Kryepolici i Tiranës takon kreun e KM për listën e ekstremistëve
Alarmi i Italisë: ISIS mund të sulmojë nga Shqipëria
Nga Mariglen Mullai
Lajmet së fundmi se janë riaktivizuar linjat ekstremiste të predikimeve radikale në xhaminë e Unazës së Re dhe atë të Mëzezit kanë ulur në një takim drejtorin e Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, dhe kryetarin e Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj. Takimi është zhvilluar dy ditë më parë pa praninë e medias, teksa mësohet se është folur te shkëmbimi i informacionit dhe parandalimit në kohë të aktiviteteve terroriste. Nga ana e tij, kryepolici i Tiranës, i kërkoi kryetarit të Komunitetit Mysliman që të forconte kontrollet rreth besimtarëve me prirje ekstremiste, të cilët mund të nisen drejt Sirisë apo Irakut. Mësohet se mes tyre është shkëmbyer informacion rreth identifikimit të këtyre personave, të cilët mund të jenë gati për t’u nisur për në tokat e luftimeve. Nga ana e tij, Bruçaj mësohet se i ka përcjellë drejtorit të Policisë së Tiranës, disa nga elementët që edhe më herët kanë paraqitur rrezikshmëri për t’iu bashkuar luftimeve. Të njëjtët emra duket se qarkullonin edhe në listat e Policisë së Tiranës, në bazë të informacioneve që kanë mbërritur nga komisariatet përkatëse, pas verifikimeve në terren të inspektorëve. Nga Komisariati nr. 5, i cili përfshin Unazën e Re, duket se ka pasur më tepër informacione rreth këtyre personave me prirje ekstremiste. Më tej mësohet se mes policisë dhe Komunitetit Mysliman do të pasojnë takime, në kuadër të parandalimit të ekstremizmit, por nga ana tjetër mes tyre u diskutua edhe për tolerancën fetare dhe liritë themelore të njeriut, për sa i përket besimit fetar, pasi Islami, si fe e paqes dhe harmonisë predikon vëllazëri mes njerëzve dhe se ekstremistët abuzojnë në emër të tij.
6 shqiptarët e vrarë në Siri
Ermal Xhelo – 35 vjeç, nga Vlora, i martuar. Lajmi për vdekjen e tij u publikua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Anri Maliqi – 33 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Prush të Tiranës. Ai ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë.
Denis Jangulli – Lindur në Dibër e banues në Tiranë. I martuar me 2 fëmijë. Në shtëpinë e tij, njoftimi për vrasjen erdhi me SMS.
Diamant Rasha – Lindur në Dibër, banues në Tiranë, i martuar me 2 fëmijë. Në shtëpinë e tij, prindërit nuk pritën askënd për ngushëllime.
Hasan Korvafaj – 58 vjeç, lindur në Kuç të Vlorës dhe banues në Tiranë. Ai ishte i martuar dhe kishte 3 fëmijë.
Hamit Myslija -41 vjeç, lindur në Pukë, banues në Laprakë, i martuar me 4 fëmijë. Ky është shqiptari i gjashtë i vrarë në Siri.
Italia
Pas kërcënimeve të ISIS se shumë shpejt do të pushtonin Romën, zemrën e krishterimit, Italia druhet se terroristët islamikë, mund të mbërrijnë në vendin fqinj, duke përdorur Shqipërinë. Ky lajm po qarkullon prej pak ditësh në disa media italiane, të cilat theksojnë se tashmë janë “blinduar” portet që kanë lidhje me Shqipërinë. Ndërkaq, kryepolici i Tiranës, në kuadër të luftës antiterror, ka vizituar së fundmi Komunitetin Mysliman, duke i kërkuar vëmendje maksimale për sa i përket frenimit të riaktivizimit të celulave që rekrutojnë xhihadistë. Inteligjenca italiane zbuloi një rrjet të mundshëm të kalimit të terroristëve të ISIS, ku nuk përjashtohet edhe Shqipëria. Në një prononcim të ditëve të fundit, në kuadër të masave kundër xhihadistëve, ministri i Brendshëm italian, Anxhelino Alfano, pranoi se Porti i Barit në Pulia është një pikë tepër e rrezikuar, nga ku mund të mbërrijnë terroristët e ISIS. Së fundmi, në Bari, është arrestuar një grua, e cila mbërrinte nga Greqia, bashkë me 5 shtetas sirianë, të cilët ishin me dokumente italiane, false. Afërsia e Portit të Durrësit dhe atij të Vlorës, me Portin e Barit dhe ekzistenca e linjave të trageteve, si dhe qarkullimi prej kohësh i lajmit se në Shqipëri ka celula që rekrutojnë luftëtarët ekstremistë, kanë ndikuar në faktin që Italia ta shohë bregun përtej si “sulmues të mundshëm”. Në disa video në YouTube, ISIS ka premtuar se do ta ngrejë flamurin e zi, në Vatikan, ku do të pushtonte Romën. Një domethënie tepër të fshehtë, përtej fasadës së “harmonisë fetare”, patën edhe disa fraza të Papa Françeskut, gjatë mbërritjes në Tiranë, ku vuajtja e klerikëve dhe masakrat ndaj tyre, të ushtruara nga komunistët e pamëshirshëm, ishin paralelizma të asaj çka mund t’i ndodhte Shqipërisë, nëse pranonte ISIS-in, i cili, nga ana e tij, deklaronte se po zgjerohej në Ballkan. Një ditë pas vizitës, nisën sulmet ajrore ndaj ISIS. Para pak kohësh, fakt ishte kërkesa e palës italiane, drejtuar Prokurorisë në vendin tonë që të paraqiste emrat e udhëtarëve italianë që kishin përdorur Aeroportin e Rinasit, si linjë transporti. Një veprim i tillë u ndërmor në kuadër të luftës kundër terrorizmit.
