Kur kryeministri barazon sigurinë e Shqipërisë me sigurinë e karriges së tij

Në vitin 1755, Benjamin Franklin bëri një paralajmërim që mbetet aktual dhe që kryeministri Rama e ka përdorur disa herë kur ishte udhëheqës opozite dhe nxiste protesta mbarëkombëtare: “Ata që sakrifikojnë Lirinë themelore për të blerë pak Siguri të përkohshme, nuk meritojnë as lirinë, as sigurinë.”
Kjo është një nga dilemat e mëdha të demokracisë: deri ku mund të shkojë një pushtet në emër të sigurisë dhe kur mbrojtja e rendit kthehet në pretekst për kufizimin e lirive?
Askush nuk mund të justifikojë vandalizmin apo dhunën ndaj policisë. Ata që i bëjnë duhet të përgjigjen për to.
Por asnjë rast dhune nuk i jep policisë të drejtën të ndëshkojë kolektivisht protestuesit, të trajtojë çdo të ri si të dyshuar apo të përdorë forcën për të frikësuar edhe ata që protestojnë paqësisht. Policia nuk është palë në një përplasje mes dy kampeve politike. Ajo përfaqëson shtetin dhe ka detyrimin të mbrojë njëkohësisht rendin publik dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve.
Problemi pastaj bëhet më shqetësues kur dhuna dhe incidentet fillojnë të dominojnë debatin publik, duke lënë në hije arsyet për të cilat të rinjtë dolën në rrugë. Në vend që të diskutohet për pakënaqësinë me qeverisjen, kriminalizimin, skandalet, korrupsionin, mungesën e perspektivës, arsimin, koston e jetesës dhe krizën e përfaqësimit, vëmendja përqendrohet te gurët, zjarret, përplasjet dhe arrestimet.
Ky mekanizëm i quajtur sekuritizim, i zhvilluar nga Barry Buzan dhe Ole Wæver, një problem politik apo shoqëror e paraqet si kërcënim për sigurinë dhe kështu krijon terrenin për masa të jashtëzakonshme që në kushte normale do të ishin të vështira për t’u justifikuar.
Debati zhvendoset nga shkaqet e krizës te pasojat e saj për rendin publik dhe kundërshtimi qytetar trajtohet si kërcënim sigurie dhe jo si shprehje e pakënaqësisë demokratike. Në vend që të pyetet pse protestojnë të rinjtë, çfarë kërkojnë dhe cilat janë përgjegjësitë e qeverisë, vëmendja përqendrohet te incidentet, përplasjet, arrestimet dhe nevoja për ndërhyrje policore.
Sekuritizimi shoqërhet shpesh me propagandën për rëndësinë e stabilitetit të vendit, stabilokracinë, në shërbim të së cilës duhet të tolerohen problemet e demokracisë. Florian Bieber e ka analizuar gjerësisht përdorimin e stabilokracisë në Ballkanin Perëndimor: udhëheqësi nuk kërkon të gjykohet nga rezultatet e qeverisjes së tij, por nga rreziqet për stabilitetin e vendit që ai pretendon se sjell largimi i tij.
Korrupsioni, abuzimet, dobësimi i institucioneve dhe mungesa e llogaridhënies kalojnë në plan të dytë përballë argumentit se alternativa nndaj tij është kaosi. Mbijetesa politike e qeverisë paraqitet, kështu, si domosdoshmëri për sigurinë kombëtare dhe qytetarëve u kërkohet të pranojnë problemet e së tashmes nga frika e pasigurisë së së ardhmes.
Përdorimi i sigurisë për të justifikuar mungesën e demokracisë nuk është as dukuri e re dhe as veçori vetëm e Ballkanit.
Historia është plot me autokratë që, kur janë përballur me protesta dhe kriza të rënda politike, janë përpjekur ta paraqesin mbijetesën e tyre në pushtet si çështje të sigurisë dhe stabilitetit kombëtar, duke i portretizuar protestat si kërcënim për rendin dhe largimin e tyre si rrezik për vendin.
Nga Janukoviçi i Ukrainës e Shevardnadze i Gjeorgjisë në Evropë, te Suharto i Indonezisë dhe Markosi i Filipineve në Azi, te Mubaraku i Egjiptit dhe Ben Aliu i Tunizisë në Afrikën Veriore, e deri te Fuxhimori i Perusë dhe De la Rúa i Argjentinës në Amerikën Latine, në rrethana të ndryshme historike autokratët e kanë lidhur fatin e tyre politik me sigurinë e vendit.
Kryeministri Edi Rama duket se është rasti më i fundit i përdorimit të sekuritizimit dhe stabilokracisë për të justifikuar qëndrimin e tij në pushtet. Ai po përpiqet ta kornizojë krizën si çështje të rendit, sigurisë dhe stabilitetit.
