Kryeministria: Kallëzim dhe padi për shpifje ndaj Edi Palokës
Zyra për shtyp e Kryeministrit i ka cilësuar si shpifje deklaratat e sotme të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili akuzoi qeverinë dhe Policinë e Shtetit se po favorizojnë bandat e armatosura dhe krerët e bandave.
“Nisur nga shpifjet përtej çdo caku të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, Kryeministri Edi Rama ka ngarkuar zyrën juridike të Kryeministrisë që të përgatisë ballafaqimet penale dhe civile të shpifësit në fjalë, qoftë në Prokurorinë e Përgjithshme qoftë në Gjykatën e Lartë”, thekson zyra për shtyp e Kryeministrit.
“I kallëzuari dhe i padituri Edi Paloka, duhet të japë prova për çka ka thënë sot dhe qoftë edhe përballë një prove të vetme, Kryeministri Edi Rama është i gatshëm të lërë detyrën. Në të kundërt, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, një shpifës profesionist i nivelit më të ulët edhe në llogoren e politikës së vjetër të baltës, duhet të përgjigjet përpara ligjit”, thuhet në deklaratën e zyrës për shtyp të Kryeministrit.
“Kjo histori e shëmtuar marrjeje zvarrë e opinionit publik nëpër labirinthin e baltës së shpifjeve e fyerjeve, me moton “Shpif e shpif se diçka do mbetet!”, nuk mund të vazhdojë më tutje pa ballafaqimet e nevojshme përballë organeve të drejtësisë”, përfundon deklarata e zyrës për shtyp të Kryeministrit