Kronika

Kuotat dhe tarifat për vitin akademik 2014-2015

Cikli i parë 

MAS: Rritje e moderuar e pagesave vjetore. 75 mln lekë më shumë për universitetet

Nga Shpresa Mezini

1Zbardhet projektvendimi i Ministrisë së Arsimit për tarifat dhe kuotat e pranimit, për ciklin e parë të studimeve, në universitetet publike të vendit. Në total, numri i kuotave të përgjithshme të pranimit në universitetet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014–2015, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, është 19,726. Ndërkohë, tarifat për këtë vit akademik, për program të parë studimi variojnë nga 20-40 mijë, sipas degëve, ndërsa për program të dytë, po në varësi të degëve të studimit, nga rreth 30-234 mijë. “Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, në programet e studimeve jouniversitare profesionale, si dhe për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë janë 19,166, të cilat ndahen në: Kuota për program të dytë studimi 200, kuota për transferim studimesh 300 dhe kuota për shtetasit e huaj 60. Këtu përfshihen edhe kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit, që për këtë vit akademik do të jenë 600, kuotat për të verbrit 15, Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët 20, kuotat për invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë 15 dhe kuotat për jetimët 15”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Sipas tij, për propozimin e këtyre kuotave janë marrë në konsideratë disa faktorë, si: Kërkesat e vetë universiteteve bazuar në kapacitetet e tyre pritëse, analiza e programeve me performancë të ulët nga viti akademik 2013-‘14, analiza e programeve me numër të ulët të studentëve të regjistruar vitin e kaluar, si gjetjet paraprake të inspektimeve të kryera në IAL në kuadër të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë. Ndërkohë, për sa i takon tarifave të studimit, mësohet se miratimi i këtij projektvendimi do të ketë një efektet financiar, prej rreth 512 milionë lekë për IAL-të, çka krahasuar me vitin e kaluar akademik, parashikon një rritje prej 75.2 milionë lekë më shumë për universitetet, të ardhura këto nga rritja e tarifës mesatare vjetore të studimit. “Këto të ardhura do të rrisin mundësinë e IAL-ve publike, për rritjen e kapaciteteve mësimdhënëse dhe kërkimore shkencore, pajisjen me laboratorë kërkimorë, dhe për investimin e individëve në arsimin e lartë publik. Tarifat janë përcaktuar duke u bazuar në propozimet dhe kërkesat e vetë IAL-ve për tarifat e studimit, por jo gjithmonë është pranuar tarifa e propozuar duke parashikuar tarifa më të ulëta se propozimet e ardhura për të mos rritur në mënyrë të ndjeshme në disa raste tarifat krahasuar me vjet. Marrja parasysh e kërkesave dhe propozimeve të tarifave nga IAL-të është në respekt dhe të autonomisë universitare për të garantuar një mësimdhënie cilësore dhe standarde më të mira në mësimdhënie dhe kërkim shkencor”, thuhet në njoftimin e MAS. Referuar projektvendimit, thuhet se MAS ka aprovuar një rritje të moderuar të tarifave, por në një nivel më të ulët se kërkesat e vetë IAL-ve për rritje të tarifave të studimit, ndërsa përjashtimi nga tarifa e shkollimit për disa kategori të veçanta, do të zbardhet së shpejti me një vendim qeverie të veçantë. Pavarësisht deklaratave të specialistëve të Agjencisë Kombëtare të Provimeve se në maturën e këtij viti do të përjashtohej formulari A3, mësohet se edhe këtë vit ai do të vihet në dispozicion të maturantëve, që nuk do të arrijnë të shpallen fitues në një prej degëve të studimit, të përzgjedhura në formularin A2.

“Pas plotësimit të formularit A2, do të shpallen fituesit dhe do të nisë procesi i regjistrimit. Regjistrimi i fituesve bëhet në dy faza, e para është regjistrimi online, ndërsa në fazën e dytë bëhet regjistrimi me dokumentacion fizikisht në sekretaritë e IAL-ve. Kuotat, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit vetëm në ato programe studimi ku pranimi nuk cenon parimin e ‘Meritës’. Shpërndarja e kuotave realizohet nëpërmjet plotësimit të formularit të ri të aplikimit A3, sipas preferencave të kandidatëve mbështetur në VKM-në përkatëse. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët kanë aplikuar me formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button