Më 15 tetor, nga godina e dëmtuar e Kolegjit të Europës, ai ia atribuoi dhunën opozitës dhe paralajmëroi për rikthimin e Shqipërisë në një të kaluar që, sipas tij, vendi e ka lënë pas.
Më 16 tetor, përpara një kioske të djegur, shkoi më tej, duke përmendur edhe forca të huaja që, sipas tij, synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe pengimin e integrimit europian.
Ndërsa më 17 tetor, nga një tjetër biznes i dëmtuar, vuri theksin te mbrojtja e pronës, dëmshpërblimi dhe ndëshkimi i autorëve të dhunës, duke njohur njëkohësisht të drejtën e studentëve për të protestuar.
Duke ndërthurur sekuritizimin me logjikën e stabilokracisë, kryeministri e paraqet vazhdimësinë e pushtetit të tij si garanci për ruajtjen e rendit dhe të kursit europian.
Por këtu qëndron edhe paradoksi i këtij ligjërimi.
Një qeveri që duhet të japë llogari për skandalet e dështimet e grumbulluara gjatë qeverisjes së saj, kërkon të gjykohet nga aftësia për të na mbrojtur prej pasojave të këtyre problemeve. Rrjedhimisht, në vend që të diskutohet se kush mban përgjegjësi për krizën e besimit, vëmendja zhvendoset te kush mund ta menaxhojë krizën që erdhi si pasojë e saj.
Qytetarëve u kërkohet të vazhdojnë t’i besojnë të njëjtit pushtet, jo sepse mund të jenë me të, por nga frika e pasigurisë së ndryshimit.
Ky mekanizëm i frikës dhe varësisë të kujton gjobëvënien mafioze, kur mafia u kërkon bizneseve haraç për t’i mbrojtur nga kërcënimet që ajo vetë ua krijon. Ose si kapiteni që e ka drejtuar anijen drejt shkëmbinjve dhe, kur pasagjerët kërkojnë ta ndërrojnë, u thotë se pa të anija do të mbytet, sepse vetëm ai di ta shpëtojë.
Në të dyja rastet, ai që ka përgjegjësi për rrezikun e krijuar përpiqet ta përdorë frikën për të mbajtur kontrollin.
Prandaj, çdo konsideratë e çështjes së sigurisë duhet të fillojë me pyetjen: kush e kërcënon realisht sigurinë dhe stabilitetin e Shqipërisë? A janë të rinjtë që protestojnë, apo korrupsioni, kriminalizimi dhe kalbëzimi i institucioneve shtetërore?
Kur zëvendëskryeministra, ish-ministra të Brendshëm dhe drejtues të lartë të policisë, shërbimeve inteligjente e institucioneve të drejtësisë përfshihen në skandale deri në bashkëpunim me krimin, qeveria nuk mund ta shmangë përgjegjësinë politike për pasojat e këtyre skandaleve.
Nuk mund të flitet për siguri kombëtare vetëm kur protestuesit dalin në rrugë, ndërsa problemet e korrupsionit, lidhjeve të dyshuara me krimin dhe dobësimit të institucioneve trajtohen si incidente të izoluara dhe pa pasoja në sigurinë e vendit.
Për më tepër, siguria nuk është vetëm çështje e rendit dhe territorit. Ajo është para së gjithash siguri njerëzore: siguria e jetës, e familjes, e pronës, e punës dhe e dinjitetit të çdo qytetari.
Kur krimi i organizuar depërton institucione jetike shtetërore dhe kur ka dyshime serioze për lidhjen mes krimit dhe pushtetit, pasiguria bëhet personale dhe fizike. Qytetari nuk mund të ndihet i mbrojtur nga krimi nëse krimi ndikon policinë apo drejtësinë. As nga të fortët e biznesit që i cenojnë pronën nëse zbatimi i ligjit varet nga lidhjet, interesat dhe favoret politike.
Edhe siguria që thekson kryeministri varet nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit. Edhe stabiliteti që thotë kryeministri ndërtohet mbi mirëqeverisjen, drejtësinë e pavarur, dhe mundësinë reale për ndryshim demokratik. Siguria dhe stabiliteti garantohen kur kundërshtimi i pushtetit respektohet si e drejtë kushtetuese dhe ku askush nuk ndihet i kërcënuar për shkak të bindjeve të tij.
Asnjë kryeministër nuk ka të drejtë ta paraqesë mbijetesën e vet politike si kusht për sigurinë kombëtare, ta përdorë frikën si instrument sundimi apo ta trajtojë pakënaqësinë qytetare si kërcënim për shtetin.
Shqipëria është më e madhe se çdo qeveri, Republika është më e rëndësishme se çdo pushtet dhe siguria e një kombi nuk mund të reduktohet në sigurinë e karriges së një kryeministri.
Asnjë karrierë politike nuk vlen më shumë se liria, dinjiteti dhe e ardhmja evropiane e popullit shqiptar.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.