Teater

Kumbaro: Teatër, kundër fondamentalizmit

Vrasja e Maratit/ Vepra e Peter Weiss vjen premierë më 14 mars në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Arben Kumbaros. Një dramë kundër dhunës

“Është një vaskë e mbushur me gjak

kundrejt gjakut që ende do të rrjedhë

Dikur menduam se do të mjaftonin disa qindra të vdekur

dhe pastaj pamë që edhe mijërat ishin pak

ndërsa sot nuk numërohen dot më…”

Flaura Kureta, Mehdi Malkaj, Lulzim Zeqja, Niada Saliasi etj. “Është një nga përballjet më të vështira në jetën time artistike. Kam jetuar me këtë rol gjatë provave një ankth të vazhdueshëm, duke u futur shumë brenda personazhit duke e jetuar atë jo vetëm në teatër gjatë provave, por edhe jashtë tij”, do të shprehej Viktor Zhusti. Vitet e fundit Zhusti ka qenë aktiv në teatër. Roli i tij i fundit ishte te “Djemtë gazmorë” përkrah Robert Ndrenikës. Por kjo vepër është dramatike, dhe personazhi i tij, ndryshon nga gjitha rolet e mëparshme, ndryshim që aktori e ndien dhe në jetën që bën gjatë këtyre muajve. Ai është Markezi De Sad, një personazh tepër interesant i kohës së revolucionit francez, një burrë që i kundërvihet rregullave, dhe i pëlqen të filozofojë apo të lexojë libra për seksin. Aktori veçon rolin e Luli Bitrit në këtë shfaqje, duke e quajtur monologun e saj si momentet e magjisë brenda veprës, që do të bëjnë çdo shikues të dialogojë me veten. Bitri ka ardhur nga jashtë posaçërisht për këtë produksion për t’u shndërruar në rolin e Sharlotë Kordeit, një grua e fortë e cila dhe vret. Roli i saj më i fundit në teatër ka qenë ai i Terezza Stolz, në Teatrin e Operës në Romë me titullin “Un bacio sul cuore” me regji të Michele Placido.

Por për regjisorin Kumbaro përtej estetikës që mbart vepra, e rëndësishme është mesazhi i saj. Idetë e debatet që ajo ngre mbi mënyrën sesi mund ta ndryshojmë shoqërinë tonë, për ta bërë atë më të denjë. Dhe pse citohet të jetë një shfaqje politike, kundërvënia ndaj politikës, ndaj rregullave dhe funksionimit të saj ka qenë pikënisja e kësaj vepre që vite më parë. “Çdo përpjekje për të nxjerrë një apel në këtë vepër do të fuste drejt një rrethi vicioz. Është një vepër që ngre dilema, por nuk jep përgjigje”, thotë Kumbaro. Gjithë drama zhvillohet në një çmendinë afër Parisit të mbushur me pacientë që drejtohen nga një Alfons de Sad. Ky i fundit është një personazh i njohur i kohës së revolucionit francez, pikërisht për bindjet e tij dhe jetën kushtuar librave skandalozë apo erotikë, apo përkthimeve nga filozofia. Pjesën më të madhe të jetës De Sad e kaloi burgjeve për shkak të rebelimit të tij ndaj revolucionit apo pikëpamjeve që nuk shkonin me politikat e kohës. I mbështetur në një ngjarje të vërtetë siç është vrasja e Maratit dhe kohët pas revolucionit francez, vepra tregon sesi zhvillohet në një terren dhuna. Dje, gjatë konferencës për shtyp që trupa e kësaj shfaqjeje dha, mund të shihje disa elementë të skenografisë që ishin vendosur mbi skenë. Një kafaz i madh i ndërtuar me hekura, që i ngjasonte një burgu, një skenë që të sjell menjëherë në kujtesë vetminë, dhunën ndaj individit dhe mungesën e lirisë. Pikërisht në këtë skenografi gati-gati të errët do të ngjitet të shtunën një nga pjesët më të diskutuara në teatrot këta 50 vjet, “Vrasja e Maratit”. Një pjesë që duket sikur e ka të vonuar premierën shqiptare, duke qenë se ngjarjet e saj të kujtojnë aq shumë Shqipërinë e këtyre viteve. Pyetja që dramaturgu Wiss ngriti gati 50 vjet më parë ishte: A është radikalizmi ekstrem ose fondamentalizmi sot zgjidhja për të ndryshuar botën? Pikërisht përgjigjen e kësaj pyetjeje Kumbaro kërkon t’ia lërë në dorë publikut, duke i dhënë një copëz teatri që të çon pas në ngjarje gati 50 vjet më parë, po ku gjen copëza të së tashmes. “Ajo çfarë ndien në këtë vepër është fakti që vendimet ekstremiste nuk mund të ndryshojnë asnjëherë shoqërinë, përveçse e dëmtojnë atë”, thotë Kumbaro, duke e quajtur këtë teatër jo vetëm një teatër kundër teatrit, por një teatër kundër dhunës dhe vendimeve ekstreme që dëmtojnë shoqërinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button