Kur prangat kthehen në poshtërim publik: drejtësia evropiane e ka dënuar ashpër këtë lloj dhunimi

Dita e parë e protestës studentore para Ministrisë së Arsimit do të mbahet mend nga dy fotografi që u bënë simbol i revoltës studentore.
Klevis Metaj, student 22-vjeçar i drejtësisë, u përplas me gjashtë policë. Ata e rrahën. Më pas e tërhoqën zvarrë dhe e lidhën me pranga pas kangjellave të ministrisë, në mes të rrugës.
Pamjet u përhapën menjëherë.
Në spital iu komunikua procedimi penal dhe iu tha se do të dilte përpara gjykatës për masë sigurie.
Sot, tre ditë më vonë, gjykata e Tiranës la në arrest shtëpie.
Nuk dihet se si do të zhvillohet më vonë procesi ndaj Klevisit në gjykatat shqiptare, por në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut ai e ka fituar çështjen shumë kohë më parë.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut
15 vite më parë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut u pranua një ankesë e një qytetari rumun kundër autoriteteve të vendit të tij.
Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2005, në një qytezë të vogël të Rumanisë, në Podoleni, kur një burrë i quajtur Konstantin Arçip shkoi në bashki për të marrë pensionin e invaliditetit.
Ai vuri re se shuma ishte më e vogël se muajt e tjerë.
Kjo e zemëroi. Ai debatoi ashpër me kryetarin e Bashkisë së qytetit të tij dhe ky i fundit lajmëroi policinë.
Policia e mori dhe e lidhi me pranga pas një peme, në oborrin e komisariatit, në qendër të qytezës për shkak se qytetari i zemëruar po kundërshtonte fort edhe policët.
Ata e lanë të lidhur aty për gati tre orë. Kalimtarët e shihnin. Dikush prej tyre lajmëroi mediat. Gazetarët erdhën, e fotografuan dhe publikuan në gazetat lokale lajme mbi të.
Vite më vonë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut argumentoi se ky ishte një trajtim poshtërues. Autoritetet e kishin shndërruar qytetarin në spektakël publik.
Ai ishte ekspozuar dhe ishte ndjerë i poshtëruar pasi njerëzit e panë të lidhur pas një peme.
Gjykata argumentoi se neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ndalon çdo formë diskriminimi apo poshtërimi, edhe nëse qytetarët kundërshtojnë policinë.
Kjo formë është e ndaluar edhe për persona të dyshuar për krime më të rënda si akte terrorizmi apo si pjesë e krimit të organizuar.
Gjykata e Strasburgut vlerësoi se në rastin konkret forca e përdorur nga policia ishte e tepërt dhe aspak proporcionale. Ajo i dha të drejtë qytetarit rumun dhe dënoi shtetin për trajtimin e tij.
Rumanisë iu desh të paguante dëmshpërblim për qytetarin, por ky vendim nuk vlen vetëm për të. Ai është precedent për të gjitha shtetet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë.
Ngjashmëria e vendimit të Strasburgut me rastin e Klevis Metajt
Klevis Metaj ishte një student që protestonte. Sjellja e policisë ndaj tij ishte e njëjtë me atë të autoriteteve për të cilën Strasburgu dënoi Rumaninë.
Prangat ndaj Klevisit u përdorën jo thjesht si mjet sigurie, por si një mënyrë për ta treguar të mundur përpara të tjerëve.
Kangjellat e ministrisë u bënë “pema” e tij.
Mes të dy rasteve nuk ka asnjë ndryshim.
Në të dyja rastet, njeriu u vendos në qendër të vëmendjes jo si i dyshuar, por si shembull.
Forca e shtetit u shfaq në formën e saj më poshtëruese.
Gjykata e Strasburgut ka argumentuar më parë se dinjiteti i njeriut nuk mund të nëpërkëmbet edhe kur ai është i zemëruar, edhe kur proteston, edhe kur nuk i bindet urdhrit të policisë.
Neni 3 i Konventës Evropiane ndalon trajtimin çnjerëzor dhe diskriminues dhe ai aplikohet edhe në rastin e Klevis Metajt.
Prangat mund të jenë të nevojshme. Por kur ato kthehen në mjet ekspozimi, individit i janë shkelur të drejtat themelore; është shkelur ligji nga ata që duhet ta mbronin atë.
Sjellja ndaj Klevis Metaj tregoi jo vetëm paaftësinë e policisë për të menaxhuar protestat. Ajo tregoi se policia shqiptare është ende larg standardeve të një policie europiane në respektimin e të drejtave të njeriut.
Pjesë e Europës mund bëhesh shumë shpejt me letra, por ajo që ka rëndësi është të jesh si Europa me veprime.
Në këtë test dështoi.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.