Ku humbi Tirona ime.. – Nga Rezarta DELISULA
Kërkoj ngado Tironën time, qytetin ku u linda e rrita, qytetin e prindërve e stërstërgjyshërve të mi. Ja një portë përballë Shkollës së Kuqe. Është druri, ka çekiçin në formë dore, që shërben si zile, tre rreshta tjegulle kafeje mbi, ka avlli të bardhë në dy anët e saj.
Ishte identik me portën e shtëpisë sime, nga e cila kemi ruajtur si relike vetëm çekiçin. Zhvillimi urban, evropianizimi, plani francez i qendrës, lëvizja e lirë, poliqendrat, projekti danez apo austriak… janë konceptet që po vrasin kujtimet e mia. Sa pak që ka mbetur nga qyteti im.
Më thonë, ja ku e ke Skënderbeun, Ministritë, Xhaminë e Et’hem Beut. Është tallëse dhe qesharake të quhet kjo Tirona ime. Mundohem të gjej kuturu ndonjë shtëpi karakteristike tiranase, të ulët me dy palë shkallë në hyrje, me lugun e gurtë nën çezmë, me drurët frutorë (me hurma, fiq, kumbulla e rrush zakonisht e jo me carac si ironizohet) e zanatçinjtë e rakisë që linin mënjanë kazanët e zierjes.
E nga ato shpitë, gjysmë tullë e gjysmë qerpiç, me mure të trashë e shtruar me dërrasa si në tavan e në dysheme, me ato dritare të mëdha e plot dritë. Me ato avllitë e lyera me të bardhë dhe sipër tyre xhama të thyer për të siguruar mbrojtjen nga keqdashësit. Ndonjë me pus, e një tjetër me magjen në fund të oborrit, me kalldrëme që shkëlqenin si pasqyrë… Lagje të tëra, fundosur në themelet e gjigantëve shumëkatësh. Nuk ka më asnjë vend ku unë të tregoj Tironën time, asnjë vend.
Kujtoj fëmijërinë time. Nonën që mbante merhaman të bardhë borë në kokë e që na linte neve dhe gjithë fëmijëve të lagjes të hipnim e të merrnim kumbulla nga druri i madh degët e së cilit vareshin në rrugicë (Si ajo ishin shumica e grave të Tiranës së vjetër). Kujtoj bredhjet tona nga rrugica e Kërçikëve te Pazari i Ri e rruga, “Qemal Stafa”, bukurinë e rrugës së Pishës, mbushur me shtëpi të ulëta e dy-katëshe, me oborret rregulluar bukur, gjyshet që me fshesa në dorë mbanin akull pjesën para shtëpive të tyre.
Rruga e Pedagogjikes, akoma më interesante… Sa shëmtuar duket nga lart lagjja ime e vjetër. Ka pallate si hunj ndërtuar mes shtëpive private, ndonjë pallat 6-katesh i ndërtuar në epokën komuniste e i dalë boje, tentativa nga pronarët për të ndërtuar vila, e që pas ndarjes së pronës me të vëllanë, ajo vilë s’mund të quhet ndryshe veçse një tunel 15 metërsh i lartë dhe i shëmtuar. Ndërtime shtesash kot e më kot, cepa, rraqe, vjetërsira. Ja edhe në vend të shtëpisë-muze që ishte më parë te disheza pranë ATSH-së, është ndërtuar një shumëkatësh, pas zjarrit që thuhet se i ra gabimisht. Lagjja ime tani përbën një KRIM VIZIV.
Kujtoj lulishten e ministrive, aty ku 100 për qind e shqiptarëve e kanë të fiksuar në fotot e tyre. E më vonë shatërvanin në qendër që na dha një mundësi tjetër panoramike për fotot tona. Një qendër me hapësira të mëdha që mundje të shihje deri te Xhamia e rrugës së Kavajës e te ish-Legata Jugosllave, Treni e Universiteti e Pazari i Ri. S’e di si do të bëhet, edhe pse i kam parë projektet tredimensionale.
