Opinion

Kur kombi bëhet kaps

FADIL LEPAJA

Fadil LepajaAs Presidentja e as Kryeministri nuk e kanë fjalën e fundit në këtë vend. As ambasadat. Krejt vendi është në pritje se çka po thotë pushteti më i lartë në këtë vend. Çka po thotë “Baba”. Dyshimet se këtë vend e sundojnë familjet, tashmë janë hequr përfundimisht. Qytetari nuk është sovrani, ai është veç pjesë e familjes. Në fakt, pjesë e njërës nga familjet. Se luftërat për pushtet te ne janë luftëra në mes të familjeve. E merr pushtetin dhe i vendos familjarët nëpër pika strategjike të shoqërisë. Kontrollon rrjedhën e parasë.

Do të mendoni se në frymëzim e sipër e kam përdorur gabim shprehjen “me e marrë pushtetin”?! Me e marrë po çka, se qytetari nuk ta jep pushtetin këtu. E mban për vete. Për familjen e vet. Pastaj, nëse nuk e merrni ju, e marrin ata. Kështu ka mbetur puna.

Qysh e dini edhe vetë, votimet te ne bëhen familjarisht. I keni parë skenat kur familja e gjerë, të veshur solemnisht, hipin nëpër traktorë me rimorkio, edhe në fytyrat e tyre të vendosura dhe në qëndrimin krenar ti e kupton se vendimi është marrë? E në familjet tona tradicionale, vendimet i merr “baba”. Pra, çka po thotë “baba”.

Edhe Presidentja, edhe Kryeministri, nuk e kanë për gjë me e pyet “babën”, se a është kushtetuese me e përdor filan “bar” juridik për ndonjë sëmundje politike. “Barin juridik”. Kjo shprehje është e përkthyer nga sllavishtja.

Përndryshe, te ne për ligjshmërinë ende nuk po gjendet “bar”. Familjet e forta i kanë edhe avokatët më të fortë. Edhe gjykatësit. E kanë ligjin. Ata e interpretojnë. Në fund, e mbyll lëndën vet “baba” personalisht.

Prandaj po përflitet për gjykatën “speciale”. Një gjykatë jashtë familjeve. Por, familjet nuk po e votojnë! Cenohet pavarësia … e familjeve.

E kur jemi te sëmundja, kësaj radhe u sëmur Parlamenti. Baba, ilaçet dhe pallati i ëndrrave dhe meseleve politike, kjo po që është temë verore. Nëse keni ikur me pushime, keni shpëtuar. Nëse do të ikni tani, me gjasë do të shkoni me gajle të madhe. Ç’ka don me vendosë “baba”?.

Përndryshe, seanca e Parlamentit që kaloi me përplot stres dhe frikë nga konflikti i paralajmëruar për karriget nga pjesa e mesme e sallës, krejt skenën politike e ka bërë kaps. Se pjesa e mesme e Parlamentit është strategjike. Është një pjesë në formë “pyke” si do të thoshte një ushtarak i yni i famshëm kur po analizonte mësymjen e protestuesve drejt kordonit të policisë, e cila po mbronte pushtetin e familjeve, ndërkohë që protestuesit kërkonin ligjshmëri. Edhe pyka në Parlament, këtë funksion ka.

Por për ligjin te ne ende s’ka ilaç. E kur jemi te kapsllëku, mbase kjo është më mirë se në verë të kemi probleme me barkëqitje kolektive. Megjithëse në politikë nuk dihet çka është më mirë.

Kur të kap dëshpërimi nga krejt kjo gjendje, ulesh me e pa “Sulltanin” kur papritmas vjen ajo reklama e famshme, e cila e përcjell krejt serialin për padishahun, i cili e ngriti perandorinë në kulm. E keni pa se si në momentet më të rëndësishme, më dramatike të serialit, kur intrigat kanë arritur kulmin, ndërpritet ngjarja dhe jepet reklama kundër kapsllëkut. Edhe “demokracia” otomane e bënte popullin kaps. Sidomos ata që i pushtonte.

Por, kjo reklamë nuk është pjesë e mesazhit që jep seriali. Thjesht “farmacia”, e cila e prodhon këtë kapsulë, është financuesi kryesor i serialit. Nuk ka konspiracion tjetër këtu. Ai që jep paratë, ka të drejtë të kapë vëmendjen tonë kur është në kulm. Kështu thotë marketingu.

Pra, besoj se po shihet se ne na duhet modeli i sundimtarit, i cili del në skenë kur dështon demokracia dhe na duhet gjithashtu edhe kapsula kundër kapsllëkut?! Me e zhbllokue situatën. Kështu edhe skena jonë politike do të bëhet funksionale. Edhe koalicionet do të duken më normale. Me rëndësi është me u zhbllokue. Kështu, krejt kombi po pret, që në emisionet e lajmeve dhe të analizave strategjike me dal pikërisht ajo reklama e famshme kundër kapsllëkut politik, sepse seanca e parë e Kuvendit, me krejt stresin dhe gërditjen që e solli, me gjithë uzurpimet e ulëseve qendrore dhe mikrofonit kryesor, pa fije dyshimi e bëri kaps krejt kombin tonë sintetik. Kur ka intelektualë dhe humanistë që robotizohen për qëllime banale partiake, e kupton përse “baba” e ka gjithë këtë pushtet. Interpretimi!

E Baba, çka kërkon këtu baba, apo reklama kundër kapsllëkut politik? Kush është “baba” i Kosovës? Për dhëndrin e Kosovës kemi dëgjuar. Ishte thjesht humorist, një i huaj që fliste një shqipe të deformuar, por të kuptueshme, i thoshte gjërat më normale dhe na bënte të qeshnim me lot.

Por “baba” nuk bën hajgare. Ai edhe debatet i konsideron luftë që duhet fituar.

Pra, për ata që nuk lexojnë gazeta e as nuk “flenë” në Facebook, ndoshta duhet sqaruar se kush është “baba”. Kuptohet se nuk e kam fjalën për baballarët e askujt, e as për mamatë. As për atësinë. As për familjet e “bllokut”. Por thjesht për “babën” e Kosovës, njeriun prej të cilit në instancë të fundit varet gjithçka. Kur flet baba, krejt debatet mshelen, sepse pastaj reagon krejt kodra. E te ne kur flet kodra…

Sidoqoftë, me krejt respektin institucional, shpresoj se nuk më vjen në mobilin tim ndonjë SMS i rëndë, aq sa nuk mundem me e bajtë. Se te ne, intelektualët edhe zyrtarët e partisë shtet, shajnë keq. E kemi parë më herët. Por, pasi mediat e kanë quajt “Babë”, kjo sugjeron se të sharat që vijnë nga ai nuk duhen marrë si shumë ofenduese. Se baba jo veç të shan, por… babë më! E ka shtetin pas.

Përderisa kombi ynë sintetik edhe individët i sheh si monumente që ecin, si simbole të gjalla të pavarësisë, në anën tjetër të Kalimashit, në Shqipërinë politike, dikush pas 100 vjetësh pavarësi i vodhi pllakat e bronzta, nga Monumenti i Pavarësisë. Një pllakë thuhet se bën 400 euro nëse shitet nën dorë. Nuk duhet me e tundue qytetarin. Ai e do pavarësinë, por e do edhe paranë. E familja politike, pavarësinë të ofron, por paranë e mban për vete. Mund të jesh i varfër dhe i lirë. Kot titujt e mëdhenj të librave. Këtu nuk mundesh as me ikë nga liria.

Kështu qytetarit i mbeten vetëm monumentet.

Vapë e madhe. A thua ç’ka do të vendosë “baba”?!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button