa konflikte të mëdha që mbajnë sytë e botës lidhur pas tij, të cilin ta kenë vizituar dy Papë, në dy dekada. Sepse Shqipëria sot është një shembull për tu kujdesur dhe shqiptarët sot janë mishëruesit e paqtë në Ballkan të një shprese të përgjakur nga të katër anët, nëpër botë për bashkëjetesën fetare dhe ende më tej për bashkëjetesën etnike, pavarësisht dallimeve fetare.

Shqiptarët janë evropianë me fe të ndryshme dhe jo një popull krishterësh që i përkasin Perëndimit kristian dhe myslimanësh që i takojnë Lindjes islame.

Shqipëria është një vend evropian ku myslimanët dhe të krishterët s’janë lëkundur asnjëherë seriozisht në dashurinë  tyre për Europën dhe në dëshirën e tyre për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian.

E tillë është dhe Kosova dhe mos qoftë e thënë të lëkunden ndonjëherë. Por ndërkohë, më lejoni ta them, të tjerët miqtë dhe partnerët tanë nuk duhet ta harrojnë se palëkundshëmria e shqiptarëve si Evropianë pa dallim fesh dhe vendbanimesh, vjen prej një besimi që nuk ushqehet veç me fjalë dhe me ëndrra në këtë botë lëkundjesh nga të katër anët.

Çka po ndodh këto ditë në Maqedoni meriton vëmendje, maturi pa dyshim, po reflektim dhe madje të thellë po ashtu. Marrëveshjes së Ohrit nuk i kanë dalë për zot vetëm dy palët që e përbejnë Maqedoninë, maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe garantët e asaj marrëveshjeje, miqtë dhe partnerët e besuar ndërkombëtarë. E nëse maturia u duhet shumë dy palëve tona, reflektimi i thellë nevojitet të jetë trepalësh, pasi as burgosja e përjetshme e 6 shqiptarëve, as reagimi me flamuj të një radikalizmi fetar që i bie ndesh interesave shqiptare, nuk mund të justifikohen.

Por këto janë pasoja të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe një humbjeje besimi ndër shqiptarët, për të cilat garantët nuk duhet ti kërkojnë të gjitha shkaqet jashtë sferës së përgjegjësive të tyre. Ashtu sikundër besoj unë edhe flamujt e radikalizmit fetar nuk ngrihen mbi shkopinj, por mbi plagë sociale gërryese, varfërim, papunësi, keqarsimim dhe izolim, të cilat shkaktojnë reaksione nga më agresivet në organizmin shoqëror të  një bashkësie. E për këto duhet menduar me tre palë për Maqedoninë. Për këto duhet menduar me shumë palë për Ballkanin.

“Pyet të diturin, fol me mjekun, rri me të varfërin”, – thotë Profeti Muhamet. Muaji i Ramazanit, muaji më i lartë për besimtarët myslimanë është një kohë e artë për të folur jo veç për paqe, por edhe për dije, sepse në botën që jetojmë ka gjithmonë e më shumë shans të ketë paqe, aty ku ka shans të ketë dije.

Është muaji kur thuhet që zbret Libri i Shenjtë  i myslimanëve, Kurani. Është e gjithëditur se urdhri i parë që i jep engjëlli Profetit është: “Lexo!”, si një pjesë e sures së parë që zbret dhe që flet për dije dhe për shkrim. Besimi i padijes, paragjykimit dhe dënimit në emër të Librit të Profetit dhe Zotit, kërcënon kudo ku dija është e penguar dhe gjykimi i kufizuar.

Edhe Ramazani është bërë për të na kujtuar përmes mungesës së ujit, etjen për dije dhe detyrimin për të mësuar ti kuptojmë njerëzit dhe botën përmes qenies sonë, duke e parë atë së brendshmi pasi e ndalojmë, që ajo të na ndalojë ta shohim përmes ushqimit.

Lejomëni ta mbyll me mirënjohje për të gjithë ju, që ju përgjigjët kësaj ftese, por posaçërisht për të gjithë besimtarët myslimanë këtu të pranishëm.

Një njeri i ditur në punët e fesë më ka treguar se lutjet në kohën e Ramazanit, marrin një forcë të veçantë, sidomos kur janë të pëshpëritura nën frymën agjëruese. E unë nuk mund ta fsheh dot që do të ma donte zemra një lutje për të gjithë ata që përpiqen me të tyren për të bërë më të mirën për vendin tonë.

Por ç’ka dua t’ju kërkoj është një lutje më shumë për shqiptarët, si pjesë e një kombi të ndarë në shumë pjesë, por që ka mundësinë të rrezatojë si një trup i vetëm mjaft bukur mbi këtë tokë, falë harmonisë që garanton dhe bashkëjetesën mes feve.

E si i thonë, Zoti jua pranoftë Agjërimin!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button