Janë projekte shumë ambicioze, ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim në Tiranë, dhe me siguri them se pamja që do të marrë do jetë shumë më e mirë se kjo që ka sot, nëse realizohet një më një, por di sigurisht që s’do të ketë hapësirën e mëparshme. Mund të jetë më moderne, me ndonjë qiellgërvishtëse më të bukur arkitektonisht se Pallati i Kulturës, me më shumë xhama pasqyrë, e me më shumë ngjyra, por sigurisht që pamja e re s’do të ketë të bëjë me Tironën time.
Shallvaret, pallatet Agimi, Moskatet mund të jenë fare mirë pjesë e ndonjë bienaleje, me ndërthurjen e arkitekturës që gjendet në to. Pa shkuar në zonën e Tiranës së Re e te Komuna e Parisit, që nuk gjen më pika orientimi për të kuptuar nga erdhe. Me ato pallate ijë më ijë, pa ndriçim të rrëmujshme, të frikshme. Më kujtohet Mapo e madhe përballë shtëpisë së Kadaresë dhe parku gjigant i lodrave (për kohën e atëhershme) që ne e quanim “te varka”, pasi ishin të vetmet të tilla në Tiranë.
Pa harruar të rikujtoj lulishten në anë të Drinit që në mes të viteve 80 u kthye në një minipark botanik, ndërsa sot në një objekt futurist shumë-katësh, i papërcaktuar gjom-etrikisht. Ai parku gjigant te rruga e Elbasanit që niste te këndi i lojërave, ku shpesh dilnim me ballë të nxirë nga shtëpia e pasqyrave, duke vijuar te bulevardi ku më pas u ndërtua Piramida e deri te Universiteti i Tiranës, copëza të mbetura të së cilës, nuk e ndërtojnë dot më puzlen (pazëllin) e kujtimeve. Edhe zona te shtëpia e Partisë, rrugicat me kalldrëme e shtëpitë e ulëta me dyer dërrase, që për shumë e shumë vjet u ruajt për të mos u përfshirë në sistemin; zhvillim pa kriter, tashmë e ka humbur lezetin e saj. Jo vetëm që nuk është investuar asnjëherë si zonë muzeale që është, por ka humbur dhe çehren e Tironës së vjetër. (Megjithatë, mund të rivihet rregull e të investohet nga Bashkia edhe në këtë stad që ndodhet). Qyteti im i ka humbur konvencionet e vjetra.
Në vend që të thuash takohemi te Kursali, themi; shihemi te autobusët e Kamzës. Nuk thuhet më; te shpia e Cenit të Lakut (mjekut ortoped të 500 mijë pacientëve), por; te paidhaqet e Dajkos… Për ditë, ngulet ndonjë lopatë e re, duke zhdukur si me mllef çdo gjë që ka mbetur nga e shkuara. “Kjo është Tirona jonë, Tirona e Kontradiktës”, këndonte dikur kryetari i Bashkisë Edi Rama. Po kjo është Tirona e kontradiktës, por nuk po gjendet më pjesë nga Tirona ime.
Nga ato lagjet sharmante, që sot mund të ishin pjesë e një zone muzeale, ku turistët të takonin edhe të shkuarën tonë. Nga ato shtëpi të pastra e të mirëmbajtura që sot një mund të ishin kthyer në lokale karakteristike ku të ofrohej raki rrushi e meze, sikurse uzeritë e lokalet e këtij tipi në të gjithë Evropën. Dikush do të thotë që Tirana s’ka histori, se s’mund ta krahasosh me Romën apo Athinën.
Pa diskutim që nuk kanë lidhje. Megjithatë të huajt mund të gjenin në mes të një kryeqyteti evropian pjesë nga kultura osmane, gjë që ka qenë po aq interesante për ta edhe para viteve ’90. Por, askush s’u përpoq ta ruante këtë, në një pjesë të qytetit tim. Më merr malli për Tironën time, s’ka mbetur më asgjë prej saj. Sot jam një kryeqytetase si 1 milion të tjerë.