Kryeqyteti ku pret 20 vite për një shtëpi me qira
Stokholmi është kryeqyteti europian me rritjen më të madhe, falë emigracionit rekord, një ambienti shumë të mirë për start up-e, shto këtu edhe vendin me përqindjen e lindshmërisë më të lartë në kontinent. Të gjitha këto kanë bërë që banesat për të jetuar të jenë të pakta në numër
Ka një arsye të fshehtë se përse shumë qiramarrës në Stokholm pëlqejnë banesa që kanë një numër të pakët mobiliesh dhe zotërojnë pak të tilla.
Në një kryeqytet në krizë, pasi numri i apartamenteve është i ulët, nuk është diçka e bukur që të lëvizësh nga njëra shtëpi në tjetrën me plaçka nëpër duar.
Kryeqyteti i Suedisë mund të jetë një nga vendet më të dëshirueshme për të punuar, por kur një i huaj gjen punën, të marrë në duar çelësat e një apartamenti për të banuar, është një sfidë më vete.
Radha e qytetarëve të cilët aplikojnë në institucionet lokale për banesa me qira të kontrolluara nga të parat është aq e gjatë, dhe po merret në konsideratë nga libri i rekordeve “Guiness”.
Mesatarisht duhen rreth 9 vite që të fitosh të drejtën për të marrë me qira të kontrolluar një apartament në Stokholm dhe në disa nga lagjet më të famshme, do të të duhen gati dy dekada që t’ia arrish qëllimit.
Dhoma në apartamentet ekzistuese janë gjithashtu shumë të vështira për t’u gjetur, duke qenë se Suedia ka proporcionin më të lartë të personave të vetëm që zotërojnë prona, krahasuar me vendet e tjera të BE-së.
“Është një treg aq problematik, sa po e prish eksperiencën time për të jetuar në një qytet që unë e dua”, tha inxhinierja 27-vjeçare Maeva Schaller, që u transferua në Stokholm nga Grenoble, Francë, në 2010-n.
Stokholmi është kryeqyteti europian me rritjen më të madhe, falë emigracionit rekord, një ambienti shumë të mirë për start up-e, shto këtu edhe vendin me përqindjen e lindshmërisë më të lartë në kontinent.
Të gjithë këta faktorë kanë bërë që brenda shtatë viteve, popullsia të rritet të paktën me 250 mijë veta.
Në mes të këtyre rregullave strikte dhe mungesës së investimit në dekadat e fundit, qeveritë e mëparshme kanë dështuar që të ndërtojnë banesa mjaftueshëm për banorët që kanë vendosur të qëndrojnë për një kohë të gjatë, e lërë më të ata të rinj.
Kompania e transmetimit të muzikës “Spotify” që u themelua dhe ende ka zyrat qendrore në Stokholm, i dërgoi një letër publike qeverisë që nëse nuk marrin masa, mund ta zgjerojë biznesin në një vend tjetër.
Edhe punonjësit e start up-eve organizuan një protestë ku kërkuan që kjo gjendje të rregullohet.
Sipas tyre, nëse situata nuk ndryshon, kjo do të ketë pasoja na mbajtjen e talenteve.
Në 7 vitet e fundit, Schaller ka jetuar në 9 banesa të ndryshme, në 7 lagje të ndryshme, e në shumicën e rasteve duke ua marrë me qira apartamentin, suedezëve të cilët kanë lidhur kontrata afatgjata.
Si shumë të huaj të tjerë, ajo nuk ka dëshirë të blejë shtëpi, duke qenë se çmimet janë rritur me 14 për qind, për më tepër që ka dëshirë të mos jetë e detyruar të rrijë diku, duke kufizuar karrierën e saj.
Gjithashtu, bizneset pengohen nga rregulla strikte të shoqatave të banesave për të rrëmbyer një numër të madh apartamentesh në një zonë. Shumë pak kompani zgjedhin të blejnë tokë vetë dhe të ndërtojnë.
“Ka shumë njerëz që vijnë këtu e punojnë për kompanitë e mëdha. Përse duhet që të jetë kaq e vështirë që të ndihesh i sigurt për një apo dy vite?”, pyet francezja.
Tregu i dhënies me qira në Stokholm është ndërtuar në mënyrë të tillë që çdo person që nuk ka pronë të vetën, të ketë mundësi të marrë me qira banesë të përballueshme, të mbuluar ose nga këshilli lokal, ose nga kompani private. Kur një person merr të ashtuquajturat kontrata të dorës së parë, ato përgjithësisht zgjasin përjetë.
Por në kryeqytetin suedez, kur të huajt aplikojnë për banesë, do të shikojnë se para tyre në listë janë gjysmë milioni vendas.
Qiramarrësit e rinj kanë si opsione, ose të marrin të nënkontraktuar një banesë nga një person, ose nga një pronar privat.
Përgjithësisht në të tilla raste, kontratat zgjasin vetëm një vit, duke qenë se pronarët apo zotëruesit e kontratës afatgjatë largohen për një periudhë 1-vjeçare.
Sipas statistikave, kostoja e një muaji qira në Stokholm shkon në 6,518 kronora suedezë, ose $78) për një pronë 66 metra katrorë, e cila konsiderohet me kushtet e duhura.
Në ndryshim, kontratat e dorës së dytë mund të ndryshojnë pronar për dyfishin e këtij çmimi në tregun e zi, pavarësisht rregullave mbrojtëse për qiramarrësin.
Konfederata e sipërmarrjes suedeze raporton se 61% e kompanive vendase kanë pasur problem për të gjetur punonjës të rinj. Rreth 31% e firmave vendosën si problemin kryesor mungesën e banesave.
Ndërsa firma të njohura ndërkombëtare si H&M, Ericsson, Spotify dhe firma e kryerjes së pagesave online “Klarna” përdorin agjenci të strehimit për të ndihmuar stafin e ri, shumë kompani më të vogla nuk kanë as kohë dhe as burime.
Disa të tjerë thonë se duhet ndryshuar rregullorja nga institucionet lokale, pasi nuk është normale që kostoja e qirasë së një banese në qendër të qytetit të jetë gati e njëjtë me atë në periferi.
Qeveria nuk ia ka dalë që t’i japë zgjidhje mungesës së banesave të strehimit, por pushteti lokal i frikësuar nga një krizë biznesi, ka nisur që të marrë masa.
Parashikohet që deri në 2020 të ndërtohen 40 mijë banesa të reja, ndërsa në 2030, numri i tyre do të shkojë në 140 mijë. Gjithashtu ka projekte kreative publike dhe private, nga shtëpi modulare të lëvizshme, e deri te hapësira bashkëjetuese e shtrirë në një sipërfaqe të madhe për sipërmarrësit e huaj.
Por banorët pavarësisht krizës, i kërkojnë autoriteteve lokale që të vazhdojnë të ruajnë identitetin e Stokholmit.
“Çdo gjë rreth Stokholmit është e lidhur me balancën punë-shtëpi, parqet, ujin, të qëndruarit jashtë. Kjo nuk duhet prishur”, tha dizajneri 40-vjeçar, Jane Ruffino, që la Dublinin për Stokholmin tri vite më parë. “Unë personalisht mezi po pres të shikoj se si qyteti mund të zhvillohet në një mënyrë që ndihmon të gjithë. Dua të jetoj në një vend ku ka diversitet, jo diku ku start up-et marrin një trajtim special, thjesht, sepse punonjësit e drejtuesit mendojnë se janë mbi të tjerët”.