Kur të ndrit ylli në fëmijëri
Ndonjëherë, pyetja “çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh?” është krejtësisht e pavlerë. Sidomos në rastet kur famën e ke që fëmijë, e kur mosha nuk të prish aspak punë për të ecur mbi tapetin e kuq, për të pushtuar faqet e revistave, apo për të pasur me mijëra ndjekës në rrjetet sociale.
Ajo është aktualisht 9 vjeç, por që kur ishte 3 njihej si modele shumë e suksesshme dhe konsiderohej si vajza më e bukur në botë. Me flokët e artë, sytë blu të thellë dhe tiparet ëngjëllore, rusja Kristina Pimenova është tashmë imazh i markave të njohura botërore, si Roberto Cavalli, Dolce Gabbana dhe Armani. Kristina ka më shumë se 3 milionë ndjekës në Facebook, faqe e cila menaxhohet nga e ëma, ish-modele. Nga ana tjetër, ka dhe shumë të tjerë që e kritikojnë, me pretendimin se vajza po përdoret për qëllime përfitimi.
* Kushdo që e ka parë atë të kërcejë, në klipin e këngës “Chandelier” të së famshmes Sia, duhet ta dijë se bëhet fjalë për 12-vjeçaren Maddie Ziegler, një prej adoleshenteve më të famshme në botë. Deri para 4 vitesh, ajo ishte një fëmijë i panjohur, që shijonte kërcimin dhe që shkonte në një shkollë publike në Pensilvani. Tashmë, Maddie ka 3 milionë ndjekës në Instagram dhe videoja e këngës ka 1 miliard klikime në Youtube. Ishte vetë këngëtarja austrialiane Sia, që e pa rastësisht Maddien në një program televiziv dhe e pyeti, nëse ishte e interesuar të merrte pjesë në klipin e saj.
E megjithatë, jo gjithmonë fama që në fëmijëri mund të jetë pozitive. Një shembull është ai i Macaulay Culkin, fëmija i famshëm i filmit “I vetëm në shtëpi”, fama e të cilit erdhi gjithmonë e duke u zbehur nga viti në vit. Një tjetër rast është shndërrimi i Miley Cyrus, e cila që nga fëmijëria, kur njihej si Hanna Montana, e deri më sot ka ardhur në një transformim të vazhdueshëm, dhe jo për mirë.
* Për fëmijët e famshëm shqiptarë të para viteve ’90, kryesisht në kinematografi, fama është identifikuar me rolet që kanë luajtur. Së fundmi, një 9-vjeçare nga Kosova fitoi vendin e tretë në “France’s got talent”. Erza Muçolli i mahniti të gjithë me zërin e saj.