“Kristofor Kolombi”
Ndërkaq, mediat italiane si “Ilquotidianoitaliano”, “reteneës24″, theksojnë se ISIS, kjo organizatë e cilësuar si terroriste nga koalicioni ndërkombëtar, ka kërcënuar Pulian me sulme. Për të garantuar siguri në Portin e Pulias, së fundmi në Bari është miratuar plani “Kristofor Kolombi”, ku Ministria e Brendshme parashikon përgjigjen ndaj kërcënimeve. Për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, në qendër të Mesdheut, për të mbërritur nga Siria për në Europë, përmes Pulias, nga Turqia, Greqia apo Shqipëria, nuk është e vështirë. Dy luftanije amerikane do të mbërrijnë në Taranto. Policia, karabinierët, Guardia di Finanza, ushtria, marina me disa helikopterë, etj., do të formojnë grupe që do të veprojnë për të parandaluar kërcënimin ndaj Italisë. Ky veprim ndërmerret ndërsa bëhen gati të ikin në Siri disa trupa italiane. Në shënjestër nga terroristët mund të jenë rrjetet kompjuterike, energjia, infrastruktura, etj. Ndërkaq, portet, aeroportet, stacionet hekurudhore, trenat, tragetet, termocentralet dhe madje edhe depozitat e mbeturinave, për të krijuar retë toksike, janë objektivat e mundshme të ekstremistëve islamikë.
Masat antiterror
Rreth një javë më parë, Prokuroria i kërkoi Komunitetit Mysliman, të “kontrollonte” xhaminë e Unazës së Re, në Tiranë, e cilësuar si një prej pikave më të dyshimta, për sa i përket rekrutimit të shqiptarëve, për t’iu bashkuar radhëve të luftëtarëve ekstremistë në Siri dhe Irak. Së fundmi ka pasur sinjale se kjo linjë po riaktivizohet. Ish-lideri i kësaj xhamie, imami i vetëshpallur Genci Balla, tashmë në pranga, në bashkëpunim me të tjerë, u akuzua si përgjegjësi kryesor për dërgimin e rreth 80 shqiptarëve drejt tokave të luftës, të cilët më pas u bashkuan me organizatat ekstremiste Al-Nusra dhe ISIS. Ky veprim i Prokurorisë pason hapat e shtetit shqiptar, për të forcuar luftën antiterror, ku hallka e parë e këtij zinxhiri nis me arrestimin e 13 personave para 8 muajsh e pason me ashpërsimin e ndëshkimit me burg, deri në 15 vjet për luftëtarët përkrah terrorizmit, për të vijuar me renditjen përkrah koalicionit botëror që po lufton ISIS-in dhe më tej krijimin e Drejtorisë së re Antiterror në Ministrinë e Brendshme. Koalicioni ndërkombëtar që udhëhiqet nga SHBA e ka cilësuar si terrorist grupimin e ISIS-it, i cili deri më tani numëron mbi 100 mijë luftëtarë të armatosur. Momentalisht luftimet mes këtij koalicioni ndërkombëtar, me mbështetjen e kurdëve dhe ISIS, janë përqendruar në qytetin kufitar me Turqinë, Kobani. Vetëm nga Europa mendohet se këtyre radhëve u janë bashkangjitur me mijëra luftëtarë, ndërsa nga Shqipëria besohet se kanë shkuar 140 persona.
Drejtoria e re e Antiterrorit
Së fundmi është miratuar krijimi i Drejtorisë së re të Antiterrorit. Deri më tani ajo që dihet është se objektivat kryesore janë ato të parandalimit të dërgimit të xhihadistëve drejt shtetit islamik të ISIS dhe shpërthimet me eksploziv dhe se do të angazhohen 104 efektivë, nga 15 që ka pasur gjithsej. Një ndër qëllimet primare të Drejtorisë së re të Antiterrorit, me moton Gjej, Fikso, Godit, është frenimi dhe puna për të mos lejuar dërgimin e xhihadistëve shqiptarë në Siri dhe Irak, apo identifikimi dhe zbulimi i të gjithë elementëve të dyshimtë, të cilët kanë lidhje me këto organizata ekstremiste, si në përkrahjen direkte ashtu edhe në financime, etj.